Bashkia Kamëz reagoi dje ndaj kryeministrit Rama, i cili në një status në Facebook e quan “farsë” procesin gjyqësor që i dha pafajësinë kreut ët Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. Në një njoftim për shtyp të Bashkisë Kamëz thuhet se, Edi Rama është i vetmi kryeministër që ka guxuar dhe vazhdon t’i bëjë presion drejtësisë, madje duke telefonuar dhe kërcënuar hapur me prerje këmbësh si në rastin e gjykatëses së Krujës. “Kryeministri i një bande në pushtet e quan farsë procesin, por kujtojmë që ai dhe shpura e tij në PS kanë bërë disa herë deklarata publike si presion ndaj drejtësisë për të ndikuar në dhënien e vendimit të Gjykatës ndaj kreut të Bashkisë Kamëz.
Të premten ranë akuzat politike ndaj Xhelal Mziut në Apel, pavarësisht nga presioni mbi drejtësinë; nga montimi i një procesi farsë deri tek deklarimet e Ramës në takimet elektorale të PS-së se Xhelal Mziu do të ishte ose në shtëpi, ose në burg pas 21 qershorit. Presioni më i fundit ishte i Saimir Tahirit më 21 prill (një ditë para dhënies së vendimit të Apelit) nga Komisariati Nr.5 Kamëz”, thuhet në njoftimin për shtyp të Bashksië Kamëz.
Më tej thuhet se, Drejtësia më në fund konfirmoi qartë se, akuzat kanë qenë të ndikuara hapur politikisht. Pas të gjitha sulmeve ndaj kryebashkiakut të Kamzës ishte Rama. Në zgjedhjet e vitit 2015, Rama dhe shpura i tij morën përgjigjen më të mirë nga qytetarët e Kamzës dhe Paskuqanit, duke votëbesuar bindshëm për herë të tretë Xhelal Mziun si kryebashkiak të Kamzës.
Tre ditë më parë Gjykata e Apelit në Tiranë shpalli të pafajshëm kryetarin e Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, duke rrëzuar akuzat politike. Pas shumë peripecish dhe presoni të hapur ndaj organeve të drejtësisë nga ana e mazhorancës, Gjykata e Apelit ka vendosur pushimin e çështjes dhe shpalljen e pafajshëm të kryetarit të Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu dhe dy vartësve të tij, drejtorit Juridik Atli Hoti dhe drejtorit të Tatim-Taksave, Bujar Loshi. Relatori i Kolegjit Penal në Gjykatën e Apelit, Lefter Jahja, ka rrëzuar jo vetëm vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, që e dënonte Mziun me 2 vite burgim për akuzën e shpërdorimit të detyrës, por në vendimin e pushimit të çështjes nga ana juridike lë të kuptohet se hetimet ndaj Mziut nuk duhej të kishin filluar ose nuk duhej të kishin vazhduar.