Kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, në Këshillin e Europës është takuar me disidentin rus Vladimir Kara-Murza, i cili u burgos në Rusi nga prilli i 2022-it deri në gusht 2024-ës, për shkak se u shpreh kundër luftës në Ukrainë.
Basha shkruan se gjatë bisedës, Kara-Murza bëri të ditur se mbi 20 000 njerëz u arrestuan nga policia në të gjithë Rusinë prej shkurtit të 2022-it, në protesta kundër luftës.
Ai më tej shkruan se autokratët në Ballkan, përfshi edhe Edi Ramën, duke shfrytëzuar vëmendjen që bota demokratike ka tek lufta, po përdorin pushtetin për të nënshtruar e varfëruar qytetarët, dhe për të përdhosur shtetin ligjor.
Postimi i plotë i Bashës:
Kënaqësi që së bashku më deputetin gjerman të CDU-së, Knut Abraham, të bisedonim me Vladimir Kara-Murza, politikan, autor dhe historian rus, i cili u burgos në Rusi nga prilli i 2022-it deri në gusht 2024-ës, për shkak se u shpreh kundër luftës në Ukrainë.
Gjate bisedës tonë Z. Kara-Murza bëri të ditur se, më shumë se 20 000 njerëz, u arrestuan nga policia në të gjithë Rusinë prej shkurtit të 2022-it, në protesta kundër luftës; 1 000 u paditën penalisht, u gjykuan ose u burgosën për këtë akuzë, dhe më shumë se 9 000 u janë nënshtruar arrestimeve ose dënimeve administrative.
Ndava të njëjtin mendim me të se, “premtimi më i mirë për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe, qëndron tek një Rusi demokratike”.
Autokratët në Ballkan, përfshi edhe Edi Ramën, duke shfrytëzuar vëmendjen që bota demokratike ka tek lufta, po përdorin pushtetin për të nënshtruar e varfëruar qytetarët, dhe për të përdhosur shtetin ligjor.