Basha thirrje deputetëve: Mbështesin amendamentet pro SPAK dhe kundër korrupsionit! Sulmet e Ilir Metës? – ‘Performancë e mjerueshme’

Para nisjes së seancës parlamentare, kryetari i PD, Lulzim Basha i ka bërë thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin amendamentet e tij për SPAK dhe organet e tjera të drejtësisë.

PRONONCIMI PËR MEDIAT I KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA, NË OBORRIN E KUVENDIT

“Edhe një herë në emër të Partisë Demokratike dua të dënoj sulmin ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj, e t’i kërkoj autoriteteve shtetërore që përtej retorikës politike të veprojnë menjëherë për të vënë para përgjegjësisë autorët. Kjo nuk është thjesht çështje e një gjyqtari individual, ky është një sulm kundër drejtësisë. Çdo justifikim apo relativizim tregon gjendjen e prishur mendore të atyre që e kanë humbur fillin që kur kanë humbur kontrollin mbi drejtësinë. Çdo gjyqtar, çdo prokuror, çdom punonjës i gjyqësorit duhet të mbahet përgjegjës në standartet më të larta tëb mundshme sipas ligjit dhe Kushtetutës nga institucionet përkatëse. Por aktet e tilla duhet të dënohen pa ekuivok nga të gjithë faktorët politik dhe me përgjegjësi shoqërore. Dhe jo vetëm kaq, por duhet të vendosen para drejtësisë si çështje prioritare të gjithë ata që mendojnë se mund të kërcënojnë apo godasin punonjësit e sistemit gjyqësor. Shpreh po kështu jo vetëm keqardhjen por edhe indinjatën e thellë që këto sulme vijnë edhe në një atmosferë politike të karikuar me gjuhën e urrejtjes ndaj gjyqësorit, ndaj institucioneve të drejtësisë dhe t’i bëj thirrje të gjithë atyre që edhe sot e kësaj dite e vazhdojnë këtë gjuhë urrejtje të ndalin menjëherë sulmet kundër drejtësisë dhe çdo çështje që ka lidhje me ligjin, ta trajtojnë brenda forumeve të organeve të drejtësisë. Kjo nxjerr dhe njëherë në pah nevojën e ngutshme për një mbështetje totale ndaj organeve të drejtësisë dhe në veçanti ndaj atyre që luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ndaj sot dua të bëj një thirrje për të gjithë pa dallim politik, pavarësisht prej rekordeve që kanë në raport me SPAK-un dhe mbështetjen ndaj SPAK-ut, të mbështesin amendamentet e propozuara nga Partia Demokratike e Shqipërisë, të depozituara tashmë në parlamentin e Shqipërisë të cilat bëjnë të mundur që SPAK-u, BKH-ja dhe të gjithë institucionet e drejtësisë të cilat janë të ngarkuara me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të kenë resurse të mjaftueshme dhe të kenë të gjithë kuadrin ligjor për të plotësuar detyrën e rëndësishme që u është ngarkuar nga Republika. Në veçanti kjo merr një rëndësi të veçantë, në kohën kur bota mbarë po tregon me gisht korrupsionin e qeveritarëve aktual si plagën më të madhe të shoqërisë dhe të ekonomisë shqiptare dhe pengesën kryesore për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.”

Pyetje: Si i patë sulmet e Metës?

Basha: As nuk i pashë fare. Miqtë me të cilët isha në Itali qeshën me performancën e mjerueshme. Nuk presim asgjë as nga ai, as nga të tjerët, zëdhënësin e të cilit ai bën. Kjo kastë e vjetër politike e ka problemin jo thjesht me Bashën, por me modelin që ne përfaqësojmë që është fundi i lojërave 34 vjecare në kurriz të shqiptarëve dhe është një fytyrë njerëzore.

IMG 20240429 WA0031

Exit mobile version