Basha-Szijjarto: Negociata dhe plotësim i kushtit për zgjedhjet

Kryetari i opozitës dhe ministri i Jashtëm i Hungarisë kanë kërkuar dje së bashku hapjen e negociatave me Bashkimin Europiann dhe në të njëjtën kohë plotësimin e kushteve të vendosura nga Brukseli për zgjedhje të lira.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha priti dje në një takim ministrin e Jashtëm të Hungarisë, Péter Szijjártó.
Basha vlerësoi mbështetjen e Hungarisë në rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe e siguroi ministrin Szijjártó, se Partia Demokratike siç ka qenë e përkushtuar në qeverisje, edhe sot në opozitë mbështet fuqimisht procesin e integrimit europian të vendit.
Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto tregoi edhe arsyet se përse ai është takuar me kryetarin e opozitës, Basha. Szijjarto tha se e konsideronte PD një parti simotër të partisë së tij të djathtë në pushtet në Hungari dhe se i uronte PD fitore në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Deklarata e Szijjarto

“Para së gjithash ishte e qartë që unë vizitova Partinë Demokratike, sepse nuk flas vetëm në pozicionin e diplomatit, por edhe atë të politikanit, që kur kam qenë i përfshirë në partinë politike hungareze të qendrës së djathtës FIDESZ, prej shumë kohësh, është e kuptueshme për mua që të vizitoja partinë simotër gjithashtu. Jam shumë i lumtur me çka dëgjova këtu. Partia Demokratike është e përkushtuar në rrugën e integrimit europian të Shqipërisë, të cilën ne e kemi mbështetur. Hungaria ka qenë gjithnjë një mike e vërtetë e Shqipërisë dhe Hungaria është një promovuese e përkushtuar e integrimit euro-atlantik të Shqipërisë. Më duhet t’u them që në këto vite ne kemi punuar së bashku me Partinë Demokratike të Shqipërisë, si në opozitë ashtu edhe në qeverisje, në lidhje me këto çështje. Jemi shumë të lumtur që këto çështje bashkojnë vendin, ku si qeveria ashtu edhe opozita janë në mbështetje të integrimit euro-atlantik. Për ne si fqinj është e qartë se, rruga më e mirë është sigurimi i stabilitetit të qëndrueshëm, paqes dhe rritjes së qëndrueshme ekonomike në rrugën e integrimit për Ballkanin Perëndimor. Sigurisht që unë uroj sa më shumë suksese për partinë tonë simotër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare vitin e ardhshëm”.

Deklarata e Bashës

“Me ministrin e Jashtëm hungarez z.Peter Szijjarto ndava vlerësimin maksimal për rolin e Hungarisë dhe mbështetjen e madhe nga kryeministri Orban për integrimin europian dhe euroatlantik të Shqipërisë. I kërkova në emër të opozitës shqiptare, ministrit të Jashtëm hungarez, por edhe në emër të PD-partisë tonë simotër FIDESZ në Hungari, të vazhdojë të mbështesë me të gjitha format dhe mënyrat integrimin europian të Shqipërisë, e në veçanti procesin e hapjes së negociatave.
Padyshim diskutuam për sfidat dramatike me të cilat përballet Shqipëria dhe nga ana e tij m’u kërkua që opozita dhe së bashku shqiptarët të bëjnë gjithçka për të luftuar për përmbushjen e kritereve, jo vetëm pesë kritereve të Komisionit Europian, por edhe kritereve të Kopenhages, në veçanti sa i përket zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe luftës ndaj krimit të organizuar.
E sigurova se Partia Demokratike dhe opozita do të vazhdojnë me të gjitha format dhe  mënyrat betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme, dhe kundër krimit në politikë, ndarjen e politikës nga krimi, luftën kundër drogës dhe zbatimin e pesë kritereve, jo vetëm për të përshpejtuar integrimin europian të Shqipërisë, por edhe si interesi esencial për Shqipërinë dhe shqiptarët”, tha Basha.

Artikulli paraprakHungaria: Rama ka fyer popullin hungarez
Artikulli tjetërDOSJET E KRIMEVE QE HAPEN NGA NESER