Në Liberi të Italisë, në një ceremoni të shkëlqyer solemne, në prani të personalitetenve më të larta të të gjashtë bashkive nga vende të ndryshme evropiane, përkatësisht gjashtë kryebashkiakët, z. Xhelal Mziu (Kamëz, Shqipëri), z. Antonio Diana (Liberi, Itali), z. Carlo Montefusco (Roccamonfina, Itali), z. Andrea Maccarelli (Presenzano, Itali), z. Ilmārs Meluškāns (Riebini, Letoni) dhe znj. Ella Frīdvalde–Andersone (Vecpiebalga, Letoni), nënshkruan marrëveshjen e binjakëzimit në mes gjashtë bashkive, si fryt i përpjekjeve dhe angazhimeve të ndërsjella.
Kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, pasi falënderoi të gjithë pjesëmarrësit e pranishëm në sallë tha se kjo marrëveshje e binjakëzimit shënon jo vetëm mbajtjen e marrëdhënieve të përhershme midis vendeve tona, por sidomos ndikon në realizimin dhe në përmbushjen e objektivave të përbashkëta për shkëmbim të përvojave të të rinjve, një mundësi e shkëlqyer për pjesëmarrjen civile të të rinjve dhe vullnetarizmin, trajnimin e tyre, aplikimin për projekte të përbashkëta në Komisionin Evropian si dhe në aktivitete sociale, kulturore, artistike, sportive etj. Nënshkrimi i këtij akti binjakëzimi shënon një moment tjetër të rëndësishëm për Bashkinë Kamëz dhe për gjithë komunitetin e saj.