Basha, takim historik me Presidentin Trump

Kryetari i PD dhe Kryeministri i ardhshëm, Lulzim Basha është pritur dje në takim nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Takimi mund të konsiderohet historik për mesazhin që ai jep për shqiptarët në këto momente mjaft të rëndësishme politike, por është po aq historik për rikonfirmim e mbështetjes amerikane për Shqipërinë.
Basha ndodhej për një vizitë dy ditore në Uashington me rastin e zhvillimit të Javës për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore. Basha ishte i pranishëm në diskutimet që u zhvilluan në Shtëpinë e Bardhë mbi reformat e Administratës Trump mbi uljen e taksave, stazhet e punës dhe financimin e studentëve. Pika të forta këto që gjenden të mirë detajuara edhe në programin ekonomik të Partisë Demokratike.
Në një reagim të shkurtër pas takimit me Presidentin Trump, Basha e konsideron si të jashtëzakonshëm takimin me Presidentin Trump, ndërsa thekson se vizioni i Presidentit Trump është një shtysë e fuqishme për lëvizjen e opozitës në ndërtimin e Republikës së re. Ai shpreh mirënjohjen e thellë ndaj tij dhe SHBA për mbështetjen e fuqishme ndaj shqiptarëve.
“Takim i jashtëzakonshëm me Presidentin Donald Trump! Vizioni dhe kauza e tij janë frymëzim dhe inkurajim kolosal për lëvizjen tonë për një Republikë të qytetarëve, me ekonomi të fortë dhe të nesërme të sigurt për të gjithë shqiptarët”.
Basha ka ndërprerë fushatën elektorale në momentin më kulminant të saj dhe ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në aktivitetin e zhvilluar nga Shtëpia e Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore, ku diskutohen iniciativat e Presidentit Trump për uljen e taksave, politika këto që janë alternativa edhe të Kryetarit të opozitës Basha në këtë fushatë elektorale në Shqipëri.
Vizita ka qenë dy ditore dhe takimi me Presidentin amerikan është një inkurajim për alternativën e opozitës për të cilën Basha ka shprehur mirënjohje ndaj Presidentit amerikan, Trump.
“Sapo mbylla një vizitë dy ditore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjatë Javës së Shtëpisë së Bardhë për Zhvillimin e Fuqisë Punëtore ku po diskutohen iniciativat e administratës Trump mbi uljen e taksave, trajnimin profesional, stazhet e punës dhe financimin e studimeve. Mirënjohje të pakufishme Presidentit Trump dhe SHBA për mbështetjen për Shqipërinë dhe shqiptarët!” shprehet Basha në një reagim të pas takimin me Presidentin Trump.
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar si historik takimin e kreut demokrat, Lulzim Basha me Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Berisha: Lulzim Basha, Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, Kryetari i Partisë Demokratike dhe njëheras Kryetar i Opozitës së Bashkuar takon Presidentin e SHBA, Donald Trump!
Kryetari i PD, Lulzim Basha është pritur zyrtarisht nga Presidenti i SHBA, Donald Trump. Kur kanë mbetur vetëm 10 ditë nga zgjedhjet e parlamentare të 25 qershorit, Presidenti Trump ka zgjedhur të presë Lulzim Bashën, liderin opozitar si të parin lider shqiptar që takon që nga koha kur mori detyrën në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Arben SHAHINI

Exit mobile version