– Ju e keni thënë gjithë kohës, por po thoni që edhe ambasadorët… që kritikoni vazhdimisht, ishin bashkë me Ramën?
Të vijmë tek roli i ndërkombëtarëve. Qëndresa jonë ka qenë e fortë dhe e pakompromist kur vinte puna te parimet. Unë kam patur prej ditës së parë e deri në ditën e fundit bindjen se qëndrimi për parimet mbi të cilat është ndërtuar demokracia dhe shteti ligjor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian ia vlente çdo betejë me çdo çmim.
Dhe përballë kemi patur një kundërshtar të egër, i cili e ka përdorur reformën për politikë. Qëllimi i tij ka qenë të denigronte Partinë Demokratike, të krijonte bllokun antireformë apo denigronte PD si një parti që i kundërvihej vlerave dhe propozimeve të BE-së e SHBA-ve dhe ka ndonjë që mund ta ketë besuar këtë fabul, të cilën e pompoi me gjithë fuqinë e propagandës dhe mediave të kapura prej tij. Por çfarë rezultoi në fund fare?! Rezultoi se roli i Partisë Demokratike dhe i imi si kryetar i saj u vlerësuan maksimalisht nga Uashingtoni, nga Brukseli, nga Berlini e më gjerë. Nuk u vlerësua thjesht vota jonë konsensuale në Kuvend, por u vlerësua roli ynë në përmirësimin e draftit, në përcaktimin e amendamenteve kushtetuese ashtu siç u votuan mesnatën e 21 dhe 22 korrikut. U shpreh mirënjohja për Partinë Demokratike dhe këto nuk janë konstatimet e mia.
– A morët një ndjesë ju si person?
Më lejoni ta mbaroj. Këto janë konstatimet, të cilat ju dhe gjitha mediat i kanë botuar. Pra, jo thjesht një kortezi ndaj Lulzim Bashës apo ndaj Partisë Demokratike, por një shprehje mirënjohjeje sepse i njihet Partisë Demokratike roli përcaktues në ndryshimin e një reforme që nisi një projekt për kapjen e drejtësisë, drejt një Kushtetute të re që jep të gjitha mundësitë nëse zbatohet, që të kemi një drejtësi të pavarur, që ndërshkon dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin dhe jep drejtësi për qytetarët. Dhe padyshim që këtu ka patur një debat dhe unë këtë e kam thënë prej ditës së parë.
– A pati atëherë një reflektim nga ambasadorët?
Ka pasur një debat parimor ku Partia Demokratike dhe Lulzim Basha nuk kanë lëshuar asnjë milimetër kur vjen puna tek parimet dhe nuk mund të lëshonim. Askush nuk mund ta priste këtë dhe nuk duhet ta priste.
– Në fakt nuk e prisnim që emri juaj të lakohej në mënyrë të përsëritur?
Pak rëndësi ka ajo. Ku ka debate për parimet edhe mes miqsh, padyshim…
– Kanë qenë deklarata shumë të forta z. Basha…?
Ku hahet bukë ka edhe thërrime. Kur ka patur një punë kaq voluminoze mund të ketë edhe përplasje. Por këto janë të dorës së dytë. Janë të parëndësishme kur bëhet fjalë për interesa madhore dhe afatgjatë siç është drejtësia e pakapur politikisht. Dhe për këtë, siç e thashë, unë, Partia Demokratike dhe opozita ka qëndruar e bashkuar në një front. Sepse lëshimi i çdo milimetri në këtë drejtim nuk do të dëmtonte opozitën. Ne nuk qëndruam për interesat tona. Por do të dëmtonte qytetarët tanë, do të dëmtonte të ardhmen e vendit, do të dëmtonte profilin që Shqipëria duhet të ketë në të ardhmen si një vend që i bashkëngjitet vlerave dhe normave perëndimore mbi të cilat është ndërtuar BE dhe SHBA-të.
Kush është munduar ta pikturojë këtë si një betejë midis Perëndimit dhe Partisë Demokratike ka mbetur thellësisht i zhgënjyer, sepse është vërtetuar se shkolla e Partisë Demokratike, shkolla e Lulzim Bashës dhe shkolla e Perëndimit janë një. Ata që janë zhgënyer, siç e thashë, i përkasin shkollës së Bllokut dhe shkollës së Lanës.
– Mendoni që ky Ilir Meta që keni rivendosur komunikimin mund të jetë një partner fiabël, po përdor një term të Berishës për ju, më 2017?
Tani çështja e komunikimit me Ilir Metën është në një kontekst më të gjerë. Ka patur komunikim me Ilir Metën e ka patur para tij komunikim me Edi Ramën. Patëm një takim mes kryetarit të qeverisë e të kryetarit të opozitës. Kjo sepse Partia Demokratike dhe unë personalisht kemi qenë të vendosur prej fillimit që të kalojmë një reformë me konsensus politik mes të gjitha palëve si një garanci për cilësinë e reformës dhe për qëndrueshmërinë e saj. Pra, që reforma t’u shërbejë sa më mirë qytetarëve dhe përcaktimet e kësaj reforme të kenë një jetë sa më të gjatë. Të mos ndryshohen prapë pas zgjedhjeve me mazhorancën e re. Kam vlerësuar rolin e Ilir Metës në arritjen e konsensusit.
– Ishte një kamerdare shpëtimi…
Jo nuk ishte një kamerdare shpëtimi. Bëri një rol parimor, i bëri një shërbim vendit duke insistuar për konsensusin.
Nuk kishte nevojë askush për kamerdare shpëtimi sepse Partia Demokratike ishte e vendosur, unë isha i vendosur dhe qëndrova deri në fund, derisa konsensusi u arrit për çdo pikë dhe e arritëm falë vlerave dhe parimeve për të cilat qëndruam. E natyrisht falë mbështetjes së faktorit ndërkombëtar, në veçanti të ndihmëssekretares Nuland, komisionerit Hahn, kryetarit të Komisionit të Jashtëm në PE, Elmar Brok, edhe eurodeputetëve Kukan dhe Fleckenstain, e shumë e shumë të tjerë që nuk dua të zgjatem duke i përmendur.
Kështu u arrit konsensusi i 140 votave, por Ilir Meta me rolin e tij dëshmoi një qëndrim parimor në favor të interesave të vendit dhe për këtë e kam përshëndetur. Do të kisha përshëndetur Edi Ramën po të kishte bërë të njëjtën gjë. Nuk bëj opozitë për hir të opozitës. Opozita ime është faktuar se është një opozitë e orientuar tek argumenti, tek faktet, tek provat dhe tek interesi qytetar.
Unë nuk jam kundër Edi Ramës thjesht për të qenë kundër Edi Ramës, por jam kundër gjithçkaje që nën përgjegjësinë dhe orarin e tij si kreu i ekzekutivit shqiptar po rrënon ditë për ditë cilësinë e jetës së shqiptarëve: krizën ekonomike, pasigurinë, faktin që sot shqiptarët fitojnë më pak dhe paguajnë më shumë, pra jetojnë më keq. Për këtë është opozita ime kundër Ramës.
Por në qoftë se Edi Rama në këtë çështje madhore do të kishte mbajtur të njëjtin qëndrim padyshim do të kisha përshëndetur edhe Edi Ramën.
Thënë kjo, për të ardhur tek pyetja, Ilir Meta ka qenë dhe është gjymtyrë e qeverisjes së Edi Ramës. Taksat nuk do të rriteshin dot pa votat e Ilir Metës. Koncesionet korruptive me të cilat miliona euro që duhet të shkonin për pensionistët, për familjet në nevojë, për ujin e pijshëm, për rrugë, për shkolla, për spitale, për të hapur vende pune me paga dinjitoze, për të lehtësuar gjendjen e ekonomisë që është kapur prej fyti për shkak të këtyre taksave, këto koncesione janë bërë nën qeverisjen e përbashkët të Edi Ramës me Ilir Metën. Shqipëria është mbushur me kanabis nga jugu në veri, nga lindja në perëndim në qeverisjen e përbashkët me Edi Ramën dhe Ilir Metën. Këta janë me të vërtetë dy veç e veç, por qeverisin së bashku, secili për hesapin e vet dhe mbajnë përgjegjësi të përbashkët.
Prandaj edhe opozita ime, opozita e Partisë Demokratike, opozita e bashkuar e që po zgjerohet dita-ditës, Ilir Metën dhe Edi Ramën i ka përballë dhe do t’i ketë përballë kur vjen puna tek keqqeverisja e vendit.
Por nuk mund të mos përshëndes rolin e tij për arritjen e konsensusit për një reformë madhore. Siç e thashë do të kisha bërë të njëjtën gjë nëse Edi Rama, në vend të armiqësisë ndaj konsensusit, në vend të dëshirës për ta përdorur Reformën në Drejtësi për të goditur dhe stigmatizuar opozitën, do të kishte shtrirë dorën e bashkëpunimit siç e kishim ne dorën e shtrirë për të bashkëpunuar për këtë çështje madhore.
Faktet janë ato që janë evidentuar tashmë, ngjarjet kanë rrjedhur. Roli i PD-së në këtë proces është vlerësuar universalisht si nga opinioni publik ashtu edhe nga faktori ndërkombëtar. Ndërkohë që ne orientohemi nga prioritete të tjera ku spikat zbatimi i ligjit të dekriminalizimit dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.
– Z. Meta thoshte që ju gënjeni edhe për orën…
Shiko, z. Meta ato që i kam thënë për kandidatët e tij në zgjedhjet lokale nuk i heq asnjë presje.
– Kishit një përplasje shumë të fortë për Pogradecin, Vorën, Lezhën…
E kam të qartë. Asnjë presje nuk heq çfarë kam thënë për kandidatët e z. Meta apo për fushatën lokale të z. Meta.
– Por çfarë ndryshoi që ju u afruat?
Duhet të kuptoni këtë gjë, që në politikën e Lulzim Bashës, në shkollën time politike, nuk udhëhiqem as nga emocionet personale dhe as nga interest personale. Përgjegjësia ime është para shqiptarëve. Jo vetëm para opozitarëve, por para gjithë shqiptarëve. Dhe në këtë kuptim nuk mund të mos çmoja rolin e Metës për arritjen e konsensusit. Por nuk mund të hesht apo të mbyll sytë para rolit në vazhdimësi të Metës në mbajtjen në këmbë të një qeverie të inkriminuar e të korruptuar deri në palcë që është përgjegjëse për një ekonomi të asfiksuar dhe për një jetë më të keqe të shqiptarëve, për çmime më të larta, paga më të ulëta dhe pasiguri totale në vend.
Këto janë dy gjëra të ndryshme dhe unë siç kam bërë prej fillimit di t’i veçoj. Do të kisha bërë të njëjtën gjë, siç e thashë, me Edi Ramën në qoftë se ai do të kishte pasur rolin e tij për të arritur konsensusin dhe jo për ta sabotuar atë. Ai nuk e bëri këtë. Përkundrazi bëri gjithçka deri në çastin e fundit kundër konsensusit. Ndaj vlerësimi im për Metën është një vlerësim objektiv, për këtë pjesë dhe rol që ka luajtur.
– Jemi 10 muaj para zgjedhjeve dhe sfidave të tjera…
Më lejoni ta zhvilloj. Ilir Meta është aleat i Edi Ramës. Ilir Meta është pjesë e koalicionit qeveritar.
– Pikërisht, ishte edhe kur ju bëtë marrëveshje…
Marrëveshja ishte për Reformën në Drejtësi. Bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi ku ftesa për konsensus ishte ndaj të dy partive qeveritare. Tani ju thoni a e shikoni bashkëpunimin me Metën.
Meta bashkëpunon nga mëngjesi në darkë me Edi Ramën. Ministrat e Metës janë në kabinetin e Ramës, votat e Metës janë për keqqeverisjen e Edi Ramës. Këtë keqqeverisje që ka rritur taksat, që ka rritur çmimet, që nuk ka rritur pensionet. Pra, këtu, nuk shtrohet kjo pyetje përsa kohë që Ilir Meta është gjymtyrë e qeverisjes së Ramës, Partia Demokratike e ka përballë për pjesën e tij dhe përgjegjësinë e tij në keqqeverisjen, në krizën ekonomike dhe në pasigurinë në të cilën e kanë zhytur Shqipërinë të dy të bashku.
– Po ajo e sallës VIP?
Dy persona rastisin në të njëjtin ambient ndërkohë që presin të marrin të njëjtin fluturim, por me destinacione të ndryshme. Ekziston edhe praktika e shmangies së njëri-tjetrit, por në kulturën dhe botëkuptimin tim nuk i shmangem askujt, sepse s’kam pse t’i shmangem askujt.
– Por ju sapo kishit bërë një deklaratë për qeveri teknike dhe Meta po dilte nga një sallon masazhi dhe po thoshte se qeveria po punon mirë…?
Por kjo s’ka lidhje se çfarë mendon Ilir Meta.
Nuk e kushtëzon Ilir Meta opozitën. Qeveria teknike është një kusht i shpallur nga unë, nga opozita në protestën e 8 dhjetorit. Nuk e kemi lënë këtë kusht asnjëherë, por Reforma në Drejtësi dhe hapat e tjerë të betejës opozitare bënë që fokusi ynë të mbetej tek këto aktualitete. Me përfundimin e Reformës në Drejtësi të pjesës politike që ka të bëjë me ndryshimet kushtetuese, sepse pjesa tjetër është pjesë ligjore dhe nuk ka aspekt politik, ne i rikthehemi kësaj beteje; betejës për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Kur flasim për qeveri teknike, flasim për një qeveri që disa e quajnë qeveri teknike, qeveri të unitetit apo qeveri të ekspertëve, flasim për një qeveri, e cila në kushtet e mosqeverisjes së vendit, sepse vendi nuk po qeveriset më, vendi ka një pushtet të korruptuar dhe të inkriminuar, por nuk ka shtet më; shteti është dorëzuar para bandave, para drogës, është dorëzuar para keqqeverisjes, para oligarkëve që po plaçkisin ditë për ditë pasuritë e shqiptarëve dhe e gjitha kjo po bëhet me bekimin dhe nën vëzhgimin e Edi Ramës…
– Si do e arrini ju këtë?
Prandaj qeveria teknike, po përdor këtë term, ka 3 detyra kryesore…
– Dakord, por ju si do e arrini këtë?
Po ju them një herë për detyrat që ka. Zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, përfundimi i akteve ligjore dhe nisja e zbatimit të Reformës në Drejtësi, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Këto janë 3 detyrat që ka qeverisja teknike.
Unë kam bërë një ftesë më pak se një javë përpara, për një marrëveshje politike midis të gjithë aktorëve politikë pa përjashtuar dhe paragjykuar askënd që ky të jetë një akt politik konsensual.
Por po kështu e kam bërë të qartë që ndërsa ftesa ime qëndron po kështu jam i vendosur t’i prij me Partinë Demokratike dhe gjithë opozitën e bashkuar një lëvizjeje popullore për të detyruar këtë mazhorancë në numra, por të rënë në legjitimitet, që të pranojë qeverinë teknike si i vetmi shans për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Maj, qershor, korrik, gusht, dogjën katër muaj për themelin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që janë votimi elektronik dhe biometrik, edhe numërimi elektronik…
– Rama jua ka kthyer përgjigjen në fakt…
E bënë me ndërgjegje. Ndaj me shterimin që i bënë kësaj mundësie nuk mbetet asnjë mundësi tjetër që qeveria e drogës, e kanabisit, e oligarkisë, e koncesioneve, e aferave të mëdha me të cilat janë vjedhur qindra milionë euro për t’i rikthyer si mjete shantazhi e blerje votash në zgjedhjet e përgjithshme, nuk ka asnjë mjet tjetër për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme përveç qeverisë teknike. Ky është një kusht i patejkalueshëm. Unë, Partia Demokratike dhe opozita jemi të bashkuar për të realizuar këtë kusht. Meqë pyetët, ka dy rrugë. Njëra është ajo e bashkëpunimit politik. Tjetra është e presionit popullor.
– E bashkëpunimit politik që shkon deri ku? Gjithë spektri?
Njëra është ajo e bashkëpunimit politik, e realizimit nga ana e partive qeveritare që kanë dështuar jo thjesht në aspektet elementare të jetës së njeriut që nga siguria e përditshme, me grabitjet, me vrasjet, me aksidentet, me drogën që shtrihet cep e më cep. Dhe nga ana tjetër, që këtij dështimi të mos i bashkëngjitet një dështim me pasoja katastrofike për demokracinë dhe stabilitetin e vendit që do të ishte zgjedhjet e kapura, të vjedhura e të dhunuara. Prandaj në këtë realizim, të pranojnë bashkëpunimin me opozitën, me të gjithë faktorët politikë në vend, për t’i dhënë vendit një qeveri, e cila do të garantojë zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, përfundimin e Reformës në Drejtësi dhe nisjen e zbatimit të saj dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Nëse nuk ka një reflektim të tillë, që nuk vjen nga dëshira ime, nuk vjen nga tekat e mia. Sepse siç e keni parë konsensusi për këtë vjen e zgjerohet nga dita në ditë, nga anëtarë aktualë të koalicionit opozitar dhe jashtë koalicionit opozitar. Sepse njerëzit e kuptojnë që kjo qeveri që nuk është në gjendje të sigurojë rendin dhe sigurinë publike është totalisht e paaftë, nuk është në gjendje të sigurojë zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe në fakt nuk ka vullnetin për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Por nëse nuk ka një reflektim të tillë, atëherë rruga tjetër mbetet ajo e presionit popullor. Qytetarët në Shqipëri, ashtu si në vendet e tjera të rajonit, nuk do të lejojnë nëpërkëmbjen e instrumentit bazë që ata kanë për të kontrolluar qeverisjen që është vota e tyre e lirë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe ne, unë personalisht do t’i prijmë kësaj beteje deri në fitore.
– Z. Rama ju ka kthyer përgjigje në Facebook dhe e ka refuzuar ftesën tuaj kusht. Po z. Meta, u ka kthyer përgjigje? Meqë e keni biseduar në Rinas…
Dëgjoni, nuk pres përgjigje as në Facebook, as në kafe dhe as në intervista. Unë pres reflektim serioz.
– Por përpara kemi një reformë zgjedhore….
Padyshim. Jam gati që për reformën zgjedhore dhe qeverinë teknike të ulem me të dy bashkëkryetarët e koalicionit dhe me të gjithë faktorin tjetër politik në vend duke përfshirë edhe partitë jo parlamentare, të cilat po kështu kanë vendin e tyre në një tavolinë të tillë. Dhe t’u japim shqiptarëve rrugën e vetme drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, që është një qeveri teknike që të garantojë zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, Reformën në Drejtësi, reformën zgjedhore dhe zgjedhje të lira e të ndershme.
– Duket në fakt kur flisni, pavarësisht se nuk e pranoni asnjëherë një bashkëpunim të ardhshëm me Ilir Metën dhe për faktin që për interesa të vendit flisni për koalicione edhe përtej PD, të gjithëve na lind e drejta të abstragojmë. Por unë dua të veçoj diçka. Gjithnjë Ilir Meta punon me këtë flirtimin majtas e djathtas, si me Ramën dhe me ju, dhe ka dhënë gjithmonë idenë se ai është faktori nga anon pastaj peshorja e zgjedhjeve përtej votave që merren në përgjithësi. Është një praktikë që e përdor vazhdimisht. Në fakt, a mundet Partia Demokratike të futet e të fitojë zgjedhjet pa Ilir Metën?
Partia Demokratike e ka koalicionin me partitë politike, formacioni i të cilave kanë qëndruar këto 3 vite të opozitës ballë për ballë zullumeve të Edi Ramës dhe Ilir Metës, që kanë bashkëqeverisur, që kanë rritur taksat, që kanë zhbërë vende pune në vend që të krijonin ato 300 mijë vendet e famshme të punës.
Që s’kanë bërë një urë, ndonëse kanë mbledhur me kërbaç miliona euro më shumë nga bizneset që i kanë çuar drejt falimentimit. 95 mijë prej tyre i kanë mbyllur, 4 mijë vetëm muajin e kaluar. E kanë shtruar Shqipërinë me drogë nga jugu në veri, nga lindja në perëndim dhe padyshim përgjegjësi kryesor është Edi Rama. Ilir Meta ka bashkëpërgjegjësinë e tij. Asnjë prej këtyre nuk do të ndodhte pa votat dhe mbështetjen politike të Ilir Metës.
Ndaj, Partia Demokratike do të vazhdojë siç ka vazhduar pa asnjë ditë shkëputje opozitën e saj ballore dhe të pandashme ndaj dyshes Rama-Meta. Sigurisht që secili prej tyre ka përgjegjësitë e tij në këtë zullum të madh, në këtë gjendje të papranueshme të rendit dhe sigurisë, të gjendjes së mjerueshme të ekonomisë. Ne i kemi dhënë secilit hakun për aq sa meritojnë, por kjo opozitë do të vazhdojë ndërkohë që Partia Demokratike prej kohësh nuk është më opozita, por edhe alternativa e vendit duke shpalosur programin e saj ekonomik, duke shpalosur rrugën e saj për daljen nga gjendja e tmerrshme ku gjendet sot biznesi shqiptar, rinia shqiptare, shtresa e mesme shqiptare, të papunët shqiptarë, përmes uljes së taksave, përmes injektimit të kapitalit në ekonomi dhe përmes një plani solid që do t’i japë Shqipërisë një ekonomi të fortë, një të nesërme të sigurtë, vende pune me paga dinjitoze. Pra, një Shqipëri ku të jetohet më mirë, të fitohet më shumë e të shpenzohet më pak për të mbajtur në këmbë një qeveri, e cila sot nuk i kthen asgjë qytetarëve nga taksat gjigante që u merr ditë për ditë dhe për të cilat nuk kthen asnjë shërbim.
– Ju keni përmendur protestat popullore që në mars të 2015?
Nuk është zgjedhja jonë të mos bëjmë pushim apo t’i imponohemi njerëzve ditë për ditë. Pushim nuk po bëjnë krimi, pushim nuk po bëjnë grabitjet…
– Më lejoni të citoj Ilir Metën në intervistën e 4 gushtit për “ABC News”: “Unë mendoj se qeveria në tërësi po përpiqet të përmbushë angazhimet e saj”… Kjo është situata që u gjendet përballë…
Pse citoni Ilir Metën sikur po citoni OSBE-në?! Ilir Meta është në bashkëqeverisje me Edi Ramën ndaj kërkon të mbrojë rekordin e një qeverisje ku është bashkëpërgjegjës. Pra, kjo as duhet t’u impresionojë ju dhe as nuk më impresionon mua.
– Por kafet me të janë shtuar…
Çështja kryesore me të cilën media nuk po merret nuk janë kafet, as llafet, por është gjendja e përditshme e shqiptarëve. Pyetja kryesore që duhet të shtrojë një media e përgjegjshme është, a jetojnë shqiptarët sot më mirë se para 3 vitesh? A fitojnë më shumë? A paguajnë më pak? A ka më shumë siguri? A mundet t’i çojnë fëmijët e tyre në kushte më të mira në shkollë? A marrin shërbim shëndetësor më të mirë? Këto janë pyetjet kryesore dhe ky është fokusi kryesor i betejës opozitare. As kafet, as llafet, as frutat dhe as ngjalat.
– Korrikun e kaluar, ju në mbledhjen e grupit parlamentar thatë që “të bëhemi gati që fuqia e zërit e kësaj shumice të ushtojë në sheshet dhe rrugët e qyteteve e fshatrave duke nisur që nga kjo vjeshtë e pa kthim deri në pranverën shqiptare të mposhtjes së oligarkisë”…asgjë nuk ndodhi në fakt…
Asgjë për ju dhe ndoshta për median e Tiranës.
– Të ngelemi tek fjalët që ju me shumë të drejtë thatë që nuk kanë vlerë para rezultatit. Rezultati për një opozitë është aksioni…
Dekriminalizimi është një vepër e aksionit opozitar. Refoma në Drejtësi është një vepër e aksionit opozitar.
– E ndihmuar nga…
Nga faktori ndërkombëtar, nga të gjithë. Por opozita ka qenë në qendër. Pa opozitën kjo nuk do të ndodhte. Pa opozitën sot do të kishte një draft ku Kryeministri do të ishte edhe kryegjykatës. Këto janë faktet. Drafti që shkoi në Venecia me insistimin tonë, nëse nuk do të kishte shkuar atje, nëse nuk do të ishte rrëzuar e të reflektonte 80% të vërejtjeve tona, sot do të kurorëzonte Edi Ramën sulltanin e Shqipërisë. Pra, ka aksion dhe ka rezultat për njerëzit.
– Ju besonit se do të arriheshin 94 votat pa konsensus?
Absolutisht përralla me mbret. Opozita ka qenë e bashkuar dhe unanime. Partia Demokratike ka qenë prej fillimit pro reformës, ka deklaruar votën e saj pro reformës. Ne kemi punuar për reformën. Puna jonë ka qenë voluminoze, rraskapitëse, por rezultative. Si do të dilnim ne të votonim kundër punës tonë?! Nuk ka patur dhe nuk mund të kishte votë kundër reformës se i binte të kishte votë kundër punës tonë.
Ka patur deklarata që filani, x apo y, ka deklaruar votën kundër Bashës. Ashtu i binte që edhe Basha të deklaronte votën kundër Bashës. Unë në fakt kam deklaruar votën pro reformës që prej ditës së parë. Të gjitha këto kanë qenë spekulime në rrafshin e spekulimeve. Sigurisht ka patur debat në PD. Ka patur debate edhe të nxehta, por në fund vendimet janë marrë unanime dhe vendimi unanim ka qenë mbështetur në kushtin tonë të pakalueshëm: konsensus sipas Komisionit të Venecias.
– Z. Basha keni pasur të paktën z. Selami dhe znj. Bregu që kanë folur hapur. Kanë folur me zë dhe figurë…
Ua dhashë shpjegimin. I dola përpara pyetjes tuaj.
– Nuk ka unanimitet në momentin që ju negocioni dhe ata deklarojnë votën…
E keni gabim dhe nuk bazoheni në fakte. Nuk ka asnjë deklarim vote. Deklarimi i votës ka qenë nga Partia Demokratike pro reformës.
– Pra, është normale që deputetë të caktuar shprehen ashtu…
Ua thashë dhe po ua përsëris. Deputetët kanë diskutuar. Diskutime dhe debate ka patur, por vendimet kanë qenë unanime.
– Kur Partia Demokratike do të flasë vetëm me zërin e Lulzim Bashës? Pra, që ju të jeni negociatori dhe zëri i vetëm? Përtej rolit dhe hijes që ka z. Berisha.
Z. Berisha ka një rol si deputet i Partisë Demokratike dhe ka një rol si lideri historik i Partisë Demokratike me të cilin sigurisht, edhe unë si kryetar dhe anëtarë të tjerë të grupit parlamentar këshillohemi dhe përfitojmë nga përvoja e tij.
Vendimmarrja në Partinë Demokratike i takon me të gjitha atributet dhe përgjegjësitë, kryetarit të saj. Pjesa tjetër është në rrafshin e spekulimit mediatik apo spekulimit të kundërshtarëve tanë politikë. Nuk meriton të marrë më shumë kohë se sa hallet dhe problemet e shqiptarëve sepse në fakt ky është edhe qëllimi.
Duke krijuar paradigma, fabula, kush vendos në Partinë Demokratike, si vendoset në Partinë Demokratike, humbet thelbi. Dhe thelbi është që sot hallet e shqiptarëve janë shtuar, ekonomia është në krizë, pasiguria është në rritje.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj kanë zgjidhje për shqiptarët, për një ekonomi të fortë, për një të nesërme të sigurtë, përmes uljes së taksave, rritjes së kapitalit në ekonomi dhe shtypjes së krimit me dorë të hekurt.
Ky është thelbi i debatit sot dhe jo fabulat dhe as ato, llafe me kafe midis Ramës dhe Metës, as ato të shpikura dhe të ventiluara në debatin publik nga spindoktorët e Edi Ramës se kush udhëheq në PD-në. Demokratët e kanë vendosur këtë që prej 3 vitesh e disa javësh. Sepse Sali Berisha vendosi me vullnetin e tij të largohej nga drejtimi i PD-së njëherë e përgjithmonë dhe demokratët zgjodhën kryetarin e tyre, i cili ju ka prirë dhe do t’i prijë çdo beteje deri në arritjen e objektivave tona.
– Në fakt z. Basha, unë nuk ia lejoj vetes të spekuloj dhe zakonisht flas atë që jep politika me figurë, ç’ka keni figurë që z. Lu shkon edhe tek z. Berisha. Kemi me zë dhe figurë z. Meta që thotë se telefonova z. Berisha, por mesa duket le të themi që inercia e paraardhësit vazhdon të ekzistojë.
Nuk jam unë ai që vendos se kë merr në telefon z. Meta apo se ku pi kafe z. Lu. Por unë jam ai që vendos në Partinë Demokratike.
– Pyetja ime e fundit ka të bëjë me zgjedhjet, sepse ju thatë që është moment i rëndësishëm dhe kërkoni edhe qeveri teknike. Por duke parë edhe këtë sistem që kemi, propocional rajonal me lista të mbyllura dhe lëvizjet e partive të vogla, a nuk mendoni se ka ardhur koha për një pakt të madh me PS dhe Ramën në mënyrë që përveçse kandidatëve të pastër, të heqjes të të fortëve nga listat, votimit elektronik, të punoni edhe për një sistem tjetër? Mazhoritar me prim për shembull? Që të mos ndikoheni nga interesi i partive të vogla që zakonisht shkojnë pas pushtetit dhe jo gjithmonë reflektojnë votën e marrë në terren. Është një siklet që partitë e mëdha e kalojnë kur janë në mazhorancë…
Është një siklet, por është një siklet oligarkësh. Është një siklet i atyre që kanë qëllim pushtetin dhe jo qeverisjen. Është një siklet për ata, të cilët kanë braktisur interesat e qytetarëve, qofshin këta në pushtet apo në opozitë dhe kanë vetëm interesat e tyre. Pra, nuk është sikleti im. Është pra, një siklet i Edi Ramës, jo i Lulzim Bashës.
– Pra, ju nuk e keni problem?
Ju them unë se çfarë kam problem. Unë kam problem mospërfaqësimin e qytetarëve. Unë kam problem një Parlament që është mbushur me horra dhe me kriminelë edhe pse amendamentet e 2008 duhet të rrisnin cilësinë e deputetëve dhe të përfaqësimit të tyre. Unë kam problem një klasë politike e në veçanti një qeverisje që ka humbur çdo kontakt me realitetin, ku Kryeministri pas çdo projekti fsheh hajdutërinë e radhës dhe ministrat e ndjekin në mbipasurimin e tyre ndërkohë që populli varfërohet.
Pse? Sepse populli nuk ka përfaqësim dhe përpara popullit nuk ka llogaridhënie.
Ndaj padyshim, përtej zgjedhjeve të lira dhe të ndershme që është prioriteti numër një, jam i vendosur të bëj gjithçka dhe kjo sigurisht do të kërkojë konsensus politik me partitë politike, për t’i dhënë shqiptarëve një sistem përfaqësues ku të ndihen të përfaqësuar nga deputetët që do të shkojnë në Kuvendin e Shqipërisë. Dhe ku deputetët të ndihen llogaridhënës dhe përgjegjës para qytetarëve, të cilëve u kanë marrë votën.
Se si do ta arrijmë, kjo natyrisht mbetet jo thjesht pjesë e diskutimit të ekspertëve për të parë sistemet më të përshtatshme, por edhe pjesë e një vullneti politik që sot qartësisht mungon.
Sot vullneti politik mungon. Vullneti politik sot është që në Parlamentin e ardhshëm, nga ana tjetër e kam fjalën, të shkojnë sa më shumë persona me rekorde kriminale, me xhepat e mbushura me paratë që u kanë grabitur qytetarëve në këto 3 vite, në mënyrë që t’i përdorin për t’u katapultuar apo për të ruajtur pozicionet e tyre të pushtetit dhe për të vazhduar avazin e tyre edhe në mazhorancën e ardhshme. Dhe kësaj ne do t’i ndërvihemi me çdo mjet dhe me çdo çmim.
– E fundit fare. Në shtator çfarë presim nga opozita?
Intesifikim të aksionit opozitar në të gjitha planet. Në planin denoncues, në planin e përballjes me këtë qeveri dhe në veçanti në avancimin e dy kushteve tona për zgjedhje të lira dhe të ndershme: zbatimin e ligjit për dekriminalizimin, reformën zgjedhore dhe qeverinë teknike.