Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka marrë pjesë në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit të 47-të të SHBA, Donald J. Trump. Gjatë vizitës, ai zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Dan Crenshaw, një veteran i shquar i U.S. Navy SEALS, me pesë misione jashtë vendit.
Basha shprehet se gjatë bisedës, u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve strategjike mes Shqipërisë dhe SHBA-së, duke vlerësuar gjithashtu rolin e shqiptarëve në Teksas si faktor i rëndësishëm në atë shtet. Ai gjithashtu i ka bërë ftesë kongresmenit Crenshaw për të vizituar Shqipërinë, për të përjetuar nga afër kulturën dhe mikpritjen shqiptare.
Postimi i Bashës:
Pata kënaqësinë të takohesha me kongresmenë dhe senatorë amerikanë në ceremonitë e inaugurimit të Presidentit të 47 të SHBA, Donald J. Trump.
Ndër ta, zhvillova një bisedë të përzemërt me kongresmenin Dan Crenshaw, një patriot i vërtetë dhe veteran i U.S. Navy SEALS, me pesë misione jashtë vendit. Na bashkojnë vlerat demokratike dhe na afron më shumë kontributi i shqiptarëve të Teksasit, të cilët me punën e tyre kanë arritur të jenë një faktor i rëndësishëm në atë shtet.
Në bisedën tonë, diskutuam për rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Mezi pres t’i uroj mirëseardhjen në vendin tonë, për të parë nga afër bukuritë e tij dhe mikpritjen e shqiptarëve.