Në një kohë që Prokuroria e Elbasanit po kryen hetimet mbi abuzimet e mundshme financiare të kompanisë publike së mbjetjeve, “Eco-Elb”, Bashkia e Elbasanit ka miratuar rritjen e çmimit për depozitimin e mbeturinave në landfill, ndërkohë që ka pranuar, më së fundmi zyrtarisht, se inceneratori është tërësisht jo-funksional.
Në mbledhjen e 30 Majit 2025, Këshilli Bashkiak i Elbasanit, në mungesë totale transparente, pa praninë e medias dhe duke shkëputur sinjalin e transmetimit live në rrjete sociale, ka miratuar kontratën e re me kompaninë publike “Eco-Elb”.
Në bazë të kësaj kontrate, të siguruar nga “Boldnews.al”, rezulton se çmimi i cili do të paguhet për depozitimin e mbetjeve në landfillin publik nga bashkitë e Qarkut Elbasan do të jetë 2600 lekë të reja për ton, nga 2500 që ishte deri më tani.

Por, ajo që bie në sy në kontratën e re është “zhdukja” e termit ‘incenerim”, i cili duhet të ishte një prej shërbimeve bazë dhe fitimprurës të kompanisë “Eco-Elb”.
Trashëgimia e skandalit
Kompania publike “Eco-Elb” u krijua në dhjetor 2021. Aksioneri kryesor është Bashkia e Elbasanit, ndërkohë që ortakë janë edhe bashkitë e Peqinit, Belshit, Cërrikut, Librazhdit, Prrenjasit dhe Gramshit. Administratori i saj është Leli Kaja. Objekti i kompanisë është grumbullimi, përpunimi dhe incenerimi i mbetjeve urbane në Qarkun Elbasan.
“Eco-Elb” ka nënshkruar kontratë simbolike “1 euro” me Agjencinë e Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara”, e cila ka në përdorim landfillin dhe “inceneratorin” e Elbasanit, pas sekuestrimit të kompanisë koncesionare “Albtek Energy” nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), në vijim të hetimeve për korrupsion, pastrim parash, falsifikim dokumentash dhe shpërdorim detyre.
Inceneratori i Elbasanit, vepra kryesore e të gjithë investimit mbi 20 milionë euro të qeverisë shqiptare, është jashtë funksionit dhe ka funksionuar vetëm pak ditë, që prej përfundimit të punimeve, në dhjetor të vitit 2021.
Skandali i parë financiar, ai i ndërtimit të landfillit, duket se ka lënë trashëgimi edhe gjatë menaxhimit të tij nga “Eco-Elb”. Prokuroria e qytetit ka nisur prej disa muajsh hetim për dyshimet mbi abuzime të rënda financiare në kompaninë publike dhe, deri më tani, është në fazën e verifikimit të dokumentacionit të sekuestruar në Mars të vitit 2025.
Incenerator nuk ka
Opozita, përfaqësues të rëndësishëm të shoqërisë civile dhe grupet e ambjentalistëve kanë denoncuar shpesh mos-funksionimin e inceneratorit dhe, si pasojë, krizën e thellë mjedisore të shkaktuar nga mungesa e përpunimit të mbetjeve.
Drejtuesit e “Eco-Elb” dhe të Bashkisë së Elbasanit e kanë mohuar publikisht ekzistencën e krizës, megjithëse një reportazh i kryer nga “Boldnews.al” dëshmon për situatën thuajse katastrofike në landfillin e qytetit, ku dallohet qartë se impianti i përpunimit të mbetjeve është tërësisht jashtë funksionit.
Katër vjet pas marrjes në menaxhim të landfillit të Elbasanit, më në fund, edhe bashkia detyrohet të pranojë që inceneratori nuk punon.
Bashkia e Elbasanit, nën drejtimin e Gledian Llatjas dhe shoqëria “Eco-Elb” nënshkruajnë çdo vit kontratën për depozitimin e mbetjeve në landfill.
Në kontratën e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Elbasanit në 30 Maj 2025 thuhet se kompania publike merr përsipër “pranimin, grumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve urbane”. Në këtë kontratë të re, ndryshe nga të ngjashmet e miratuara mungon termi “incenerim”.
Në këtë mënyrë, Bashkia e Elbasanit, nëpërmjet Këshillit, është e detyruar për herë të parë të pranojë atë që tashmë e dinin të gjithë, që shoqëria “Eco-Elb” nuk mund të kryejë incenerimin.
Një relacion financiar që shoqëron kontratën e vitit 2025 thotë se “inceneratori ka punuar 30 ditë gjatë vitit 2022, rreth 170 ditë gjatë vitit 2023 dhe asnjë ditë gjatë vitit 2024 e në vijim”.
Bjanka Çopja, anëtarë e Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Elbasanit thotë për “Boldnews.al” se Bashkia e Elbasanit e konfirmoi inekzistencën e inceneratorit, atë që opozita e ka denoncuar prej kohësh; janë paguar miliona për shërbim e incenerimit që nuk është ofruar kurrë.
“Për tre vite me radhë, janë paguar miliona lekë për një shërbim që nuk është kryer – incenerimi nuk ka funksionuar kurrë. Janë shkelur procedura ligjore, janë harxhuar fonde publike pa asnjë llogari të qartë ekonomike për performancën e shoqërisë “Eco-Elb”, dhe mbi të gjitha, është mashtruar qytetari i Elbasanit”, thotë këshilltarja Çopja në një komunikim telefonik me redaksinë.
Humbje financiare dhe rritje kostosh
Pika më e rëndësishme në kontratën e re, të nënshkruar në maj të këtij viti mes Bashkisë së Elbasanit dhe “Eco-Elb” është, natyrisht, çmimi i rritur për depozitimin e mbetjeve, që pritet të rrisë kostot mbi bashkitë e qarkut, rrjedhimisht të rëndojë mbi taksat e qytetarëve.
Prej qershor 2025, bashkitë do të paguajnë një faturë 1 mijë lekë më shumë për depozitim të çdo toni mbeturinash, se sa më parë. Duke llogaritur se gjatë vitit 2024, “Eco-Elb” ka pranuar mbi 50 mijë ton, atëherë vetëm shtesa mbi çmimin e mëparshëm arrin në plus 5 milionë lekë të reja, duke shkuar pagesa totale nga 126.345.000 lekë në vit deri më tani, në 131.400.000 lekë në vijim.
Çmimi i ri, prej 2600 mijë lekë të reja për ton mbeturina, u fiksua pas analizës financiare të kryer nga një eksperte private, e kontraktuar nga Bashkia e Elbasanit.
Në analizën financiare, ekspertja kontabël paraqiti katër skenarë, ku të gjithë parashikonin rritje çmimi, nga 2.600 lekë deri në 5.000 lekë për depozitimin e çdo toni mbeturinash në landfill.
Ekspertiza, megjithëse e mangët në disa pjesë, zbuloi shumë aspekte negative në menaxhimin financiar të landfillit nga “Eco-Elb”.
Të dhënat e përpunuara treguan se kompania publike, në secilin vit të funksionimit të saj, ka rezultuar me humbje dhe nuk ka mbuluar kostot e shërbimit, “duke akumuluar një kapital negativ neto në shumën 52. 613.720 lekë të reja (mbi gjysëm milioni euro)”.
Sipas analizës financiare, humbjet më të mëdha janë shënuar në vitin 2023. Në atë vit, “Eco-Elb” ka dyfishuar shpenzimet për paga punonjësish, në shifrën e 92.392.863 lekë.
Këshilltarja e opozitës, Bjanka Çopja, risjell në vëmendje se “rritja e shpenzimeve për paga është kryer pikërisht kur Bashkia e Elbasanit ishte përfshirë në fushatën elektorale për zgjedhjet vendore të vitit 2023”.
Për eksperten e kontraktuar, në çdo rast, në mungesë të funksionimit të inceneratorit, kompania “Eco-Elb” jo vetëm që nuk do të mbulojë kostot dhe detyrimet aktuale, por do të shtojë borxhet edhe në vitet e ardhshme.
Analiza financiare, tregon më së paku, që analiza e kostove në vitet e kaluara ka qenë fiktive dhe autoritetet shtetërore kanë tentuar të fshehin në çdo mënyrë mungesën e funksionimit të inceneratorit, i cili duhet të ishte një ndër burimet kryesore të të ardhurave të shoqërisë publike, nëpërmjet prodhimit dhe shitjes së energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e mbeturinave.
Megjithatë, këshilltarja bashkiake, Bjanka Çopja, vlerëson se në analizën financiare të ekspertes mungon një element shumë i rëndësishëm, që përbën burim të ardhurash për “Eco-Elb”.
“Analiza financiare nuk ka përllogaritur të ardhurat e mundshme të shoqërisë nga ankandet për shitjen e mbeturinave të riciklueshme. ‘Eco-Elb’ ka për detyrë, ndër të tjera, që të ndajë mbetjet në burim dhe t’i shesë ato tek kompanitë e riciklimit. Në këtë mënyrë, ‘Eco-Elb’ do të krijonte të ardhura dhe, rrjedhimisht, do të ulte kostot dhe natyrisht, nuk do të kërkohej rritje çmimi”, thotë ajo për “Boldnews.al”.
Të dhënat zyrtare të vëna në dispozicion të këshilltarëve bashkiakë të opozitës tregojnë se “Eco-Elb”, nën administrimin e Leli Kajës, nuk ka realizuar asnjë procedurë ankandi gjatë 4 viteve të funksionimit të saj.
Ekzistojnë dyshime se “Eco-Elb” mund të ketë kryer “shitje” të mbeturinave të riciklueshme në mënyrë “private” tek kompani të ndryshme, megjithëse anëtarë të ndryshëm të Këshillit Bashkiak nuk e kanë të konfirmuar një veprimtari të tillë.
Të kontaktuar nga “Boldnews.al”, disa prej tyre deklaruan se shitjet e mundshme jashtë procedurës së ankandeve mund të verifikohen vetëm nga organet ligjzbatuese.
Prokuroria e Elbasanit ka deklaruar më herët për “Boldnews.al” se ka nën verifikim të gjithë veprimtarinë financiare të “Eco-Elb”, përfshirë edhe dyshimet për fryrje të organikës së kompanisë publike, sidomos para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2025./boldnews.al