Basha uron Kryepeshkopin e ri të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë: Zoti i dhëntë bekime

Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar Imzot Joan Pelushin, për zgjedhjen e tij si Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë nga Sinodi i Shenjtë i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Basha vlerëson përkushtimin dhe shërbimin e gjatë të Kryepeshkopit Joan, duke e cilësuar zgjedhjen e tij si një dëshmi të rrugëtimit fisnik që ka bërë në rindërtimin shpirtëror të Kishës dhe udhëheqjen e saj me urtësi dhe përkushtim.

“Zoti i dhëntë bekime dhe fuqi në këtë mision të shenjtë për të ndriçuar shpirtrat e besimtarëve dhe për të udhëhequr Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë drejt një të ardhmeje të ndritur!” – shkruan Basha.

Mesazhi i Lulzim Bashës:

Urimet më të përzemërta Fortlumturisë së Tij, Kryepeshkopit Joan, në udhëheqjen e Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Zgjedhja e tij nga Sinodi i Shenjtë, është fryt dhe dëshmi e përkushtimit të tij prekës, i shërbimit të urtë dhe të dhembshur, përgjatë rrugëtimit të tij unik dhe fisnikërues në shërbimin baritor dhe rindërtimin shpirtëror të Kishës.
Zoti i dhëntë bekime dhe fuqi, në mbajtjen e barrës me të cilën u ngarkua, për të udhëhequr Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë dhe për të mëkuar e ndriçuar shpirtrat e besimtarëve dhe shërbëtorëve të Zotit.

Exit mobile version