Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Amerikan NID, Robert Benjamin. Basha e falenderoi për përkushtimin e tyre në promovimin e shtetit të së drejtës, vlerave demokratike dhe euroatlantike.
Ai më tej shprehet se diskutuan për prioritetet tona në luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe alternativën tonë politike dhe programore për zgjedhjet e ardhshme.
Njoftimi i plotë:
Kënaqësi të prisja sot Drejtorin për Europën Qendrore dhe Lindore të Institutit Demokratik Amerikan NDI, z. Robert Benjamin.
E falënderova z. Benjamin për bashkëpunimin dhe mbështetjen e NDI, duke vlerësuar me mirënjohje përkushtimin e tyre në promovimin e shtetit të së drejtës, vlerave demokratike dhe euroatlantike. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetik për mbrojtjen dhe avancimin e interesave tona kombëtare, si dhe përparimin tonë në rrugëtimin drejt BE-së.
Biseduam për prioritetet tona në luftën kundër korrupsionit, zgjedhjet e lira dhe alternativën tonë politike dhe programore për zgjedhjet e ardhshme.
Korrupsioni vazhdon të mbetet pengesa më e madhe për zhvillimin ekonomik të vendit dhe krijimit të mundësive për të rinjtë, për të ndërtuar jetën e tyre në vendin tonë.
Në këtë kuadër, theksova mbështetjen tonë pa kushte për SPAK-un, dhe angazhimin tonë propozues, përmes nismave ligjore të depozituara prej muajsh në parlament, për të fuqizuar luftën kundër korrupsionit, sidomos në nivelet e larta të politikës.
E njoha z. Benjamin me ofertën tonë konkrete, të prezantuar përpara shqiptarëve, produkt i ekspertëve më të mirë vendas e të huaj, që garanton mirëqeverisjen dhe fundin e pandëshkueshmërisë, si një etalon i modelit tonë politik. Tregues i vendosmërisë sonë për t’u ofruar shqiptarëve një alternativë qeverisëse që kujdeset vetëm për ata.
Bindja jonë, sikurse është bindja e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, është se Shqipëria meriton më shumë se ofertat e skaduara politike të një grushti të vogël politikanësh që mendojnë vetëm për hallet e tyre.