Kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka denoncuar me shifra konkrete dje se si çmimet e shitjes së teksteve shkollore për klasën e parë janë rritur me 33%, kosto kjo që rëndon buxhetet e familjeve shqiptare krahas nivelit të ulët ekonomik, taksave të rritura e papunësisë. Përmes një reagimi të shpërndarë në media, Basha solli dy shembuj krahasues se si janë rritur çmimet e tekstet shkollore për vetëm klasën e gjashtë, duke sjellë në vëmendje çmimet për vitin shkollor 2012-2013 dhe të vitit të kaluar 2015-2016, sipas shifrave rezulton se çmimet e teksteve shkollore janë rritur me 23%.
“Mijëra prindër dhe nxënës vazhdojnë radhët e gjata për tekstet shkollore anembanë vendit. Jemi vendi i vetëm në rajon ku librat për shkollimin e detyrueshëm jo vetëm nuk jepen falas, por janë shtrenjtuar çdo vit.
Dy shembuj: paketa e librave të detyrueshëm për klasën e parë është shtrenjtuar me 33% këto 4 vjet, nga 11 mijë e 790 lekë në vitin shkollor 2012-2013 në 17 mijë e 760 lekë në vitin shkollor 2015-2016.
Për të njëjtën periudhë, paketa e librave të detyrueshëm për klasën e gjashtë është rritur me 23 për qind, nga 38 mijë e 70 lekë në 48 mijë e 920 lekë” është shprehur kreu i PD.
Kreu i PD, Basha denopncoi rrënimin dhe shpërfilljen ndaj sistemit arsimor në vend ndërsa edhe njëherë bëri thirrje dhe theksoi rëndësinë e shpërndarjes së teksteve shkollore për arsimin e detyrueshëm.
“Kjo rritje çmimesh ka rritur barrën ndaj prindërve, e cila rëndon edhe më shumë sepse të ardhurat reale mesatare të familjeve shqiptare kanë rënë prej inflacionit dhe ngrirjes së pagave.
Shpërfillja e arsimit është dëm i pariparueshëm për të ardhmen e vendit. Librat për arsimin e detyrueshëm duhet të jepen falas dhe të shpërndahen nga vetë shkollat. Për këtë, mjafton që qeveria të investojë për libra dhe mjete shkollore paratë që çon për fasada ministrish dhe luks qeveritarësh”, thotë Basha.
Rritja e çmimeve nga Ministria e Arsimit
Çmimet e teksteve të reja, të cilat iu nënshtruan procesit të vlerësimit nga Ministria e Arsimit dhe Sportit për vitin shkollor 2017-2018, propozohen nga subjektet dhe vlerësohen nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, sipas metodologjisë së mëposhtme: Çmimet e teksteve dorëzohen nga subjektet në MAS, në zarf të mbyllur, sipas udhëzimeve përkatëse dhe i nënshtrohen procesit të vlerësimit. Pas përfundimit të afatit të dorëzimit dhe vlerësimit të teksteve, Komisioni i Vlerësimit të Teksteve Shkollore, i ngritur në MAS, në prezencë të shtëpive botuese apo subjekteve, bën hapjen dhe leximin e çmimeve të propozuara për tekstet nga subjektet dhe një kopje të procesverbalit të hapjes e vë në dispozicion të palëve pjesëmarrëse në proces. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit dhe renditjes së teksteve, për tekstet që rezultojnë fituese, MAS bën përllogaritjen dhe vlerësimin e çmimit mesatar aritmetik, ose çmimit tavan të teksteve të miratuara. Çmimi mesatar aritmetik ose çmimi tavan përllogaritet si shumatore e çmimit të teksteve fituese për një tekst të caktuar, pjesëtuar me numrin e teksteve fituese. Ky çmim tavan aplikohet për ato tekste, për të cilat çmimi i propozuar nga subjekti e tejkalon çmimin tavan, ndërsa për tekstet e ofruara me çmim poshtë çmimit tavan do të shiten me çmimin e ofruar nga subjekti.
Shqetësimi i prindërve
Janë vet prindërit ata që ngrejnë shqetësimin, ndërsa deklarojnë se këtë vit pavarësisht deklaratave të Ministrisë së Arsimit se çmimet do të jenë po të njëjtat, ndihet një rritje e ndjeshme e tyre. Ndryshe nga sa ishte lajmëruar nga Ministria e Arsimit, shitja e librave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme nis ditën e hënë. Ndërkohë shkollat kanë afishuar listat me librat që prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve dhe çmimin përkatës që varion nga 1,825 lekë për klasat e para në 4.295 lekë për klasat e 9. Por edhe pse çmimi i shitjes nuk ka ndryshuar për shumë prej librave krahasuar me vitin e kaluar, të afërmit e nxënësve shprehen për mediat se çmimet aktuale janë të larta dhe të papërballueshme. “Librat shkojnë 60 mijë lekë. Ka dhe shpenzime të tjera, jo fletore, jo lapsa, mjete të tjera, domethënë 100 mijë lekëshi, dhe i bie barabartë me 2/3 e pensionit tim. Është e vështirë për t’u përballuar, do rrimë pa bukë, t’i japim fëmijës librin”, shprehet një qytetar. Shumica e familjeve shqiptare, këtë çmim të librave zor se e përballojnë. Shpërndarja e librave në pikat e librarive pranë shkollave ka përfunduar tashmë dhe pritet pajisja e nxënësve, të cilët nisin në datë 11 shtator vitin e ri shkollor.