Kryetari i PD, Lulzim Basha u shpreh gjatë fjalës së tij në Këshillin Kombëtar se, reformimi i PD duhet të bëhet në funksion të suksesit të betejës kundër këtij regjimi të korruptuar dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim.
Pjesë nga fjala
Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik.
Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill.
Këtë duhet ta bëjmë me dhe për shqiptarët që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor.
Që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozime për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe modelit të dështuar ekonomik që po i marrin frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike.
E kundërta e asaj që sundimi i këtij regjimi përfaqëson, është shteti i vogël, liria e individit, ndarja e pushteteve, liria e sipërmarrjes, elementë që janë në ADN-në e familjes tonë politike.
Prej ditës tonë të parë kemi luftuar për këto vlera, jemi ne njerëzit që besojnë tek ato, ndaj misioni ynë është të luftojmë me gjithë forcën që na kanë dhënë shqiptarët që t’i jetësojmë ato, duke i mbajtur në qendër të aksionit tonë politik.
Nëpërmjet tyre kemi shënuar arritjet më domethënëse që kanë ndryshuar për mirë jetën e shqiptarëve në të shkuarën, dhe jam i bindur që janë po këto vlera me të cilat ne do të arrijmë ndryshimet më thelbësore për familjet shqiptare në të ardhmen.
Ekipi i ri, në nivelet e ndryshme drejtuese të Partisë, ka detyrën të çojë përpara me vendosmëri betejën për kthimin e demokracisë dhe legjitimitetit në vend. Kemi mbi supe një sfidë që nuk është thjesht partiake, apo opozitare, por kombëtare. Ajo për clirimin e zgjedhjeve dhe thyerjes së zinxhirëve të krimit, oligarkisë dhe të shtetit të shkrirë me to, që po shtrëngon eshtrat e drobitura të një Shqipërie që kërkon shpëtim.
Kjo është një sfidë që kërkon pak fjalë dhe shumë punë, pak retorikë dhe shumë politikë të ngritur mbi idetë tona, idetë e themeluesve tanë që e ndërtuan këtë parti në antipod me cdo gjë që përfaqësonte regjimin totalitar, e që sot më shumë se kurrë duhet të shërbejnë si ylli ynë Polar.
Jam krenar që në këtë ekip do të kemi më shumë gra në detyra të rëndësishme, me profile të spikatura që e bëjnë Partinë Demokratike më gjithpërfshirëse, jo për shkak të kuotave gjinore që shpesh herë ngatërrojnë sasinë me cilësinë e përfaqësimit, por si vlerësim të profesionalizmit, integritetit dhe përkushtimit të tyre. Mirënjohje për angazhimin tuaj fisnik dhe suksese.
Të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në pozicionet e ndryshme drejtuese kanë mirënjohjen time dhe të demokratëve. Pres që harmonizimi i kontributeve të reja dhe ekzistuese të jetë në përputhje me pritshmëritë e demokratëve dhe shqiptarëve.
Në kushtet e kapjes gati totale të mediave, propaganda e kthen çdo gjë që është e lavdërueshme mes nesh, nga kërkesat për përsosje të mëtejshme te kritikat konstruktive, në një vorbull marramendëse, që na shtyn larg interesit publik duke na portretizuar në mënyrë të gënjeshtërt si të dobët apo në krizë.
Ne nuk duhet ta pranojmë këtë përmbysje të së vërtetës. Sepse të marrësh numrin e votave që ne morëm në 25 prill, pavarësisht krimit, oligarkëve, patronazhistëve, partisë të bërë njësh me shtetin, ndryshimeve të njëanëshme kushtetuese, do të thotë se përkundër të gjithave, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar.
Kështu që mos lejoni të hidhet poshtë mundi i demokratëve, mos lejoni të hedhin poshtë mundin tuaj, mos lejoni që e keqja të relativizohet, por le të punojmë fort, me vetëdijen se të gjithë bashkë kemi mundësuar një arritje të madhe pa pasur asnjë pushtet, të vetëdijshëm gjithashtu se i kemi të gjitha mjetet e nevojshme për ta zhbërë këtë padrejtësi që nuk i është bërë vetëm demokratëve, por mbarë shqiptarëve.
Vëllezër dhe motra, ajo që na pret është një përballje e gjithanshme me regjimin.
Të gjithë e dimë që masakra e 25 prillit vetëm sa e thelloi krizën politike, ndërsa kundërshtari që kemi përballë, është zhytur edhe më thellë në bashkëpunimin e tij me krimin dhe oligarkët, të cilëve tani duhet t’iu paguaj haraçin për shërbimet që ata i bënë në shkatërrimin e zgjedhjeve.
Këtë faturë nuk do ta paguajë Rama, por shqiptarët. Zullumi vetëm trashet, korrupsioni vetëm bëhet edhe më kërcënues, krimi edhe më i epërm në arrogancën e tij përballë një shtetit të gjunjëzuar, ndaj dhe përballja me ta duhet të jetë e fortë dhe frontale.
Kjo përballje do të zhvillohet në cdo fushë të jetës politike dhe shoqërore, brenda dhe jashtë parlamentit, në mbrojtje të gjithckaje që kërcënohet nga kjo pakicë e korruptuar.