KUJTESË
Është e pashmangshme që në ditë, e kohë si këto që po jetojmë, kujtesa ime të këthehet pas në vite. Këthehet aty ku vetëdija antikomuniste u strukturua.
Këthehet mes telave me gjemba te Qaf-Bar-it, ku kolera e kuqe kishte marrë përsipër të na shpërfytyronte në shëmbëlltyrën e Njeriut të Ri, pa Zot, pa atdhe, pa identitet e pa moral. Këthehet aty ku lufta ishte e thjeshtë e qartë. Aty ku nuk kishte kompromis, e duhej të zgjidhje pashmangshmërisht mes së mirës e së keqes. Aty ku Zoti të jepte sprovën e jetës. Aty ku shpirtëra të lirë më mësuan se c’është liria e respekti për vehten.
Shpesh herë gjatë këtyre 32 viteve, jam këthyer në gjirin e kujtimeve. Jam këthyer atëherë kur shihja se vetëdija lëkundesh mes rrealitetit të shëmtuar e ëndërrave të tradhëtuara nga politika e transformizmit, ku komunistë e bashkupunëtorë të sigurimit (sa per kujtesë GR, SB, e IM) morën në dorë frerët e politikës shqiptare, duke përjetësuar sojin, pjellën e sundimin e tyre.
Nuk kam qënë kurrë më I lirë se brënda atyre telave! Mund t’ju duket si paradoks, por liria nuk ka të bëjë me gjëndjen fizike, e pikërisht mes telave mësova se liria ka të bëjë me shpirtin e me aspiratat e tij. Ato shkojnë përtej izolimit fizik, përtej dhunës, e mbi të gjitha mposhtin frikën. E kam parë me sytë e mi forcën e kurajon që të jep liria e shpirtit. E kam parë të mishëruar te Lutfi Kelmendi, Nuredin Sula, Sejfulla Teta, Artan Geco e qindra të tjere, që përballeshin cdo ditë me te keqen, pa u mposhtur e pa u joshur prej saj.
Ndërsa shkruaj këta rreshta, përzihen rrëmujshëm në mëndjen time e shkuara me të tashmen. Ku gojë të përjargura me gjak shqiptari, kërkojnë sërish votën time, votën tënde për ti bërë shërbimin e radhës komunizmit që ata e mbajnë gjallë. Për të na shtyrë sërish në urrejtjen mes nesh, që është ushqimi me të cilin rron kjo e keqe e madhe që ata janë, e përfaqësojnë.
Tashmë nuk ka më alibi vëllezër. Tashmë ngelet vetëm paftyrësia që kërkon votën e djathtë për të majtën. Atë të majtë që u përpoq e përpiqet pareshtur të na mohojë të drejtën për të zgjedhur të vërtetën. Atë të majtë që me Sali Berishën hoqi rreckat e proletariatit e veshi qyrkun e së djathtës, ashtu sic vesh ujku lëkurën e gjingjit. Atë të majtë që vjell e projekton mbi ne tërë llumin e ligësinë e saj gjenetike. Atë të majtë konservatore që ka ngrënë, ha e do të hajë edhe pjellën e saj në funksion të ruajtjes së pushtetit.
Boll më vëllezërit e mi. Ju qëndrestarë e shpirtëra të lirë, që sakrifikuat gjith cka kishit më ëndërën e Shqipërisë të së drejtës, e morët përbaltosjen e “Bashkëvuajtës e Bashkëfajtorë”. Jo më vëllëzërit e mi. Jo në emrin tonë. Nuk mundet dallaverexhiu i demokracisë të përligjë Partinë Komuniste të Marko Dajtit me votën tënde e me votën time. Unë them mjaft vëllezër. Asnjë votë e jona për komunistët e djeshëm e të sotshëm që janë këthyer në identitet, në krahët e komunistëve të Shtëpisë së Lirisë.
Gjergj Hani