Blerja e votave, tjetërsoi zgjedhjet

Lulzim Basha ishte me demokratët e Sarandës, Selenicës, Himarës dhe Vlorës, ku u ndal në analizën e zgjedhjeve dhe sfidat që presin përpara. Basha tha se zgjedhjet e 25 qershorit nuk ishin të lira e demokratike dhe PD tregoi se është e vetmja forcë që nuk bën pakt me krimin, që nuk u përlye në shitblerjen e votës, pra e vetmja forcë që ka moralin sot ta vazhdojë betejën për zgjedhje të lira e të ndershme.
Basha tha se fenomeni i shitblerjes së votës përfshiu masivisht gjithë vendin, duke tjetërsuar tërësisht vullnetin e qytetarëve. Ai krahasoi zgjedhjet e 25 qershorit njëlloj si në zgjedhjet e vitit 1991, në të cilat terrori psikologjik, kërcënimet dhe shantazhet tjetërsuan masivisht vullnetin e qytetarëve, duke prodhuar një rezultat të rremë. Basha tha se, pavarësisht tjetërsimit të vullnetit të qytetarëve dhe manipulimit të rezultatit, askush nuk mund të fshehë dot krizën e rëndë ekonomike, varfërinë ekstreme që rëndon çdo ditë e më shumë familjet shqiptare.
“Këto kanë qenë katër vite përballje të ditë përditshme, duke nisur me luftën tonë për dekriminalizimin e institucioneve, luftën kundër drogës që erdhi si projekt sa i kriminelëve në pushtet, aq i Edi Ramës, si një projekt politik dhe natyrisht, betejën tonë për zgjedhje të lira e të ndershme. Anembanë Shqipërisë me përmasa të papara dhe dëgjuara ndonjëherë, me shtrirje kapilare dhe shumat më të larta të shpenzuara, Partia Socialiste dhe parti të tjera të pushtetit u angazhuan masivisht në shitblerjen e votës. Ne ishim e vetmja forcë politike që bëmë një fushatë qytetare, europiane, me një ofertë për qytetarët. Njësoj si në vitin 1991, kjo nuk mjaftoi. Sepse njësoj si atëherë, faktorët që vendosën nuk ishin votat dhe vullneti i shqiptarëve, por tjetërsimi i këtij vullneti, duke përdorur frikën, dëshpërimin, dhe varfërinë e thelluar nga kjo qeveri për të blerë vota, për të kërcënuar dhe shantazhuar votuesit dhe për të tjetërsuar rezultatin”, u shpreh Lulzim Basha.
Rruga që na pret, iu tha Basha demokratëve është: “Beteja për zgjedhje të lira e të ndershme, beteja për bashkimin e demokratëve në bazë të kontributit dhe fuqizimin e anëtarësisë së Partisë Demokratike dhe beteja për fatet e përditshme të shqiptarëve”.
“Prej ditës së parë ne jemi të vetmit, Partia Demokratike është e vetmja që demonstron para shqiptarëve që nuk bën kompromis me krimin për të ardhur në pushtet. Ne jemi sot e vetmja forcë morale që ka kurajon të luftojë për liri, për demokraci, për zgjedhje të lira si gjithë Europa dhe të fitojë këtë betejë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Për një qeveri të njerëzve e jo të politikanëve, e vetmja forcë që ka moralin, e papërlyer nga kjo garë elektorale, e papërlyer nga kjo maskaradë, e vetmja forcë që ka vizionin dhe planin është dhe mbetet Partia Demokratike. Bashkimi i votës së shpirtit të shqiptarëve në një forcë europiane me një plan europian, për standarde europiane të lirë, demokracisë, votës së lirë”, tha Lulzim Basha.

Selami: Basha nuk gëzon mbështetjen e ndërkombëtarëve

Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Eduard Selami në turin e takimeve me demokratët në jug të vendit, Sarandë, Vlorë, Himarë, Selenicë bëri thirrje për krijimin e një koalicioni vlerash me të gjithë shqiptarët, për të rikthyer shpresën te PD.
“Të hapim dialogun sesi ne të bëhemi dhe njëherë shpresë dhe partia e vlerave të Shqipërisë, bazuar kjo në vlerat e së djathtës. Ti rikthehemi edhe njëherë atyre shtresave që bënë atë përmbysjen e madhe dhe e futën Shqipërinë në rrugën e Europës, shtresën e ish-të përndjekurve politikë, shtresën e ish-pronarëve, shtresat e biznesit të vogël, rininë që e kishim, intelektualët. Ne e filluam si parti e intelektualëve, pesha specifike e Partisë Demokratike në fillimet e saj ka qenë shumë e lartë. Ne këtë duhet të kthejmë, po nuk u kthyen dot këtu, nuk kthejmë dot shpresën, nuk vijmë dot në pushtet, së bashku do ta bëjmë”, tha Selami.
Eduard Selami përsëriti thirrjet drejtuar kandidatit Lulzim Basha që të mbajë premtimin për debate të hapura për demokratët dhe për publikun si dhe të shpallë listën e anëtarësisë së PD. “Debati që më premtoje me kamera, do të doja të ishin këtu dhe kamera të tjera t’i sjelli këtu. Kur unë kërkoj të shpalli listat, sepse nuk ka pse të ketë frikë, ne nuk jemi parti ilegale. Ne duam, dhe demokratët duan të dinë se çfarë liste do votohet. Unë mendoj se këto jane kritika të drejta, për një garë të barabartë që nuk është”, tha Selami.
Pas tri humbjeve radhazi në 2013, 2015 dhe 2017, Lulzim Basha, u shpreh Selami nuk ngjall shpresë për ta sjellë PD në pushtet. Madje, Basha nuk është partner i besueshëm as për partnerët tanë ndërkombëtarë, pas përplasjeve të forta me ta. “E kam quajtur një politikë të gabuar të Bashës dhe aty u dëmtua mënyra sesi e trajtojnë çështjen e marrëveshjes dhe futjen e tij në përplasje me komunitetin ndërkombëtar dhe aleatët tanë strategjik, dhe këtë çmim e pagoi me humbjen. Marrëveshjen e kam përshëndetur thjesht në parim ndërsa detajet e saj i kam kritikuar dhe them që është një ndër shkaqet e humbjes”, tha Selami.

Exit mobile version