Bashkia Kamëz ndihmë për jetimët, vlerëson nxënësit dhe mësuesit

Bashkia Kamzës ka organizuar mjaft aktivitete sa i përket festave të fundvitit dhe të tjera do të vijojnë dhe në ditët në vijim. Më konkretisht, për dy ditë me radhë më 19-20 dhjetor në ambientet e Pallatit të Kulturës Kamëz është mbajtur aktiviteti festiv i festivalit të ansambleve artistike të shkollave të mesme të qytetit. Në ditën e dytë të festivalit, Bashkia Kamzës ka vlerësuar nxënësit dhe mësuesit më të mirë të shkollave të qytetit. Bashkia Kamëz ka organizuar një veprimtari kushtuar fëmijëve jetimë të qytetit në kuadër të festave të fundvitit, me këngë, valle dhe numra të tjerë artistikë.
Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, e ka përshëndetur këtë veprimtari dhe ka shpërndarë edhe çmimet për fituesit e festivalit. Dita e dytë, njëkohësisht dhe dita finale e festivalit, u kurorëzua me gjimnazin “Ibrahim Rugova” të Kamzës në vend të parë, ndërsa në vend të dytë gjimnazi “Isa Boletini” e në vend të tretë gjimnazi “Gramoz Palushi”. Në këtë ditë, konkurruan ansamblet artistike të gjimnazeve “Gramoz Palushi”, “Ibrahim Rugova”, “Elez Isuf Ndreu”, si dhe gjimnazi “Isa Boletini”, ndërsa ditën e djeshme konkurroi gjimnazi “Sulejman Elezi”; gjimnazi “Mustafa Qemal Ataturku” si dhe gjimnazi i Kasallës. Me rastin e fundit të vitit, Bashkia Kamëz ka vlerësuar edhe nxënësit, mësuesit dhe shkollat më të mira të qytetit.
Ka qenë vetë kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, i cili ka qenë i pranishëm në ndarjen e çertifikatave përkatëse për nxënësit më të mirë, për mësuesit më të mirë dhe për shkollat më të mira. Ndarja e çertifikatave u bë gjatë ditës së dytë të festivalit të ansambleve artistike të gjimnazeve të qytetit. Duke dhënë këta tituj nderi, kryebashkiaku Mziu ka falënderuar nxënësit dhe mësuesit për punën që kanë bërë gjatë vitit 2016, si dhe i ka falënderuar për kontributin që japin për çuarjen përpara të arsimit në qytetin e Kamzës. Gjithashtu, ai i ka uruar ata për një vit të ri të mbarë dhe plot suksese të tjera.
Në një tjetër aktivitet, Bashkia Kamëz ka akorduar dhurata në shuma simbolike për këta fëmijë, me qëllim që edhe ata të ndihen të gëzuar në prag të Vitit të Ri. Në këtë veprimtari mori pjesë vetë kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, i cili i ka përshëndetur fëmijët e pranishëm. “Gjej rastin t’ju falënderoj përzemërsisht për pranimin e ftesës së Bashkisë për të qenë te Pallati i Kulturës në këtë aktivitet! Dua t’ju uroj suksese për Vitin e Ri dhe gëzuar festat e fundvitit!”, u shpreh në fjalën e tij zoti Mziu, duke vijuar më tej: “Juve vërtet ju mungon prindi, por Bashkia, si edhe vitet e tjera, me ato kapacitete simbolike financiare që ajo ka, ka tentuar për të qenë pranë jush. E veçanta juaj është se shumica prej jush janë edhe krenaria e shkollës. Pra, ju keni pasur një motiv akoma më shumë për të mësuar, për të qenë të parët e klasës dhe unë dua t’ju garantoj që jo vetëm unë, por edhe mësuesit, edhe kolegët tuaj janë më pranë se askush tjetër, jo vetëm në këto festa fundviti, por gjatë gjithë periudhës”, ishin fjalët e kreut të Bashkisë.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërDosja e Balilit, skaf me 679 kg drogë kur ishte drejtor