E ardhmja e Migjen Bashës mund të jetë sërish në Serinë B të futbollit italian. 29-vjeçari kuqezi në përfundimin të këtij sezoni pritet të largohet nga Como, pasi kjo skuadër nuk arriti të mbijetonte, dhe më shumë gjasa do të kërkojë një destinacion të ri po në Serinë B. Mediat përtej Adriatikut raportojnë se, për mesfushorin shqiptar interesohet Avellino, e cila ka ambicie për t’u ngjitur në elitën e futbollit italian sezonin e ardhshëm.
Basha, i cili verën e kaluar u largua nga Torino për t’iu bashkuar Lucernës, në muajin janar u dha në formën e huazimit te Como, por pa mundur të bëjë asgjë për t’i siguruar mbijetesën ekipit italian.
Basha është aktivizuar në total 12 ndeshje me Comon, duke shënuar vetëm një gol, pikërisht më barazimin 1-1 me Avellinon një javë më parë. Ndikim në të ardhmen e lojtarit pritet të ketë edhe pjesëmarrja e tij e mundshme me Shqipërinë në Euro 2016. De Biasi ende nuk e ka shpallur listën përfundimtare për Europianin, por të paktën në atë paraprake Basha pritet të jetë i përfshirë.