Bashkëfajësia, banaliteti i së keqes e mosbindja civile

NGA ADRI NURELLARI

Një fantazmë po endet mbi Evropën Lindore fantazma e asaj që në Perëndim quhet “mospajtim”. Kjo fantazmë nuk ka dalë nga hiçi, por është një pasojë e natyrshme dhe e pashmangshme e fazës aktuale historike të sistemit që ajo po sfidon. Kështu e nis Václav Haveli esenë e tij të famshme disidente “Fuqia e të Pafuqishmëve”. Një vepër që i kushtoi katër vjet burg, por që vazhdon të frymëzojë edhe sot, duke qenë tejet aktuale për një Shqipëri të zhytur në abuzim, korrupsion dhe apati shoqërore. Mesazhi kryesor është se regjimet autoritare mbahen në këmbë jo vetëm përmes shkeljes me dhunë, por edhe nëpërmjet një bashkëfajësie të heshtur të qytetarëve, të cilët pranojnë të jetojnë në një realitet të rremë të ndërtuar nga sistemi. Thënë ndryshe, autoritarizmi, mbështetet jo vetëm te forca fizike, por edhe te një iluzion fuqie, i cili mbijeton falë pranimit të heshtur dhe përsëritjes mekanike të atyre ritualeve që e bëjnë sistemin funksional. Eseja e tij nuk ishte thjesht një analizë e sistemit komunist në Çekosllovaki, por një manual politik për të gjithë ata që kërkojnë të sfidojnë autokracinë dhe faktikisht frymëzoi shumë disidentë anembanë bllokut komunist.

Mirëpo koncepti i bashkëfajësisë është trajtuar me hollësi edhe nga të tjerë studiues të shquar, që kanë analizuar faktorët që shkaktuan totalitarizmin në Evropë. Bashkëfajësia është një koncept kompleks që përshkruan mënyrën se si individët dhe shoqëritë, përmes heshtjes së tyre, kontribuojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në ruajtjen dhe forcimin e regjimeve autoritare. Për ta kuptuar këtë dinamikë, është e dobishme të shqyrtojmë së pari studiuesen Hannah Arendt, në veprën e saj të famshme “Eichmann në Jerusalem: Një raport mbi banalitetin e së keqes”. Në këtë libër ajo argumenton se regjimet totalitare mbështeten jo vetëm te liderët e tyre dhe instrumentet e dhunës që ata kanë në dorë, por edhe tek individët që veprojnë si pjesë të një makinerie burokratike pa reflektuar për pasojat morale të veprimeve të tyre. Sipas saj, bashkëfajësia shpesh nuk buron nga urrejtja aktive apo nga qëllime keqdashëse, por nga mungesa e mendimit kritik dhe pranimi mekanik symbyllurazi i rregullave. Ky “banalitet i së keqes” krijon një sistem ku individët bëhen pjesë të një strukture represive, jo për shkak të urrejtjes, por për shkak të zbatimit të urdhrave në mënyrë pasive e rutinore. Raymond Aron nga ana tjetër, në analizën e tij të shoqërive totalitare dhe autoritare, thekson se kompromisi lind jo vetëm nga frika, por edhe nga një inercia shoqërore.

Sipas tij, individët shpesh zgjedhin të mos ngrenë krye ndaj regjimeve, jo sepse i mbështesin ato aktivisht, por sepse rezistenca mund të jetë e kushtueshme, e padobishme, ose thjesht preferojnë stabilitetin e rremë. Kjo formë pasive e bashkëfajësisë mbron rregullat ekzistuese të lojës, duke krijuar një konsensus të heshtur të pavetëdijshëm që mban pushtetet abuzive në jetë. Një argument të ngjashëm jep edhe Friedrich Hayek, në kryeveprën e tij “Rruga drejt bujkrobërisë”, ku thotë se regjimet autoritare lulëzojnë nëpërmjet erozionit gradual të lirive individuale, pasi individët tregohen të gatshëm që të heqin dorë nga liria në këmbim të rehatisë, stabilitetit ekonomik apo sigurisë. Koncepti i bashkëfajësisë është tejet i dukshëm në realitetin shqiptar, ku një pjesë masive e qytetarëve vazhdojnë të mbështesin një qeveri të zhytur në skandale korrupsioni, me përfshirje në krimin e organizuar në nivelet më të larta të pushtetit, dështime të dukshme në ekonomi dhe premtime të pambajtura elektorale. Arsimi dhe shëndetësia janë në rënie të vazhdueshme, infrastruktura mbetet e prapambetur, kostoja e jetesës vazhdon të rritet, ndërsa emigracioni masiv po zbraz vendin nga më të talentuarit, duke e kthyer gradualisht Shqipërinë në një azil pleqsh. Megjithatë, sondazhet dhe rezultatet zgjedhore tregojnë se një pjesë e shoqërisë zgjedh heshtjen dhe pranimin pasiv. Pavarësisht këtyre problemeve, një pjesë e madhe e shoqërisë vazhdon të tregojë tolerancë ndaj kësaj gjendjeje, shpesh për shkak të frikës nga e panjohura, inercisë, mungesës së besimit tek alternativat, ose përfitimeve të vogla klienteliste që i lidhin qytetarët me sistemin ekzistues.

Kjo heshtje apo përshtatje me status quo-në në Shqipëri nuk mund të shpjegohet thjesht me mungesën e një opozite, që është e paaftë për të ofruar një alternativë më të mirë. Fundja, mund të mos të pëlqejë opozita, por nuk ka asnjë arsye për të mbështetur apo pëlqyer një qeveri për të cilën ka pafund fakte kokëforta të keqqeverisjes. Albert Hirschman, në veprën e tij “Largim, Protestë apo Besnikëri” analizon opsionet me të cilat përballen individët nën regjimet autoritare: të largohen nga sistemi, të ngrenë zërin kundër padrejtësive apo të tregojnë besnikëri ndaj sistemit. Ai thekson se bashkëfajësia shpesh buron nga një llogaritje për mbijetesë personale, ku individët zgjedhin heshtjen për të shmangur ndëshkimet, ose sepse besojnë se kundërshtimi është i kotë. Në rastin e Shqipërisë, largimi apo arratisja është masive (duke kapur rekordin si vendi me përqindjen më të lartë të të larguarve në botë), besnikëria po ashtu duket tepër e madhe, ndërsa ngritja e zërit, mjerisht sa vjen e po zbehet.

Ky nënshtrim i heshtur ndaj një realiteti shtypës, qoftë nga frika, apatia, inercia apo përfitimet e vogla personale, është një karakteristikë e përbashkët e të gjitha regjimeve autoritare. Por si mund të thyhet ky rreth vicioz dhe të hapet rruga drejt ndryshimit? Haveli theksonte se fuqia e vërtetë për ndryshim qëndron te refuzimi për të jetuar në gënjeshtër – një akt që, edhe pse duket i vogël, ka potencialin të shembë të gjithë sistemin. Me këtë frymëzim nga Haveli dhe me shpresën te forca çliruese e së vërtetës, po e shkruaj edhe unë këtë shkrim faktikisht. Të jetosh në të vërtetën do të thotë të refuzosh të marrësh pjesë në gënjeshtrën kolektive që një sistem imponon mbi qytetarët. Kjo mund të shfaqet me anë të veprimeve të thjeshta, por domethënëse: një tregtar që nuk pranon të vendosë një poster propagandistik në dyqanin e tij, një punonjës që refuzon të marrë pjesë në një mbledhje të inskenuar për lavdërimin e regjimit, ose një intelektual, që ngre pyetje morale për padrejtësitë e pushtetit, pavarësisht rrezikut të ndëshkimit. Në thelb, ndershmëria dhe guximi moral mund të triumfojnë mbi shtypjen, duke treguar se edhe më të pafuqishmit mund të ndryshojnë historinë nëse zgjedhin që t’i kundërvihen frikës e mashtrimit përmes veprimeve të vogla, por me ndikim të madh.

Ndërkaq, Arendt sugjeron rikthimin e mendimit kritik dhe gjykimit personal. Ajo nënvizon se njerëzit duhet të ndalojnë së vepruari mekanikisht dhe të marrin përgjegjësi personale për pasojat morale të veprimeve të tyre. Nga ana tjetër, Aron dhe Hayek theksojnë rëndësinë e ndërtimit të një shoqërie që vlerëson lirinë individuale si dhe i reziston tundimit për stabilitet mashtrues. I pari theksonte se rezistenca nuk duhet parë si një luks, por si një domosdoshmëri për të shmangur degradimin e mëtejshëm të shoqërisë. I dyti shtonte se edukimi mbi liritë individuale dhe ndërtimi i institucioneve që mbrojnë të drejtat janë thelbësore për të mos rënë në grackën e dorëzimit gradual të lirive. Në këtë kontekst, siç kanë argumentuar figura të shquara historike si Mahatma Gandhi, Martin Luther King, mosbindja civile shfaqet si kura më e fuqishme për të thyer zinxhirët e bashkëfajësisë dhe për të sfiduar një status quo që mbijeton falë pranimit të heshtur.

Mahatma Gandhi zhvilloi konceptin e satyagrahas (forcës së të vërtetës), ku mosbindja civile pa dhunë duhet të përdoret për të përballuar padrejtësinë. Ai argumentonte se në vend të përplasjes fizike me shtypësit, indianët duhet të refuzonin bashkëpunimin me regjimin kolonial britanik, pasi ishte i bindur se një regjim i padrejtë nuk mund të mbijetonte pa pjesëmarrjen dhe miratimin e popullit të tij. Për të mosbindja civile paqësore nuk është thjesht protestë, por një akt moral, që synon të transformojë si shtypësin, ashtu edhe të shtypurin. Martin Luther King në letrën e tij të famshme nga burgu i Birminghamut, argumentonte se kompromisi me padrejtësinë lind nga heshtja dhe pasiviteti, veçanërisht nga ata që e konsiderojnë veten neutralë apo të pavarur. Strategjia e tij e veprimit të drejtpërdrejtë pa dhunë synonte të krijonte një tension që ekspozonte padrejtësinë, duke e detyruar shoqërinë amerikane që të përballej me bashkëfajësinë e saj në shtypjen sistematike raciste.

Termi i “mosbindjes civile” është përmendur dendur kohëve të fundit nga Partia Demokratike e Shqipërisë, prandaj duhet sqaruar se mosbindja e vërtetë civile është një akt moral dhe politik, që buron nga refuzimi për t’u bërë pjesë e një sistemi të padrejtë dhe jo kryengritjen, përmbysjen me anë të rrugës apo përballjen e dhunshme me të. Veprimet e deritanishme të partisë kryesore opozitare në vend që të frymëzojnë një formë të re të mosbindjes civile, duken si një përsëritje e demonstratave të dhunshme, që kanë dështuar në të kaluarën duke krijuar një ndjesi deja vu të kohës kur në krye ishte Lulzim Basha.

Mosbindja civile dhe kërkesa aktuale e PD-së për krijimin e një qeverie teknike dallojnë në mënyrë thelbësore në natyrë, mjete dhe qëllime. Mosbindja civile është një akt qytetar i paqtë dhe i qëllimshëm, ku individët refuzojnë të binden ndaj ligjeve ose politikave që i konsiderojnë të padrejta, duke sfiduar hapur normat dhe strukturat e një sistemi. Kjo lëvizje përfaqëson një nismë nga poshtë-lart dhe përdor mjete paqësore si bojkoti, refuzimi, ose protesta simbolike, ndërkohë që shmang dhunën dhe ka si synim edukimin dhe frymëzimin e shoqërisë. Nga ana tjetër, kërkesa për një qeveri teknike, siç është ajo e ngritur nga opozita shqiptare, është një manovër politike nga lart-poshtë, që synon krijimin e një administrate të përkohshme për menaxhimin e zgjedhjeve. Ndërsa mosbindja civile synon ndryshimin e ndërgjegjes kolektive dhe sistemit në thelb, qeveria teknike është një masë pragmatike për të zgjidhur një situatë politike kalimtare. Për më tepër, mosbindja civile është një veprim fisnik dhe universal që nuk favorizon asnjë palë politike, ndërsa kërkesa për një qeveri teknike ka për qëllim të krijojë avantazhe për opozitën në përballjen me mazhorancën.

Ndikimi i mosbindjes civile është më afatgjatë dhe shkon përtej lojërave politike të ditës, ndërsa qeveria teknike mbetet një zgjidhje e përkohshme. Shqiptarët duhet t’i kuptojnë mirë këto dallime, në mënyrë që të zgjedhin mjetet më efektive dhe të përshtatshme për të zgjidhur sfidat me të cilat përballen. Në Shqipëri, ku toleranca ndaj një qeverie të përfshirë në korrupsion dhe tejmbushur me dështime është bërë normë, mosbindja civile mund të marrë formën e bojkotit të shërbimeve dhe institucioneve të kapura apo bizneseve që janë të lidhura me qeveritarët; ngritjes së zërit përmes protestave paqësore dhe akteve simbolike të qëndrimit parimor. Po ashtu, një qytetar mund të refuzojë për të paguar ryshfete për shërbime publike, edhe kur kjo e bën procesin më të vështirë.

Një mësues apo nëpunës mund të refuzojë të marrë pjesë në aktivitete propagandistike të orkestruara nga pushteti. Një profesionist mund të zgjedhë të mos përfshihet në projekte që dihet se janë të kalbura në korrupsion. Qytetari mund të fillojë e të refuzojë që të konsumojë ato media të manipuluara që janë dukshëm të lidhura me pushtetin ose të thotë të vërtetën e të shprehë mospajtimin me realitetin në rrjetet e tij sociale e rrethin e afërt shoqëror. Mbase mundet edhe të shpërndajë “sekretet publike” apo informacionin censuruar përmes bisedave me miq, grupe sociale apo kanale të sigurta të komunikimit. Meqë po afrohen zgjedhjet, qytetarët mund të refuzojnë për të votuar në listat e hapura për kandidatët që njihen publikisht si të korruptuar apo kriminalizuar, duke kërkuar alternativa të ndershme apo të papërlyera. Të gjitha këto, e shumë të tjera të ngjashme janë mosbindja e vërtetë civile, akte të vogla personale, por me ndikim të madh, që sfidojnë bazat e regjimit duke dëshmuar se qytetarët nuk janë më të gatshëm të jenë pjesë e një “gënjeshtre kolektive”.

Mosbindja civile pra, nuk është thjesht një mjet për ndryshim politik elektoral, por është një akt i thellë etik, që iu jep qytetarëve dinjitet dhe kontroll mbi jetën e tyre. Ajo na kujton se e ardhmja nuk iu takon atyre që pranojnë në heshtje padrejtësinë, por atyre që kanë guximin ta sfidojnë atë me integritet, vendosmëri dhe paqe. Prandaj, mosbindja civile në Shqipëri duhet parë si një proces i vazhdueshëm kolektiv, ku çdo qytetar ka një rol të rëndësishëm dhe ku neutraliteti apo indiferenca nuk kanë vend. Duke ndjekur shembujt historikë të sipërpërmendur, mosbindja civile në Shqipëri mund të jetë një lëvizje që krijon presion paqësor, qëndresë virtuoze dhe solidaritet kolektiv për t’i dhënë fund bashkëfajësisë dhe për të kërkuar ndryshimin. Me anë të veprimeve modeste individuale, por me ndikim të madh, shqiptarët mund ta transformojnë realitetin e tyre dhe ta kthejnë vendin në një shoqëri më demokratike e më të lirë, ku të sundojë ligji dhe lulëzojë ekonomia e tregut. Në fund të fundit, një sistem i padrejtë nuk mund të mbijetojë pa pjesëmarrjen e qytetarëve të tij dhe refuzimi për të bashkëpunuar, duke thënë të vërtetën, është fillimi i fundit për çdo statusquo të padrejtë.

Exit mobile version