Aleksandër Todi është një koordinator për Informimin në Bashkinë e Tepelenës, një njësi e vogël vendore me rreth 17 mijë banorë në Jug të Shqipërisë. Në pak muaj ai mban kontakte të rregullta me gazetarët vendorë dhe po punon për të ngritur një portal elektronik informimi për aktivitetin e bashkisë. Por ndërsa në këtë bashki ka një koordinator për Informimin dhe një Program Transparence, në pjesën dërrmuese të bashkive në Shqipëri nuk po zbatohet Ligji për të Drejtën e Informimit.
Ligj i detyron institucionet publike dhe ato vendore të japin informacion brenda 10 ditësh ndaj një kërkese të qytetarit dhe në rast të kundërt zyrtarët përgjegjës, përfshirë edhe drejtuesit, gjobiten në shuma të mëdha financiare. Ligji detyron gjithashtu që institucionet të kenë një Program Transparence, një koordinator për Informimin dhe të bëjnë publike për qytetarët çdo informacion ose përmes faqeve të internetit e portaleve ose përmes stendave publike.
Komisioneri për të Drejtën e Informimit, Besnik Dervishi i tha “Zërit të Amerikës” se nga 61 bashkitë që dolën nga zgjedhjet e fundit të qershorit 2015, më pak se gjysma e tyre kanë faqe interneti dhe vetëm 10-12 prej tyre i përditësojnë ato me informacion për publikun.
“Po të shikojmë diferencën nga ku ishim e ku jemi, hapat janë pozitive, por mbetet shumica e punës për t`u bërë”, tha zoti Dervishi.
I pyetur se a kishte ndëshkime me gjoba siç e parashikon ligji për titullarët që nuk japin informacion, zoti Dervishi tha se përpjekjet më të mëdha ishin në ndërgjegjësimin e autoriteteve vendore.
Ndërsa më shumë se gjysma e bashkive nuk kanë faqe interneti, një vëzhgim i “Zërit të Amerikës” në stendat publike të disa bashkive flet për një situatë të mjerueshme në përcjelljen e informacionit për publikun edhe përmes kësaj forme.
Shumë prej bashkive më të mëdha në vend, si Bashkia e Tiranës, Lushnjës apo Beratit nuk kanë Program Transparence, ndërsa bashkitë e vogla nuk kanë përcaktuar ende as koordinatorët.
Sipas Ligjit për të Drejtën e Informimit, miratuar që prej vitit 2014, institucionet publike, përfshi njësitë e qeverisjes vendore, gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi, duhet të kishin Programin e Transparencës dhe koordinatorin e emëruar.
Por ndonëse kanë kaluar gati dy vite shumica e institucioneve publike dhe sidomos e bashkive nuk e kanë përmbushur këtë detyrim ligjor.
Megjithëse ekziston mundësia ligjore që koordinatorët për të Drejtën e Informimit të gjobiten për refuzimin e dhënies së informacionit me asnjë prej tyre nuk ka ndodhur kjo.
Një organizatë “INFOCIP” një muaj më parë publikoi të dhënat për 61 bashkitë e krijuara nga Reforma Territoriale e 2015.
“Vetëm 24 bashki kanë faqe zyrtare interneti dhe vetëm 9 bashki kanë Programet e Transparencës”, tha organizata pas një monitorimi disa mujor. U vërejt gjithashtu se vetëm 6 bashki kanë tashmë të publikuar një regjistër të ankesave dhe përgjigjeve ndaj qytetarëve. Ndër këto bashki renditeshin Himara, Kavaja, Lezha, Vlora, Vora dhe Shkodra. Nga monitorimi rezultoi gjithashtu se deri në fillim të muajit të kaluar janë caktuar 41 koordinatorë dhe ende 20 bashki nuk e kanë përmbushur detyrimin ligjor. Raporti vëren gjithashtu se nga 61 bashki, vetëm 14 prej tyre kanë vendime të publikuara. Ndër këto bashki ishin Shkodra, Durrësi, Korça, Vlora, Fieri, Lushnja, Berati, Gramshi, Skrapari, Divjaka, Përmeti, Lezha, Kruja dhe Kuçova.