Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim entuziast, të ngrohtë dhe miqësor me shqiptarët që jetojnë në Londër.
Në një postim në profilin e tij facebook, kryetari Basha shprehet se ka njohur bashkëqytetarët në Londër me propozimin e Partisë Demokratike për votën e diasporës dhe listat e hapura.
“Ne duam që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, s’ka rëndësi nëse hidhet në Vlorë, apo në Kukës, në Tiranë, apo në Durrës, në Londër, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali apo Greqi, vota duhet të jetë e barabartë.” – është shprehur Basha.
Basha ka thënë, gjithashtu, se qeveria nuk është e interesuar për votën e diasporës, sepse atë nuk e blen dhe nuk e manipulon dot.
Postimi i plotë i kryetarit të PD, Lulzim Basha:
“Kënaqësi të bisedoja me bashkëqytetarët tanë në Londër. I njoha me propozimin e Partia Demokratike e Shqipërisë për votën e diasporës dhe listat e hapura.
Qeveria nuk është e interesuar për votën e diasporës, sepse atë as nuk e blen, as nuk e manipulon dot.
Ne duam që vota e shqiptarëve të jetë e barabartë, s’ka rëndësi nëse hidhet në Vlorë, apo në Kukës, në Tiranë, apo në Durrës, në Londër, apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Itali apo Greqi, vota duhet të jetë e barabartë.
Prandaj kemi propozuar që Shqipëria të funksionojë si një zonë e vetme elektorale, sistem i njëjtë me Kosovën.
Propozimi i dytë janë listat e hapura. Ai, ose ajo që ka mbështetjen më të madhe të qytetarëve, do të jetë përfaqësues i qytetarëve. Dhe do të marrin fund paradokset, ku sot në Kuvend kemi deputetë që kanë mbledhur 300 vota dhe jashtë Kuvendit kandidatë që kanë marrë 9600 vota.”