Bashkia Korçë, taksë për ata që nuk hapin dyqanet

Bashkia e Korçës ka vendosur një taksë të çuditshme për pronarët e dyqaneve për të mbushur arkën e saj. Në qoftë se dyqanet nuk vihen në punë, pronarët do të paguajnë një taksë prej 100 lekësh për metër katror në muaj. Propozimi është bërë nga Bashkia e Korçës, që i ka kërkuar Këshillit Bashkiak të miratojë këtë taksë të re. Arsyeja është konflikti ndërmjet Bashkisë së qytetit dhe pronarëve të dyqaneve, pas ndërhyrjes për rivitalizimin e objekteve tregtare.
Bashkia ka bërë një planifikim të aktiviteteve tregtare që do të kryhen në këto ambiente, të cilin e quan “standardizim të rrjetit tregtar në këtë zonë”, por tregtarët thonë se kjo cenon parimin e lirisë ekonomike.
Këshilltarët e djathtë, minorancë në këtë këshill u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të majtë që të mos e miratojnë këtë taksë të jashtëligjshme. Sipas këshilltarëve të opozitës, është në të drejtën e pronarëve të vendosin nëse i hapin apo jo dyqanet dhe se çfarë do të bëjnë në pronën e tyre. Sipas Bashkisë, bëhet fjalë për objekte që konsiderohen monumente kulture dhe nuk mund të qëndrojnë pa punuar.
Ndërkohë, shtimi i kësaj takse është pritur me revoltë nga pronarët e dyqaneve. Shumë pronarë shprehen se e kanë të pamundur që të përballojë taksat e rritura nga ana e Bashkisë dhe po falimentojnë.

Reagon PD Korçë: Gjobëvënie e pastër!

Dega e PD Korçë ka kundërshtuar shtimin e taksës për pronarët e dyqaneve pranë pazarit të ri. Në një deklaratë për mediat, Partia Demokratike Dega Korçë e cilëson një gjobëvënie të pastër taksën e re prej 100 lekë për metër katror në muaj për pronarët e dyqaneve.
“Taksa e re nuk është asgjë më pak se një gjobëvënie e pastër, një mënyrë për të zhvatur deri në qindarkën e fundit korçarët dhe sigurisht për të pasuruar pushtetarët abuziv, me vendosjen e taksës së re që parashikohet të jetë 100 lekë për metër katror në muaj, bashkia kërkon me vetëdije të fusë në një krizë edhe më të thellë biznesin e vogël, pa u menduar dy herë se po shkel me të dyja këmbët një të drejtë dhe liri themelore siç është ajo e pronës”, thuhet në deklaratën e PD Korçë.
Nga ana tjetër, Bashkia e Korçës ka reaguar menjëherë ndaj deklaratës së PD-së, duke theksuar se kjo e fundit përbalt projekte që kanë qëllim zhvillimin e turizmit. Zëdhënësja e Bashkisë ka theksuar se, taksa është vendosur vetëm për pronarët që refuzojnë vënien në shërbim të bizneseve, ndërsa pjesa tjetër e bizneseve janë të gatshme të bashkëpunojnë për të zhvilluar aktivitetin.
Këshilli Bashkiak në mbledhjen e djeshme propozoi vendosjen e taksës prej 100 lekë për metër kator në muaj për ato biznese, të cilat nuk i hapin dyqanet. Ndërkohë, këshilltarët e djathtë, minorancë në këtë këshill, u kanë bërë thirrje kolegëve të tyre të mos e miratojnë këtë taksë, duke e cilësuar të jashtëligjshme.
R.POLISI

Artikulli paraprakKlinika ruse për transplant organesh, Gjykata nuk liroi 41 mijë dollarët
Artikulli tjetërVritet me thikë 37-vjeçari te Stacioni i Trenit në Elbasan