Kryetari i PD, Lulzim Basha vizitoi sot në spital të plagosurit nga shpërthimi i rafinerisë së naftës në Ballsh. Basha shprehu keqardhje për këtë ngjarje dhe theksoi se, solidarizohet me humbjen dhe dhimbjen e familjes së viktimës, Shkëlqim Muça, ndërsa nga ana tjetër pohoi se PD do t’i shkojë deri në fund kësaj çështje për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Ndër të tjera Basha ngriti shqetësimin e naftëtarëve dhe kushteve me të cilat ata punojnë. Ai u shpreh se Kryeministri, në vend që të ishte sot këtu, merret me ekspozita.
“Dy prej tyre kanë marrë lëndime të rënda. Dua të falenderoj personelin mjekësor që u kanë ardhur në ndihmë të lënduarve. Doktorët po bëjnë të gjitha përpjekjet në radhë të parë që t’u sigurojnë stablitet dhe dy të moshuarve. Dua t’i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes së viktimës. Dua t’u uroj shërim sa më të shpejtë të plagosurve. Dje ndodhesha në Mallakastër në një takim pak para shpërthimit dhe ku u diskutua në lidhje me naftëtarët.
I sigurova dje dua t’i siguroj dhe sot se, PD do ta ndjekë këtë çështje deri në fund. Kemi ngritur shqetësimet tona për mënyrën jotransparente të këtij privatizimi klientelist të ARMOS dhe kemi dyshime se ku shkojnë këto përfitime pasi ai kishte 6 muaj pa u ndezur. Kemi informacione për shfrytëzim pa kriter të naftëtarëve. Ajo që dua të them sot se keqardhje e madhe të Shkëlqim Muçës si dhe të plagosurve. Do udhëtoj sot drejt Mallakastrës për të parë nga afër situatën, dhe për të vizituar familjen e viktimës. Naftëtarët janë vetëm, ashtu si të përmbyturit. Por kryeministri nuk është sot këtu, por në avion për të ndjekur ekspozitën. Ne jemi këtu për t’u përballur me të vërteta që nuk mund të shihen as me teatër e regji qëndrore”, tha Basha.