“Lojë kukafshehti, shkelje të Kushtetutës dhe thellim të zullumit”, kështu e cilësoi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, vendimin e mazhorancës në Parlament, për të kthyer për rishqyrtim dosjet e kandidatëve për institucionet e vettingut tek Avokati i Popullit. Kryetari i opozitës tha se qeveria teknike dhe zbatimi i vettingut sipas Kushtetutës, është vendimi i patjetërsueshëm i Partisë Demokratike. Vendimin e Parlamentit për të kthyer për rishqyrtim dosjet e kandidatëve për institucionet e vettingut tek Avokati i Popullit, kryetari i Partisë Demokratike, Luzim Basha e cilësoi lojë dhe shkelje të Kushtetutës nga ana e mazhorancës, ndërsa tha se qeveria teknike është zgjidhje për vendin. “Lojëra kukafshehti, shkelje të Kushtetutës, thellohet zullumi. Qeveri teknike që u hap rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe zbatimit të vettingut sipas Kushtetutës. Pozicioni ynë është i qartë, kushtetues, kombëtar, demokratik dhe europian”, tha Basha. Kryetari Basha tha se PD nuk do të pranojë kurrë pushtet në tavolinë. Basha: “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë themeli i demokracisë së vërtetë. Kjo betejë nuk bëhet për PD, nuk bëhet për opozitën shqiptare, por për çdo shqiptar dhe shqiptare, si dhe brezat që do të vijnë. Nuk duam dhe nuk do të pranojmë kurrë pushtet në tavolinë, duam zgjedhje të lira dhe të ndershme përmes një qeverie të palidhur me krimin dhe të palidhur me drogën”.