Kreu i PD, Basha dënoi me ashpërsi dje vendimin e gjykatës për lirimin e bandës “Hakmarrja për Drejtësi”, ndërsa e cilësoi vendimin si një urdhër politik të Ramës. “Kur i ngelen edhe pak muaj në pushtet, Edi Rama ka arritur t’i sigurojë lirinë organizatës më kriminale në vend, Hakmarrjes për Drejtësi. Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit është thjesht një zbardhje e urdhrit të Edi Ramës. Nuk ka asnjë dyshim, që është ai pas kësaj goditjeje të rëndë ndaj ligjit dhe rendit. Siç e denoncoi edhe ish-ministri i tij i Drejtësisë, Edi Rama urdhëron gjyqtarë me telefon, i sulmon ata me ulërima, gjurmon në mënyrë ta paligjshme zyrtarët e drejtësisë. Pra, ai dikton vendime. Dhe sot, kur organizata që ka kryer dhjetëra krime merr pafajësinë, ai hesht si guak. Dhe do të heshtë, me siguri s’ka për të thënë asnjë fjalë. Heshtja e tij gjendet në trojet e Tiranës të bëra pallate kur ai ishte kryetar bashkie me këtë bandë, heshtja e tij fsheh synimin për të vazhduar bashkëjetesën me krimin, qëllimin e tij për të dhunuar zgjedhjet që po vijnë. Pas lirimit të Lul Berishës në Durrës, moskapjes së Klement Balilit në Sarandë, dërgimit në spitalin e burgut të Emiljano Shullazit në përgatitje për ta liruar nga burgu në Tiranë, lirimi i Hakmarrjes për Drejtësi ka konsoliduar një front të pastër kriminal të kontrolluar dhe në shërbim të Edi Ramës. Sepse vetëm kështu mund ta mbajë pushtetin. I bëj thirrje qytetarëve shqiptarë të ngrihemi kundër krimit. Ju bëj thirrje partnerëve të huaj të vlerësojnë seriozisht rrezikun e madh që ka jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për vendet e tyre, sundimi i krimit dhe kapja totale e shtetit nga krimi i organizuar në Shqipëri. #NgrihemiBashkë kundër krimit dhe qeverisë së Edi Ramës më #18shkurt”, thuhet në reagimin e Bashës.