Nxënësit e shkollës në fshatin Grizë të Patosit janë ngritur në protestë mëngjesin e sotëm për shkak se Bashkia ka mbyllur shkollën.
Për këtë shkak fëmijët duhet të shpërngulen çdo ditë në shkollë në Patos, por familjarët janë tërësisht kundër pasi duhet të lënë punën që të shoqërojnë fëmijët e tyre për shkak të distancës së largët.
Mësohet se janë 40 nxënës dhe rreth 20 fëmijë që frekuentojnë këtë godinë e cila prej 1 jave është njoftuar se do të mbyllet.
“Bashkia do ta mbyllë shkollën dhe duan të transferojnë fëmijët në Patos. Fugoni merr 20 nxënës ne nuk pranojmë që fëmijët të shkojnë në Patos. Në fshat fëmija vjen vet kurse në Patos është larg. Nëse shkolla është prishur, ata duhet ta riparojnë shkollën. Ne kemi firmos një peticion që shkolla mos mbyllet me shkakun që nuk plotësohet numri i nxënësve”, u shpreh një protestues.
“Kemi 1 javë që morëm vesh lajmin që na thanë që shkolla do mbyllet me justifikimin se shkolla është e pabanueshme. Kryetarja e bashkisë paska frikë që fëmija im të futet brenda, shkolla dhe kopshti është i mirë. Fëmijët kanë marrë mësime shumë mirë dhe ne jemi të kënaq në këtë shkollë”, tha një banore.
“Nuk dua ta ndryshoj shkollën. Mësuesit na kanë thën që do prishjet shkolla , këtu është shumë mirë. Dhje jemi shum afër ikim vetëm sepse në patos kemi frikë të ikim vetëm, këtu jemi të sigurt ikim vetëm dhe shkolla është afër”, shprehet një fëmijë.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe dega e PD, Fier. PD Fier ka publikuar edhe një video të protestës së zhvilluar sot nga nxënësit. “Nxënësit e shkollës Grizë në Patos kërkojnë të hapet shkolla! Kryetarja e bashkisë hesht!”, shkruhet në reagimin e PD Fier.