Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi gjatë fjalës së tij në Kuvend se Policia e Xhafës po ushtron terror ndaj dëshmitarit X që u përgjua me Xhafën dhe familjen e tij.
Duke folur në parlament, Basha është shprehur se ‘Agron Xhafa nëpërmjet vëllait ministër, Fatmir Xhafajt ka emëruar drejtorin e Policisë së Shtetit dhe atë të Vlorës.
Pas publikimit të videos e gjithë policia e Vlorës është vënë në kërkim të “bashkëpunëtorit X”. Kjo provon ekzistencën e tij dhe të vërtetësisë së audio-përgjimit.
Sot pasuritë e familjes Xhafaj duhet të ishin në hetim sipas ligjit Antimafia por dje Agron Xhafaj është përcjellë në Itali fshehtas dhe me urgjencë’, është shprehur gjatë fjalës së tij kreu i opozitës, Lulzim Basha.
Pjesë nga fjala e Bashës në Kuvend
Prej 9 ditësh shqiptarët dhe opinioni ndërkombëtar kanë dëgjuar fakte të pranuara edhe nga vetë Fatmir Xhafaj. Fakti se Agron Xhafaj u kap në një operacion ndërkombëtar të trafikut të drogës nga policia italiane dhe DEA amerikane, u mohua për vite me radhë.
Fakti se Agron Xhafaj është dënuar me vendim të formës së prerë 7 vjet e dy muaj për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal u mohua 5 vite dhe u pranua sot.
Fakti se ai i ka ikur drejtësisë dhe ka pasur avokat të pajtuar vetë por ka vendosur ti ikë ti bëjë bisht drejtësisë. Është fakt se Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Është fakt se deri para dy ditësh deri dje Agron Xhafaj ishte në Vlorë.
Është fakt se ndërroi identitetin e tij në Geron. Është fakt me zë dhe figurë se e vazhdon trafikun kriminal të trafikut të drogës.
9 ditë pas asnjë përgjigje pa asnjë qëndrim dhe dje papritur Agron Xhafaj niset fshehtas dhe me urgjencë në Itali jo siç ekstradohen të dënuarit me pranga në duar dhe të shoqëruar, por me avionin e linjës dhe u përshëndet me qetësi me policët dhe hipi në avion.
5 vjet pa i hyrë gjemb në kokë dhe pasi u konfirmuan faktet si kokën e krimit të organizuar në Vlorë përcillet me mallëngjim në Itali. Çfarë fshihet pas kësaj ngjarje pas kësaj ngutjeje? Policia duhet ta kishte ndalur, prokuroria duhet ta kishte hetuar, por Policia ka marrë një urdhër nga vëllezërit Xhafaj.
Prej 72 orësh dëshmitari X dhe familja e tij janë nën presionin e dyfishtë të bandës Xhafës dhe presionit e terrorit policor. E gjithë policia është vënë pas familjes së dëshmitarit dhe vetë atij.