Gjykata e Posaçme vendosi të lërë në qeli shefin e krimeve në Komisariatin e Himarës, Shkelzen Ruska si dhe shefin Krimeve në Komisariatin e Lushnjës, Ervis Alisinanaj. Ata dyshohen si pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga Kristo Qirici dhe Eldjan Allushaj.
Qirici është vëllai i biznesmenit Edmond Papa që u ekzekutua në 2022 në kryeqytet në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikaj I njohur si Sanco.
Masa e sigurisë arrest me burg iu komunikua edhe ish-oficerit të Forcës së Posaçme Operacionale, Erdit Hazizaj. Ky i fundit ka qenë kandidat për kryebashkiak në Roskovec I koalicionit Bashkë Fitojmë.
Nga hetimet ka rezultuar se zyrtarët e policisë, favorizonin grupin e Kristo Qiricit dhe Eldjan Allushit në trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Greqisë.
Grupi kriminal u zbulua nga prokuroria e Posaçme përmes komunikimeve në Sky Ecc.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me datë 02.03.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, ndaj personave nën hetim Erdit Hazizaj, Shkëlzen Ruska dhe Ervis Alisinanaj”.
- Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtare Etleva Deda, bazuar në nenet 228, 229, 230, 232, 238, 244, 246 e 248 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 28, datë 03.03.2025 vendosi:
- Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Erdit Hazizaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal; “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Shkëlzen Ruska, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Vazhdimin e zbatimit të masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me Vendimin nr. 17, datë 28.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj personit nën hetim Ervis Alisinanaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atij të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 284 paragrafi i parë dhe 28/4 të Kodit Penal, “Grupi i strukturuar kriminal”, kryer në formën e pjesëmarrjes, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 334 pika 1 i Kodit Penal; “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i tretë i Kodit Penal dhe “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
- Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për ekzekutimin e këtij vendimi.
- Ndalohet publikimi i këtij Vendimi, në referim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale.
- Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, brënda afatit ligjor.
HETIMET E SPAK
SPAK nga hetimet ka dalë në përfundimin se “punonjësit e policisë së shtetit Elvis Dervishi (në atë kohë shefi i Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Botë, Sarandë) dhe ish punononjësi i Policisë Erdit Hazizaj, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të atëhershëm në polici, kanë ndihmuar drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, me këshilla dhe informacione të vazhdueshme për mirëfunksionimin e veprimtarisë kriminale në lidhje me trafikimin e narkotikëve, si dhe duke u siguruar anëtarëve të tjerë të grupit të strukturuar kriminal siguri në këtë veprimtari të kundraligjshme”.
Ndërsa Ervis Alisinanaj, i cili në atë periudhë, ka qenë Shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve në Sarandë, rezulton të ketë ndihmuar një nga pjesëtarët e grupit, që t’i shpëtojë arrestimit pasi në makinën e tij i ishte gjetur një armë.
Sa i takon shefit të Krimeve në Himarë, Shkëlzen Ruska, ai dyshohet se në kohën që ka punuar pranë Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë e policisë së Gjirokastrës, ka ndihmuar një tjetër grup kriminal që kultivonte dhe trafikonte marijuanën në zonën e Teplenës dhe Gjirokastrës. Këtij grupi i përkasin 1360 bimë narkotike, me një peshë prej 1280 kilogramë të gjetur brenda një furgoni në rrugën mes fshatit Dukaj dhe fshatit Salari, Tepelenë, në tetor të vitit 2020.