Basha: Taksa e sheshtë do ulet në 9%, TVSH në 15%

Taksat e larta, papunësia, rënia e fuqisë blerëse, mungesa e investimeve kanë qenë shqetësimet që tregtarët e Sarandës i kanë shprehur kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë bashkëbisedimit me ta në tregjet e qytetit. Një nga tregtarët i tha Bashës se në katër muaj kishte bërë vetëm 50 mijë lekë xhiro, ndërsa të tjerë ankohen për dhunën që policia ushtron ndaj tyre kur shesin prodhimet e shtëpisë, për të mbajtur frymën gjallë. Për më të varfërit nuk ka asnjë vëmendje nga qeveria apo Bashkia, të cilët detyrohen që dhe ilaçet t’i marrin me listë.
Në bashkëbisedim me banorët e Sarandës, lideri i opozitës ka theksuar se korrupsioni është plaga më e madhe e shoqërisë, e cila i merr 2 milionë lekë çdo familjeje.
Duke shpalosur platformën, Basha shprehu bindjen se me ofertën e Partisë Demokratike vendi do të dalë nga kriza: “Do ta bëjmë këtë me taksat më të ulëta në histori, me 9% taksë të sheshtë, 15% TVSH. Dhe taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për palma. Taksat që mblidhen nuk do të shkojnë për Vilma Nushin, për Koço Kokëdhimën, për Ilir Beqajn. Taksat do të kthehen në investime publike dhe investime publike që hapin vende pune, që hapin fronte pune”.
Nga ana tjetër, Basha u ndal edhe tek zgjedhjet e lira dhe të ndershme, si e vetmja mundësi për t’i hapur rrugën zhvillimit dhe nxjerrjes së vendit nga kriza. Basha paralajmëroi edhe njëherë bandën në pushtet për mos prekjen e votës dhe vullnetit të lirë të qytetarëve.
Çelësi i daljes nga kjo situatë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, për të cilat mesazhi i komunitetit ndërkombëtar nga SHBA dhe BE është i qartë dhe për të cilat mbështetja do të jetë e gjithanshme, tha Basha.
“Mesazhi që do të dëgjojë deri ditën e fundit është: Të mos guxojë të prekë më votën e shqiptarëve e t’i lërë shqiptarët të votojnë të lirë e të ndershëm për qeverisjen e tyre. Për një drejtësi që dënon korrupsionin dhe krimin e nuk e mbron atë. Kjo është Reforma në Drejtësi dhe dihet mirë që kush i ka lidhjet me krimin. Dihet mirë që kush ka bërë korrupsion këto vite me shuma që i mungojnë sot qytetarëve shqiptarë.
Dhe prandaj nuk paguajnë dot pensione më të larta, nuk ka paga më të larta, nuk ka shëndetësi të standardit të mirë, por shëndetësi që bie çdo ditë e më shumë në batak, nuk ka vende pune, sepse paratë janë nisur të gjithë në Panama. Në parajsat fiskale ku fshehin paratë qeveritarët e korruptuar shqiptarë dhe këtë e tha dje Departamenti i Shtetit, e tha pardje Freedom House, e thonë ditë për ditë e javë për javë investitorët e huaj dhe e ndjejnë shqiptarët në lëkurën e tyre. Ne do ta nxjerrim Shqipërinë nga recensioni. Ne do t’i japim shqiptarëve një ekonomi të fortë që prodhon, që punon dhe që punon për mirëqenien e shqiptarëve dhe jo një grushti qeveritarësh”.

Tregtarë: Në tre muaj nuk kam bërë as 50 mijë lekë fitim

Banore: Pensioni më shkon i gjithi për ilaçe dhe drita. I marr ilaçet borxh tek Gëzimi (farmacisti), 70 andej, 70 korrenti. Gjithë pensioni mua më ik.
Basha: Korrent dhe ilaçe gjithë pensioni?
Banore: Korrenti dhe ilaçet gjithë pensioni edhe shiringat i blej me lekë. Shiko se ç’do të hajë burri tashi?! Dy domate kam t’i bëj një sallatë, bën tre herë në ditë antibiotikë.
Basha: Për të gjitha familjet në asistencë ekonomike, familjet me pension invaliditeti, familjet në ndihmë ekonomike, energjinë (deri 200 kw), ilaçet dhe ujin do t’i paguajë shteti.
Banor: Kam marrë tre herë në telefon Bashkinë dhe nuk më është përgjigjur asnjëherë. Çfarë po bëhet? Kanë vënë një kukull në bashki?! Ka mbi një vit që është zgjedhur dhe nuk e njohim se kush është. Rrugë, ujë, drita asgjë më tepër nuk kërkojmë.
Tregtar: Qytet turistik, shiko ku punojmë ne, shiko ku punojmë ne, shiko. Këtu është si stallë kuajsh.
Basha: Rrugë tjetër përveç taksave të ulëta për ekonominë shqiptare nuk ka. Rruga tjetër është kjo që po shikoni, po futet në gropë sepse taksat e larta ia marrin paranë nga xhepi konsumatorit, mbyllin biznesin, mbyllin vendet e punës.
Tregtare: Ne vijmë këtu shesim vetëm aty te dera. Sa dalim një çikë te dera na vjen policia, i themi ne “si ujqërit, si bishë”. Na i merr nga dora, na i hedh poshtë, na ofendon.
Tregtare: Kam që në janar e deri më sot unë s’kam bërë 50 mijë lekë.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte dhe në familjen e Tahire Izetit, 77 vjeç. Ajo ka muaj që përplaset në dyert e OSHEE-së, për shkak se i kanë dërguar një faturë, detyrim të prapambetur të 2011-ës prej 380 mijë lekësh.
Zonja Izeti tregon librezën, ku të gjitha detyrimet rezultojnë të paguara.
Banore: Më kanë bërë debitore 380 mijë lekë. E kam fotokopju, ja 380 mijë lekë. Iu hapa gjyq. Se çfarë shkruajnë ata? Se unë çfarë kam të shkruajtur në librezë i ka të paguara të gjitha. Ata kanë shkruar në sistem më shumë se ç’ka paguar kjo. Kjo përderisa i ka të paguara. Tani faji i kujt është?
Basha: Tetor-nëntor 2011?
Banore: Po!
Basha: Po këto janë amnistuar. Janë amnistuar, sepse i gjetëm të parregullta ne dhe CEZ-i i pranoi që ishin të parregullta. Kush ua kërkon ju këto?!

A.Shahini

Artikulli paraprak6 raporte që denoncojnë Ramën
Artikulli tjetërBerisha paralajmëron Edvin Shullazin: Mos luaj me kokë!