Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të Tanush Mulletit, pinjoll i denjë i një prej familjeve më fisnike të Tiranës dhe përfaqësues i një brezi të përndjekurish politikë që treguan dinjitet, largpamësi dhe kurajo.
Basha shprehet se “Mulleti si kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë, bëri gjithçka që shtresa nga e cila vinte të trajtohej me dinjitet dhe të kishte rolin që i takonte në shoqërinë shqiptare”.
Postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:
Ndarja nga jeta e Tanush Mulletit, pinjollit të denjë të një prej familjeve më fisnike të Tiranës, është një lajm i trishtë jo vetëm për familjarët dhe të afërmit, por edhe për miqtë, bashkëpunëtorët dhe bashkudhëtarët e kauzës së lirisë dhe dinjitetit kombëtar.
Tanush Mulleti ishte përfaqësues i denjë i një brezi të përndjekurish politikë që treguan dinjitet, largpamësi dhe kurajo. Si kryetar i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë ai bëri gjithçka që shtresa nga e cila vinte të trajtohej me dinjitet dhe të kishte rolin që i takonte në shoqërinë shqiptare.
Njerëz të tillë fisnikë dhe të virtytshëm që vuajtjet e patregueshme të përndjekjes i kthyen në forcë dhe në guxim për të dëshmuar realitetin e kobshëm të diktaturës, meritojnë nderimin dhe mirënjohjen më të thellë të qytetarëve dhe vendit.
U prehtë në paqen e merituar dhe i paharruar kujtimi i tij!