Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha së bashku me deputetë të opozitës ishin në Spitalin e Traumës ku vizituan efektivin e policisë, Nikolin Gjergji, plagosur në krye të detyrës. Basha pas daljes nga spitali u shpreh për mediat se, Partia Demokratike mbështet plotësisht çdo efektiv të Policisë së Shtetit në krye të detyrës në përballje me krimin.
“Ndodhem këtu bashkë me bashkëpunëtorët e mi, për të vizituar efektivin e plagosur sot në krye të detyrës, Nikolin Gjergjin. Dua të falënderoj mjekët për punën e shkëlqyer që kanë bërë. Ndaj me ju lajmin, se Nikolini është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr kujdesin e duhur shëndetësor”, u shpreh Basha.
Më tej Basha tha se, mbështetjen time të plotë dhe të gjithanshme për çdo efektiv të Policisë së Shtetit në krye të detyrës. “Si kryetar i opozitës, si kryetar i Partisë Demokratike dua të përsëris, të konfirmoj mbështetjen time të plotë dhe të gjithanshme për çdo efektiv të Policisë së Shtetit në krye të detyrës, në përballje me krimin në zbatimin e ligjit, Policia e Shtetit, efektivët e Policisë së Shtetit kanë patur, kanë dhe do të kenë gjithmonë mbështetjen dhe përkrahjen time totale, mbështetjen dhe përkrahjen totale të Partisë Demokratike”, tha Basha.
Basha tha se, beteja me krimin është e rreptë tani që krimi ka pushtet politik. “Beteja me krimin është një betejë e rreptë, e ashpër, është një betejë në kushte të pabarabarta tani që krimi ka pushtet politik, por bashkë me efektivët e ndershëm të Policisë së Shtetit dhe me gjithë qytetarët e ndershëm shqiptarë ne do t’ia dalim së pari, të presim lidhjet e krimit me politikën, dhe së dyti, të mposhtim krimin me forcën e hekurt të ligjit”, përfundoi Basha.