Bashkia Divjakë u mbledh kartat qytetarëve për votat

Administrata e Bashkisë Divjakë ju “blen” kartat e identitetit qytetarëve në këmbim të votës. Denoncimi është bërë nga Kryetari i degës së PD Lushnjë, Myslim Murrizi, pas mesazhit të dërguar nga një qytetar në adresë të tij. Murrizi shkruan në një postim në Facebook se, një banor nga Grabiani i shkruan se si nëpunësi i Gjendjes Civile dërgon njerëz me makinë dhe me paratë e tij për të bërë aplikime për kartë identiteti dhe kuponat për tërheqjen e kartës i mban vetë për të siguruar votimin për kandiatët e Partisë Socialiste.
“N/punësi i Gjendjes Civile në Grabian, Leonard Peshku, dërgon njerëz me makinë dhe me paratë e tij për të bërë aplikime për kartë identiteti në shkëmbim të dhënies së votës dhe kuponat për tërheqjen e kartës i mban vetë. Deri sot, që po ju shkruaj numri i personave është mbi 20 qytetarë. Ky person thotë nuk pyes askënd, por vetëm Avdi Snallën, që është nënkryetar Bashkie”, shkruan qytetari nga Gabriani.
Frika e humbjes më 25 qershor ka detyruar Partinë Socialiste të përdorë të njëjtat skema vjedhjeje dhe mashtrimi të qytetarëve për votat. PS po blen votat edhe duke shpërndarë ndihma për familjet e varfëra në zyrat e saj. Dy ditë më parë u denoncua publikisht PS në Tepelenë ku në zyrat e saj u shpërndanë qese me ndihma. Denoncimi është bërë nga kryesuesi i listës së kandidatëve për deputet të PD në Qarkun e Gjirokastrës, Tritan Shehu. Në një status në rrjetin social Facebook, Shehu ka publikuar disa foto ku qytetarët marrin qese me ndihma në selinë e PS në Tepelenë.
“Në zyrat elektorale të PS Tepelenë, fotot flasin vetë. Duke përfituar nga varfëria e tejskajshme, ku Qeveria Rama ka futur vendin dhe Qarkun e Gjirokastrës, ndahen disa qese plastmasi me diçka brenda në zyrat elektorale të PS. Kjo është ‘Rilindja”, shkruan deputeti Shehu.
Ai denoncon rastin flagrant të ndarjes së ndihmave në zyrat e PS dhe kërkon që organet kompetente të marrin masa. “Këtu kemi të bëjmë edhe me shkelje të rëndë të ligjit. Për respekt, qytetarët janë të paidentifikueshëm. Ftoj organet kompetente të marrin masa!”, shkruan Shehu. Ndryshimet e fundit në Kodin Penal, ndëshkojnë deri në 7 vjet burg, blerësit e votës.
Për këtë ngjarje të rëndë ka reaguar edhe ish-Kryerministri Berisha. Berisha i kërkon Prokurorisë që të nisë menjëherë hetimet për ata që blejnë vota. “Votë me ble, votë me ble! Ushqime për votë, ushqime për votë! I bëj thirrje Prokurorisë të vendosë para ligjit kriminelët që blejnë vota, por dhe sehirxhinjtë e tyre!”, shkruan Berisha në një postim në Facebook.
“Rilindja” gjatë katër viteve të qeverisjes shtoi ushtrinë e të papunëve dhe varfëroi edhe më shumë familjet shqiptare. Tani kërkon t’i mashtrojë përsëri, duke u dhënë nga një thes me ndihma për t’u marrë votat.
Pak ditë më parë u denoncua deputeti i LSI, Vangjel Tavo, për shpërndarje ndihmash për banorët e komunitetit rom. Mielli është shpërndarë në lagjen “Zinxhira” në qytetin e Gjirokastrës, në këmbim të votave nën kujdesin e drejtorit të Policisë Bashkiake të Gjirokastrës që drejtohet nga LSI. Media lokale “Jugunews.net”, publikoi foton ku dukej deputeti i LSI-së teksa u shpërndan miell banorëve të komunitetit rom në Gjirokastër.

Exit mobile version