Bashkia Kamëz miraton paketën fiskale 2017, Mziu: Zhvillim biznesit dhe rritje punësimi

Kryetari i Bashkisë Kamëz: Në 3 vite e gjysmë kemi aplikuar 123 projekte konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria

Bashkia Kamëz është ndër të paktat njësi të qeverisjes vendore që miraton në kohën e duhur paketën fiskale të vitit 2017. Në mbledhjen e tij të radhës, Këshilli i Bashkiak i Kamzës miratoi paketën fiskale të vitit që vjen. Kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, pohoi para këshilltarëve se kjo paketë fiskale si qëllim ka krijimin e të ardhurave për t’i konvertuar ato në investime dhe shërbime, zhdukjen e informalitetit, zhvillimin e biznesit, rritjen e numrit të të punësuarve, si dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.
Në fjalën e tij para anëtarëve të Këshillit Bashkiak, z. Mziu u shpreh se Bashkia ka dy instrumente kryesore të funksionimit të saj për të grumbulluar sa më shumë të ardhura dhe për t’i konvertuar ato në investime dhe në shërbime ndaj komunitetit, por për realizimin e këtyre të ardhurave, pra për të pasur një buxhet, duhet të jenë të ardhurat e Bashkisë dhe grantet e akorduara nga qeveria.
“Në fakt, buxheti i Bashkisë nuk ka qenë në gjendje të mirë në aspektin financiar, për shkak të mosmarrjes së asaj çfarë i takon. Nuk kemi marrë edhe për vitin 2016 çfarë na takonte. Mos harroni, është qyteti i gjashtë në Shqipëri për numrin e popullsisë në 61 bashki pas ndarjes territoriale. Granti i fillimit të vitit jepet mbi bazën e numrit të popullsisë, madje është referenca kryesore, në fakt ne kemi marrë më pak sesa na takon. Besoj që i dini ju arsyet se përse. Kemi mjaft referenca për këtë situatë, duke bërë krahasimin e këtyre 16 njësive vendore”, – është shprehur z. Mziu, duke theksuar edhe një herë sjelljen e papërgjegjshme të qeverisë ndaj Bashkisë, por më kryesorja ndaj qytetarëve të Kamzës. Në këtë aspekt, kryebashkiaku Mziu deklaroi se është ulur autonomia e pushtetit vendor, ndërkohë që për Kamzën nuk është akorduar asnjë fond për investime.
“Në tri vite e gjysmë, me 123 projekte ka aplikuar Bashkia, të cilat kanë bindur Bankën Botërore, KfË-në e të tjerë organizma të huaj, duke i konsideruar konkurruese dhe sociale, por asnjë projekt nuk është financuar nga qeveria. Dhe kjo ka sjellë pabarazi ndërmjet qytetarëve të Kamzës dhe atyre të bashkive të tjera. Madje, nuk kanë përfituar as qytetarët e majtë të Kamzës”, – ka pohuar kreu i Bashkisë, i cili ka vijuar fjalën e tij duke theksuar se i vetmi instrument që ka ngelur për t’u shfrytëzuar është paketa fiskale.
“Ka pasur një angazhim maksimal për të pasur një paketë fiskale, – ka thënë z. Mziu, – jo me qëllimin në vetvete për të krijuar të ardhura, po paketa fiskale në Kamëz, në fakt, për të dhjetin vit me radhë, ka vetëm një qëllim, për ta bërë paketën fiskale stimuluese për zhvillimin e biznesit. Vetëm në këtë lloj mënyre mund t’i jepet zgjidhje asaj çfarë është më kryesorja – punësimit – por pastaj edhe investimeve dhe shërbimeve. Dhe në referencë të viteve, dua t’ju them që diku nga viti 2007, Kamza dhe Paskuqani gjithsej kishin 500 subjekte, kryesisht ambulantë ose biznes i vogël. Sot janë rreth 3000 biznese, për shkak të kësaj politike fiskale dhe tendenca ka qenë për të pasur taksa, tatime, tarifa ato çfarë lejon ligji, për të kapur pjesën fundore të intervalit ose në dysheme të saj, për ta stimuluar zhvillimin e biznesit dhe, po të shohësh, numri i bizneseve është rritur, kryesisht në zonën e Kamzës, por që të rritet biznesi nuk është vetëm paketa fiskale, por duhet t’i krijosh edhe infrastrukturë”.
Kryebashkiaku Xhelal Mziu ka sjellë në vëmendjen e këshilltarëve diferencën që ekziston ndërmjet Kamzës dhe zonës së Paskuqanit: “Nuk gjen qoftë edhe një kompani të madhe, sidomos fason apo të tjera që është në zonën e Paskuqanit, për shkak të mungesës së infrastrukturës. Të paktën në Kamëz vetëm fasonistë janë më shumë sesa 15 kompani që kanë mundësuar punësimin e jo më pak sesa 8 mijë të rejave, për shkak të kësaj politike fiskale. Pra, kemi ofruar paketë fiskale konkurruese, infrastrukturë dhe, së treti, zhdukje të burokracisë. Në këtë drejtim, One Stop Shop-i i Bashkisë mbetet shembull jo vetëm për Kamzën, por edhe për qytete të tjera. “Për sa i përket paketës fiskale të këtij viti, tha z. Mziu, vazhdojmë të jemi në nivelet më të ulëta. Kemi ndërhyrë në këtë paketë fiskale për t’u ardhur në ndihmë disa fashove, te familjet apo bizneset. Ose janë çliruar nga këto taksa, ose është ulur niveli i tyre. Edhe te ujësjellësi për zonën e Kamzës, është ulur nga 1200 lekë në 1000, pra ka rënie.
Ndërkohë, ka edhe aplikime të disa taksave apo tarifave, të cilat në kuadrin e ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur, edhe këto janë brenda intervalit, në pjesën më të ulët të këtij intervali, për të qenë stimuluese për biznesin. Po të shihet në mënyrë analitike, nuk ka asnjë rritje në paketën fiskale”, ka argumentuar z. Mziu, duke vijuar me një krahasim me Bashkinë e Tiranës: -Një familje që është në Institut Bujqësor, te ajo rruga ndarëse, për taksën e pastrimit në Tiranë paguan 5000 lekë të reja. Një familje në Kamëz paguan 2200 lekë të reja. Nëse i referohemi Bashkisë së Tiranës, një familje që ka një fëmijë në shkollë, paguan 1800 lekë të reja në vit, por nëse ka pesë, imagjinoni, paguan 9000 lekë të reja në vit. Në Kamëz është zero kjo taksë. Një biznes i vogël që është në Tiranë paguan 35.000 lekë ne vit. Një taksë e tillë në Kamëz nuk është aplikuar as vitin e kaluar, as këtë vit. -Një biznes i madh paguan 45.000 lekë në vit. Në Kamëz paguan zero. Duke e përmbyllur fjalën e tij, kreu i Bashkisë është shprehur se ngelet me shpresë që edhe kjo paketë fiskale do të japë impakt pozitiv.

Exit mobile version