Nga Simon Hadaj
Paradokset e politikës në këtë vend nuk çudisin më askënd, veçse ndonjëherë arrijnë në nivele të tilla absurditeti saqë të lënë me gojë hapur. Një nga këto është ai i Sali Berishës dhe PD-së, të cilët nga mohimi i ndikimit amerikan në politikën shqiptare, kanë kaluar në përpjekje për t’u ankuar po te SHBA për zgjedhjet e fundit.
E gjithë kjo nisi që në vitin 2021, kur Sali Berisha, pas shpalljes “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, nisi një fushatë linçuese kundër Lulzim Bashës. Berisha u vetëshpall sovranist, duke hedhur poshtë çdo ndikim të jashtëm, veçanërisht atë amerikan, dhe duke deklaruar me arrogancë se “nuk do jenë amerikanët që do votojnë në Shqipëri”, se “Amerika nuk ka punë me zhvillimet e brendshme”, se “janë dy SHBA”, njëra e marrë peng nga SOROS dhe tjetra e lirë dhe se “sovraniteti” u fut në axhendën e tij momentale, pavarësisht se çfarë bëri dhe si u soll më pas në raport me Himarën dhe Belerin. Ky diskurs antiamerikan u rimor dhe u artikulua edhe nga mbështetësit e tij mediatik, duke linçuar dhe tallur ambasadorë e zyrtarë të lartë të DASH-it, të cilët i shërbenin regjimit të këtueshëm dhe jo interesave të vendit të tyre.
Më shumë se një qëndrim parimor, ai doli të ishte thjesht një alibi për izolimin ndërkombëtar të Berishës. Kjo u vërtetua pak para zgjedhjeve të fundit, kur propaganda e grupimit të tij ndryshoi tërësisht. Militantët dhe zëdhënësit nisën të shpiknin skenarë për heqjen e “non grata”-s. Fillimisht u tha se ajo ishte hequr, më pas se Berisha do shkonte në SHBA përpara zgjedhjeve. Madje, u paguan 6 milionë dollarë në një përpjekje për lobim, që në fund prodhoi vetëm një postim të një gazetari në platformën X (ish-Twitter), ku pa përmendur ndonjë burim konkret, pretendonte se “kishte pyetur” në DASH dhe se “Berisha mund të udhëtonte” në SHBA. Mirëpo, Berisha nuk udhëtoi për në SHBA se atë natë ishte i ftuar te Fevziu. Pas 3 ditësh u mbajtën zgjedhjet dhe ai i humbi si kurrë më parë, me një rezultat dërrmues dhe turpërues.
Pas gjithë këtyre dështimeve, absurditeti vijon. Tani Berisha dhe të tijtë po deklarojnë se do të ankohen pikërisht te SHBA – të cilën e kishin përjashtuar nga çdo ndërhyrje – për “vjedhjen” e zgjedhjeve. Jo vetëm kaq, por kërkojnë edhe që SHBA të shpallë “non grata” organizata terroriste në Shqipëri (kush janë këto organizata sipas Berishës??). Pra, Berisha, vetë “non grata” kërkon të shpallë të tjerët “non grata”.
Kjo sjellje është edhe tragjike edhe komike, është për të qeshur e për të qarë. Nga njëra anë, pushteti mund të qeshë me absurdin e një opozite që nuk di çfarë kërkon, që mohon dhe pastaj lutet, që tall dhe pastaj përkulet. Nga ana tjetër, demokratët dhe militantët e ndershëm duhet të ndjehen të mashtruar. Sa më shpejt ta kuptojnë këtë realitet, aq më shpejt do kenë shansin të rindërtojnë një opozitë reale, të sinqertë dhe të përgjegjshme. Sepse demokracia ka nevojë për opozitë, por jo për karikatura politike të së shkuarës, të cilët, në pamundësi për ta trembur kundërshtarin, e bëjnë atë për të qeshur.