Bashkia Kamëz partnere e projektit të KE, “Pjesëmarrja Civile e të Rinjve dhe Vullnetarizmi”

Projekti i Komisionit Europian për të rinjtë, pjesë e programit “Evropa për Qytetarët 2014-2020” bashkoi në një tryezë 6 kryebashkiakë

Në Komunën Liberi të Italisë është mbajtur ceremonia e hapjes së projektit për inkurajimin demokratik dhe pjesëmarrjen qytetare të të rinjve ndërmjet gjashtë bashkive përfaqësuese të vendeve të Evropës. Bashkia Kamëz është një ndër partneret kryesore të këtij projekti së bashku me Komunën Liberi, si promotor i nismës së këtij projekti evropian. Gjithashtu janë të përfshira dhe komunat Roccamonfina e Presenzano në Itali si dhe komunat Vecpiebalga dhe Riebiņi, Letoni.
Ceremonia e hapjes së projektit bashkoi në një tryezë dinjitoze gjashtë kryebashkiakë, z. Xhelal Mziu (Kamëz, Shqipëri), z. Antonio Diana (Liberi, Itali), z. Carlo Montefusco (Roccamonfina, Itali), z. Andrea Maccarelli (Presenzano, Itali), z. Ilmārs Meluškāns (Riebini, Letoni) dhe znj. Ella Frīdvalde–Andersone (Vecpiebalga, Letoni).
Komisioni Evropian mbështet zhvillimin e rrjeteve të tilla, të cilat janë të rëndësishme për të siguruar bashkëpunim të strukturuar, intensiv dhe shumëdimensional, duke kontribuar për maksimizimin e ndikimit të programit, për zhvillimin tematik dhe bashkëpunim afatgjatë mes të qyteteve.
Temat që u diskutuan në këtë takim mes të rinjve ishin: Angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare; roli i të rinjve në shoqërinë civile; efikasiteti i politikave evropiane dhe iniciativës NEET në mesin e delegatëve të rinj, promovimi i pjesëmarrjes qytetare rinore në politikat e Bashkimit Evropian dhe krijimin e mundësive për angazhim shoqëror dhe vullnetarizmit në nivel lokal, rajonal. NEET është program i Komisionit Evropian, përkatësisht nën ombrellën e EuroFound, Fondacioni Evropian për Përmirësimin e Kushteve të Jetesës dhe të Punës për të rinjtë. Programi i jep mbështetje të rinjve të shteteve anëtare të BE-së, që nuk janë të punësuar, të mirarsimuar apo të trajnuar: Karakteristikat, kostot dhe përgjigjet e politikës në Evropë janë për të hetuar gjendjen aktuale të të rinjve në Evropë, duke u përqendruar në mënyrë të veçantë për ata që nuk janë të punësuar, të arsimuar apo të trajnuar dhe për të kuptuar pasojat ekonomike dhe sociale të mosangazhimit të tyre në tregun e punës dhe arsim. Kjo është nismë e shteteve anëtare për të ndihmuar në ri-integrimin e të rinjve në tregun e punës.
Kryebashkiaku i Kamzës z. Xhelal Mziu, gjatë fjalës së tij në këtë takim shprehu vlerësimet e tij maksimale për këtë projekt, i cili ka në fokus rininë, të ardhmen e çdo vendi. Ai theksoi se Bashkia Kamëz ka një popullsi prej 150 mijë banorësh, ku 30% janë të rinj. Duke qenë se të rinjtë janë e ardhmja e një vendi, një nga përparësitë e Bashkisë do të jetë angazhimi i të rinjve në jetën edukative, kulturore nëpërmjet rritjes së mundësive për shkollim sa më të mirë dhe më pas punësimin e tyre dhe sot në Kamëz, falë politikave të ndjekura nga Bashkia, janë punësuar mbi 7 mijë të rinj e të reja në 4 vitet e fundit. Instrumentalizimi i jetës rinore ka bërë që institucioni i Bashkisë Kamëz të përqendrojë një vëmendje të veçantë në politikat mbështetëse për të rinjtë e këtij qyteti, dimensionet e të cilave shërbejnë për t’u përqendruar në edukimin evropian të tyre. “Për këtë qëllim dëshiroj të vlerësoj këtë takim si një nismë mjaft e rëndësishme për nxitjen e pjesëmarrjes civile dhe mbështetjen e vullnetarizmit të sipërmarrjes rinore në nxitjen e përmirësimit të jetës së qytetarëve. Një element që dua të theksoj në fjalën time përshëndetëse është mbështetja në drejtim të politikave të punësimit, duke i nxitur të rinjtë, pikërisht nëpërmjet programeve zhvillimore që ofron Bashkia. Me politikëbërjen e saj, ajo është një forcë e madhe mbështetëse dhe bashkëpunuese. Nisma e vullnetarizmit të të rinjve të kësaj njësie vendore stimulon projekte që krijojnë premisa të mira për krijimin e vendeve të punës. Bashkia do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë të këtyre iniciativave mbështetëse”, – u shpreh ndër të tjera z. Mziu, i cili shtoi më tej: “Bashkia Kamëz ka akumuluar një përvojë të mrekullueshme edhe në këtë drejtim dhe në këtë takim përcjellim mesazhin se do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për hapjen dhe zgjerimin e njohjes së projekteve konkrete edhe nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional siç është edhe ky event i rëndësishëm”. Në fund ai shprehu gatishmërinë e Bashkisë Kamëz për të dhënë ndihmesën e vet në bashkëpunimet rajonale dhe në shkallë vendi, me njësitë e tjera vendore, për të shkëmbyer eksperiencat e përfituara nga njëri-tjetri, për të thelluar më tej praktikat për përmirësimin e të ardhmes së të rinjve, duke pasur edhe mbështetjen e partnerëve tanë.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërA do të largohen futbollistët shqiptarë