Basha: Rruga e vetme për të dalë nga kriza, reformë zgjedhore dhe zgjedhje të parakohshme!

Lideri i opozitës, Lulzim Basha u shpreh në një intervistë për News 24 se, e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza është reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR-it, sipas kërkesave të Bundestagut dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sovrani të diktojë parlamentin e ardhshëm dhe qeverinë e ardhshme.

Basha tha se, i duhet thënë mjaft një qeverie që i takon 10 pashallarëve! 5 kriminelë, 5 oligarkë, të vetmit që punojnë, të vetmit që marrin licenca, të vetmit që kanë favore

Pyetje: Zoti Basha shpesh keni artikuluar se për të kapërcyer këtë krizë politike duhet vullnet politik. Ju konkretisht e keni këtë vullnet për t’u ulur, për të diskutuar?

Lulzim Basha: Edhe një herë, më vjen keq që diskutimi për këtë çështje shpeshherë tkurret në koncepte, “A ulesh?”, “A s’ulesh?”. E kam dëshmuar vullnetin tim disa here, në emër të opozitës. Nuk kam asnjë kompleks as të ulem, as të diskutoj. Ka një problem për, të paktën, tre herët e fundit, kryeministri aktual e ka abuzuar vullnetin e opozitës dhe timin personal, për të zgjidhur problemet me dialog.

Dhe çfarë ka ndodhur? Situata me korrupsionin nga keq është bërë shumë më keq. Bashkëpunimi i tij me aleatët e tij, që janë kriminelët, nga politik është kthyer edhe ekonomik. Shikoni çfarë po ndodh? Vetëm dje Kepi i Rodonit i është dhënë një trafikanti droge, Roland Ziut. Një tjetër trafikant droge që merr një investim strategjik në një nga pjesët më të bukura të bregdetit.

Ditën kur Bashkimi Europian nuk binte dot dakord për Shqipërinë dhe për këtë e pësoi edhe Maqedonia e Veriut, siç e dinë të gjithë tashmë – e dinë të gjithë shqiptarët që Maqedonia e Veriut e pësoi për shkak sepse Edi Rama nuk arriti të bindte dot qeveritë e vendeve anëtare të Bashkimit Europian – atë ditë në Parlament kalonte Korporata e Investimeve Strategjike, që është një mekanizëm për të grabitur pronat publike të shqiptarëve dhe pronat private të shqiptarëve. Pra, është e qartë se kemi të bëjmë me mungesë vullneti, dëshire dhe do të thoja edhe kapacitetesh, nga kjo qeveri dhe nga ky kryeministër.

Prandaj ne kemi parashtruar atë rrugë, tashmë e konfirmon edhe Bundestagu: reformë zgjedhore, zgjedhje të ndershme që t’u japim shqiptarëve mundësinë të zgjedhin dhe qeveria t’u takojë shqiptarëve. Boll më me një qeveri që i takon 10 pashallarëve! 5 kriminelë, 5 oligarkë, të vetmit që punojnë, të vetmit që marrin licenca, të vetmit që kanë favore. Do të zgjidhësh diçka, e zgjidh vetëm me këta 10 pashallarë dhe me Edi Ramën. Kjo nuk mund të jetë Shqipëria europiane dhe kjo ka çuar në një depresion të thellë shoqëror dhe ekonomik.

Dhe ne jemi të vendosur ta nxjerrim vendin nga ky depresion. Si do ta nxjerrim? Në radhë të parë duke ia rikthyer qeverisjen shqiptarëve, qeverisjen, që sot është e oligarkëve, e bandave, t’ua kthejmë shqiptarëve. Dhe e vetmja mënyrë është reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të ODIHR-it, sipas kërkesave të Bundestagut dhe menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare, ku sovrani të diktojë parlamentin e ardhshëm dhe qeverinë e ardhshme.

Exit mobile version