Basha vijon turin në Washigton, takim me Darrell Issa: Diskutime për korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe emigrimin

Kryetari i Partisë Demokratike-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, zhvilloi një takim me kongresmenin amerikan Darrell Issa, një nga kandidatët kryesorë për Kryetar të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.

Në fokus të bisedës ishin situata në Shqipëri dhe rajon, lufta kundër korrupsionit, lidhjet mes politikës dhe krimit, emigracioni dhe sfidat e sigurisë, veçanërisht në Kosovë dhe NATO, përballë agresionit rus në Ukrainë.

Issa vlerësoi vizionin e Bashës për zhvillimin ekonomik, teknologjinë dhe transparencën, duke mbështetur angazhimet për forcimin e qeverisjes dhe rritjen e inovacionit.

Postimi i plotë i Bashës:

Kënaqësi të bisedoja me kongresmenin Darrell Issa, kandidatin kryesor për Kryetar të ardhshëm të Komitetit të Punëve të Jashtme të Kongresit.

Me kongresmenin Issa, një figurë e njohur në politikën amerikane dhe aktualisht anëtar i Komitetit të Drejtësisë dhe Komitetit të Çështjeve të Jashtme në Kongres, biseduam për situatën në Shqipëri dhe në rajon, me theks të veçantë te lufta kundër korrupsionit, lidhjet e politikës me krimin dhe emigrimin.

Si një zë i fuqishëm për qeverisje të vogël dhe për mbështetjen e sipërmarrjes dhe inovacionit në SHBA, Issa mirëpriti vizionin tonë të shndërruar në plan qeverisës për zhvillimin ekonomik, përgatitjen e brezit të ri në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, luftën kundër korrupsionit dhe rritjen e transparencës.

Siguria në rajon dhe sfidat me të cilat po përballet veçanërisht Kosova, si pasojë e politikës së Beogradit të mbështetur nga Moska dhe sfidat e NATO-s përballë agresionit rus në Ukrainë ishin gjithashtu temë e bashkëbisedimit.

Exit mobile version