Basha uron Mark Rutte: Shqipëria anëtare krenare e NATO-s, anëtarësimi i Kosovës kontribut për stabilitetin dhe të ardhmen euroatlantike të rajonit

Kreu i demokratëve euroatlantik, Lulzim Basha, ka uruar Mark Rutten për zgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm të NATO-s.

Në rrjetin social X, Basha shkruan se lidershipi i ri dhe vizioni i tij për rolin e Aleancës në sigurimin e paqes dhe mbrojtjes së demokracisë, janë të rëndësishme për sigurinë kolektive dhe stabilitetin global.

Ai gjithashtu shprehet se Shqipëria si anëtare e NATO-s, qëndron fuqishëm krah Ukrainës kundër agresionit Rus dhe krah Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në NATO.

Urimi i Bashës:

Urime Mark Rutte për zgjedhjen e tij si Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s. Kredencialet e tij lidershipi euroatlantik dhe vizioni i qartë për rolin e Aleancës në sigurimin e paqes dhe mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë janë të një rëndësie vendimtare në këtë moment jetik për sigurinë tonë kolektive dhe paqen dhe stabilitetin global.

Si një anëtare krenare e NATO-s Shqipëria është e përkushtuar të qëndrojë fuqishëm pranë Ukrainës deri në humbjen e pakushtëzuar të luftës kriminale të agresionit të Putinit dhe në promovimin e rrugës së Kosovës drejt anëtarësimit të plotë në NATO, si një kontribut i domosdoshëm për stabilitetin dhe integrimin e plotë euroatlantik të të gjitha vendeve të Evropës Juglindore.

Exit mobile version