Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot në Parlament se kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka rënë prej vitesh në rrjetën e hetimit të pastrimit të parave dhe imuniteti i deputetit nuk e mbron dot më. Basha përmendi edhe një lidhje të Ballës me një prej të akuzarve të Prokurorisë së Elbasanit, i cili ndodhet në Rumani, duke nxjerrë një dokument në foltoren e Kuvendit.
“Edi Rama nga të gjithë njerëzit që mund të zgjidhje në Partinë Socialiste dhe grupin tënd parlamentar për të bërë furtunën e radhës në gotë me qëllim që t’i ikësh pyetjeve që nuk i jep dot përgjigje për Saimir tahirin tënd, për Habilajt, për Balilajn, për vëllain e ministrit tënd të Brendshëm, për llogaritë off shore për të cilat të ka akuzuar OSBE.
Nga të gjithë që zgjodhe, i vure gishtin këtij. Nuk e di apo nuk do ta dish që ky ka rënë në rrjetën e hetimit për pastrimin e parave prej vitesh dhe nuk e mbron dot as imuniteti parlamentar dhe as fjalimet e stisura këtu. Mjafton të kishte pyetur drejtorin tënd të policisë se çfarë ka bërë ky para një muaji me një nga të akuzuarit zyrtarisht nga Prokuroria e Elbasanit, në Rumani”, u shpreh Basha.