Basha: Taksë e sheshtë 9%, TVSH 15 për qind

Partia Demokratike me mbështetjen e CDU-së së Kancelares Angela Merkel përfundoi programin e zhvillimit ekonomik për 7 fusha,  ekonomi tregu, financa publike, arsim, energjetikë,  infrastrukturë, zhvillim rural dhe teknologji informacioni.
Basha tha se së bashku me ekspertët ekonomikë të CDU-së gjermane synohet të rikthehet besimi tek politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve.
“Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin”, tha Basha. Për kryetarin e opozitës programi qeverisës i PD është realist, konkret, i matshëm dhe i bëshëm.
“Tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit”, tha Basha

Lulzim BASHA

Dua ta nis me një falënderim të madh për të gjithë ekipin që ka punuar për më shumë se një vit tashmë për alternativën ekonomike të Partisë Demokratike. Për alternativën që do të sigurojë rritje ekonomike, zhvillim ekonomik përmes taksave të ulëta, përmes shpenzimeve qeveritare, jo për luks, as për fasada, por për investime që përmirësojnë jetën e qytetarëve, që përmirësojnë rritjen ekonomike; që sjellin më shumë punë dhe punë me paga më të mira.
Pak më parë në takimin final me ekspertët e pranishëm sot këtu, diskutuam paradoksin në dukje të parashtrimit të platformës ekonomike të opozitës në një kohë, kur në Shqipëri janë rrezikuar dhe kërcënohen shtyllat themelore të stabilitetit dhe demokracisë.
Gjendja aktuale e vendit është e paprecedentë dhe kjo për shkak të situatës së krimit, të drogës, si parathënie të rënies së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një çështje të cilën unë së bashku me Partinë Demokratike, me aleatët tanë, me koalicionin opozitar dhe me një aleancë gjithmonë e më të gjerë qytetarësh e kemi në qendër të vëmendjes.
Por dua të garantoj çdo qytetar shqiptar, se ndërsa kjo sfidë jetike, demokracia, pra zgjedhjet e lira dhe të ndershme, dekriminalizimi, lufta kundër krimit dhe drogës mbetet në qendër të betejës dhe të aksionit tonë opozitar, ne po kështu marrim përgjegjësitë tona si opozitë dhe si alternativa për nesër, për t’iu shpalosur shqiptarëve, jo thjesht dhe vetëm denoncimet me fakte, argumenta, shifra, emra dhe mbiemra, institucionale dhe ligjore, jo vetëm thjesht indinjatën dhe përgjegjësitë për këtë çështje, por po kështu dhe rrugët e daljes.
Rrugët e daljes kalojnë patjetër nga një model i ri politik në radhë të parë, i një demokracie funksionale në duart e qytetarit shqiptar dhe jo në duart e një mekanizmi të kalbur të politikës në Tiranë që e ka përdorur dhe po e përdor vetëm për pasurimin e vet dhe të një grushti njerëzish, me ose pa rekorde kriminale.
Shembja e këtij establishmenti  të korruptuar dhe kriminal është hapi i parë që duhet hedhur. Instalimi i një modeli politik, ku pushtetin ta kenë qytetarët dhe institucionet e ndërtuara nga qytetarët me përgjegjësinë e votës. Eshtë A-ja, pa të cilët nuk mund të themi as B  dhe as C.
Por dua të ndaj sot me shqiptarët lajmin e mirë se opozita po përfundon procesin e hartimit të një alternative të plotë e të gjithanshme, e cila përbën rrugëzgjidhjen, rrugëdaljet për shumë nga problemet e përditshme; siç është papunësia, varfëria, shkaqet kryesore, por jo të vetme për dëshpërimin, për eksodin masiv, për zbrazjen e Shqipërisë; siç është gjendja dramatike e arsimit, e shëndetësisë, e bujqësisë, e pensionistëve, e shtresave në nevojë, e kështu me radhë.
Në thelb qeverisja, përtej rendit dhe sigurisë, nuk është gjë tjetër veçse rishpërndarje e të ardhurave, sa taksa mbledhim dhe si i shpenzojmë ato.
Sa herë që kjo punë bëhet keq e mos më keq, përballemi me  pallavra, me retorikë, por në thelb gjithçka bëhet e qartë nga shifrat e buxhetit. Sa të ardhura mbledh qeveria? Çfarë sistemi fiskal ka? Sa janë taksat dhe si i shpenzon ato?
Prioritetet e qeverisë apo mungesa e tyre janë të skalitura në buxhete, në ato të planifikuara dhe ato të realizuara.
Prioritetet tona që ne i kemi shpalosur, i kemi konsultuar e po i konsultojmë me qytetarët, kanë qenë subjekt i një inspektimi të hollësishëm dhe një diskutimi që zgjat prej më shumë se një viti me ekspertë të njohur ndërkombëtarë, europiane dhe amerikanë.
Sonte kam një falënderim të veçantë për Unionin Kristian Demokratë Gjerman, të udhëhequr nga Kancelarja Merkel, për Fondacionin Konrad Adenauer, të cilët na janë gjendur pranë në këtë proces, përmes ofrimit të ekspertizës më të mirë ekonomike, makro-ekonomike, fiskale.
Dua të falënderoj Walter Glos, drejtorin rezident të Konrad Adenauer në Tiranë, që ndodhet edhe sonte në krahun tim dhe në krahun e Partisë Demokratike.
Dhe dua t’i uroj mirëseardhjen edhe para publikut shqiptar dy ekspertëve më në zë të Konrad Adenauer dhe  Unionit Kristian Demokrat gjerman, z. Mathias Hübscher dhe Matthias Schäfer.
Ekspertë të ekonomisë dhe financave që gjatë muajit të fundit kanë qenë pjesë e diskutimeve me ekipin tonë për programin e Partisë Demokratike dhe gjatë dy ditëve të fundit, me këtë ekip që shikoni këtu në sallë dhe të tjerë që nuk ndodhen këtu në sallë, kanë diskutuar në detaje për projekt-programin, për alternativën e Partisë Demokratike.
Kam marrë komente shumë pozitive nga diskutimet e bëra me ekspertët tanë, dhe të dy ekspertët e lartë gjermanë janë shprehur me optimizëm për ofertën tonë programore, për alternativën tonë.
Projekti i programit tonë i përgjigjet sfidave me të cilat përballet Shqipëria, përmes parimeve më të mira të Partive të Qendrës së Djathtë Europiane, e në veçanti të CDU të drejtuar me sukses nga Kancelarja Merkel.

Rikthim i besimit tek politika si instrument ndryshimi

Ne ndamë të njëjtin qëndrim dhe orientim me ekspertët gjermanë se duhet të rikthejmë besimin tek politika si instrument ndryshimi për jetën e qytetarëve, besimin tek institucionet e demokracisë, besimin tek liria, besimin tek nisma e lirë, si domosdoshmëri për të rikthyer rritjen e fuqishme ekonomike, si i vetmi gjenerues i mirëqenies, punësimit dhe zhvillimit.
Për kthimin e besimit është folur gjatë me ekspertët tanë, kemi folur gjatë së bashku. Dhe unë vlerësoj në radhë të parë këshillën më kryesore të miqve tanë, të dy ekspertëve: jo premtime boshe, jo shumë e për lumë, e të rrejshme ashtu siç bëri dhe vazhdon çdo ditë qeveria aktuale. Ndaj, angazhimet tona programore janë vetëm realiste, konkrete, të matshme dhe të bëshme.
Kemi diskutuar dhe punuar prej muajsh intensivisht, mes nesh, me grupet e interesit, me qytetarët anembanë Shqipërisë dhe së fundmi edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti këto ditë me partnerët tanë gjermanë, për të hartuar një program të zhvillimit ekonomik që është pjesë e një programi tërësor, që përcakton mënyrën dhe mjetet, burimet financiare sesi do të arrihen objektivat tanë, dhe se si do të mbajmë angazhimet që marrim përpara qytetarëve.
Ky është rasti për të theksuar se ne besojmë tek modeli i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social, zbatuar me sukses në Gjermani nga partnerët tanë politikë nën drejtimin e Kancelares Merkel dhe po adoptojmë në programin tonë elementë të këtij koncepti, të arsyeshëm për realitetin shqiptar.
Për ne, tregu i lirë me një komponent të fuqishëm social është më shumë sesa një model ekonomik; përfaqëson një model organizimi të shoqërisë, pra një rend shoqëror ku krijohet hapësira për të zhvilluar shpirtin krijues, krijohet hapësira ku çdokush përmes lirisë që ofron ky model të mund të shfrytëzojë për përfitimin e tij dhe të familjes së tij në maksimum aftësitë dhe mundësitë që i jepen dhe ku dinjiteti njerëzor prevalon mbi ndërhyrjen dhe arrogancën, arbitraritetin e shtetit.

Më shumë liri, më pak shtet

Më shumë liri, më pak shtet. Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin.
Nga liria, sigurisht e lidhur me përgjegjësinë merr forcë ky model i ekonomisë së tregut me një komponent të fuqishëm social dhe shtyllat e tij janë: konkurrenca dhe solidariteti.
Këtu në këtë model, njerëzit e kanë të mundur të jetojnë të pavarur dhe po të pavarur të marrin vendime dhe të zgjedhin mënyrën dhe rrugët për suksesin e tyre, për përfitimin e mjeteve të jetesës për vete, për familjen e tyre dhe për të tjerët që kanë nën përgjegjësinë e tyre.
Ky model i lirisë, po kështu nënkupton një qeverisje të përgjegjshme, e cila iu mundëson shtetasve të saj konkurrencë të hapur dhe të ndershme në bazë të shtetit ligjor; pa monopole, një shtet anti-monopolist, një shtet në terma ekonomikë, shpall armiqësinë totale me monopol të hapur apo të fshehur. Po kështu, një shtet që siguron akses të lirë në sipërmarrje private, mundësinë që çdo qytetar të kyçet drejtpërsëdrejti apo si i punësuar në sipërmarrjen private, që mbron dhe zhvillon lirinë kontraktuale, që eliminon barrierat administrative dhe i mbron qytetarët nga barrierat administrative, sigurinë e pronës dhe sigurinë e jetës.
Partia Demokratike ka besuar prej ditës së saj të parë tek shpirti sipërmarrës i njeriut në liri si forca më e madhe lëvizëse në shoqëri. E ky është rasti të ripohojmë këtë besim bazë që na mbledh së bashku, ne besojmë tek shqiptarët, tek të rinjtë, tek të rejat, tek burrat dhe gratë në qytet dhe në fshat. Ne besojmë tek përgjegjësia e tyre për të marrë përsipër me lirinë e plotë vendimet që iu takojnë për të zhvilluar ekonominë personale, familjare dhe komunitare dhe për të marrë përsipër edhe rrisqet bashkëshoqëruese.
Që këto sipërmarrje të iniciativës së lirë të jenë të suksesshme është e domosdoshme zgjerimi i hapësirës së lirisë me një kuadër ligjor sa më të thjeshtë, zbatuar me ndershmëri dhe pa diskriminim, pa diferencim, midis nënës dhe njerkës, midis demokratëve dhe socialistëve, me infrastrukturë moderne, me akses në rrjetet e informacionit, me energji elektrike, hidrokarbure, të garantuar dhe të lirë, mundësi për arsim cilësor për të gjithë të lidhur me punësimin, sipërmarrjen dhe tregun.
Për ne kjo arrihet përmes një shteti të vogël dhe efikas, jo të madh dhe zullumqar, shërbëtor të qytetarëve dhe të sipërmarrjes, jo padronë të çdo frymori në Shqipëri. Në këtë kuptim paratë kanë më shumë vlerë nëse investohen me kurajo dhe krijimtari nga njerëzit e lirë, sesa nëse mblidhen me lopatë nga një shtet zullumqar, jo transparent dhe vetë shërbyes. Sepse në fund të fundit janë njerëzit ata që krijojnë punësim, ofrojnë shërbime, sjellin zhvillim, sjellin mirëqenie.
Ndaj, tatimet dhe taksat e qeverisë tonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta; taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit: buzëkuq, fasada, makina luksi, orendi, zyra, shpenzime marramendëse për udhëtime, dieta pa fund, etj., etj; abuzime që sot i kushtojnë çdo vit buxhetit të shtetit 100-130 milionë dollarë e barabartë me 50 mijë vende pune me rrogë minimale 300 mijë lekë në muaj, për një vit. 300 mijë lekë në muaj për 12 muaj, 50 mijë shqiptarë mund të paguheshin me paratë e shpenzuara kot nga kjo qeveri.
Në këtë mënyrë taksat dhe tatimet nuk kthehen në një barrë, në një mallkim, në një kosto, por në një investim të qytetarëve për veten e tyre dhe shteti ka detyrën që këtë investim ta shumëfishojë në shërbim të qytetarëve.
Këto janë parimet më të mira të CDU-së. Këto janë dhe parimet që udhëheqin edhe programin tonë. Dua të falënderoj nga zemra edhe një herë ekspertët e CDU-së dhe të Fondacionit Konrad Adenauer për punën e bërë me ne, dhe për vazhdimin e saj deri në përfundimin e këtij projekti së shpejti.

Exit mobile version