Besnik ALIAJ
Hartimi i Planit Rregullues Tiranë (PPV) tashmë ka tejkaluar çdo normë morale e profesionale dhe çdo rregull e ligj në fuqi, në lidhje me mënyrën e hartimit të tij, procedurat teknike, si dhe me detyrimet ligjore të bërjes transparencë reale publike dhe sidomos me procedurat e konsultimit dhe vlerësimit të impaktit mjedisor…
Këshilli Bashkiak, Komisioni përkatës që mbulon çështjet e planifikimit të territorit dhe sidomos opozita janë përjashtuar totalisht nga çdo e drejtë informimi dhe konsultimi e vendimmarrje. Institucionet e specializura, shoqatat profesionale, rrethet akademike janë injoruar tërësisht dhe qëllimisht. Rrjedhimisht edhe publiku në tërësi është përjashtuar nga e çdo e drejtë informimi për çështje me interes të lartë publik.
Ajo që ka ndodhur këtë radhë s’ka ndodhur në asnjë rast të mëparshëm ku janë bërë tentativa të tjera planifikimi për qytetin. Plani tashmë është jo vetëm një mister, por është tërësisht i personalizuar. Ai është mbyllur në qarqe e grupe shumë të ngushta oligarkike të sipërmarrjes, politikës dhe medias. Çudira dhe mënxyra priten të dëgjohen kur ai të miratohet dhe pasojat do të jenë të parikuperueshme.
Kjo sepse plani, territori dhe asetet e Tiranës po konsiderohen nga dikush si trampolinë për karrierë politike dhe pushtet ekonomik në nivel kombëtar. Kjo ka ndodhur edhe më parë në Tiranë, por jo me kaq arrogancë dhe mungesë frike nga ligji sa këtë radhë!
Tani është momenti që duhet reaguar nga gjithë publiku, sepse më pas do të jetë vonë! Kjo për arsye se Bashkia po e përdor si alibi miratimin e Planit të Përgjithshëm dhe për “aktivitetet e veçanta zhvillimore” që do të ndodhin më pas e që kanë ndikim fatal në mjedis dhe për të cilat nesër do të kërkohet leje mjedisore. Marrja e lejes mjedisore pastaj si rrjedhojë do të konsiderohet “formalitet”, apo edhe nuk do të kërkohet fare leje mjedisi, sepse do të pretendohet që leja është dhënë një herë për Planin e Përgjithshëm. Rasti i Parkut të Liqenit dhe stadiumit kombëtar janë ende të freskëta. Bashkia nesër do të pretendojë rrejshëm se e ka kryer procesin konsultativ për Planin e Përgjithshëm dhe se nuk ka pasur asnjë kundërshti e në këto kushte si në rastin e Parkut të Liqenit do të gjenden kleçkat që të bëhet e vështirë për zyrtarët e mjedisit, përgjegjës për dhënien e lejeve, që të refuzojnë lejet për aktivitete të veçanta.
Ftoj qytetarët e thjeshtë, ekspertët e planifikimit, arkitekturës, trashëgimisë, mjedisit, infrastrukturës, demografisë, ekonomisë, çështjeve sociale, arsimit-sportit-kulturës, etj., të ngrenë zërin fort tani sa nuk është vonë. Ta detyrojmë bashkinë të bëjë transparencën reale të planit dhe të ushtrojmë të drejtën e ligjshme të informimit.
Në këtë moment Bashkia Tiranë jo vetëm po fsheh, por po refuzon të japë informacion në mënyrë të qëllimshme! Personalisht jam shprehur edhe më parë si qytetar dhe profesionist, por edhe si këshilltar bashkiak. Përmes z. Leonard Olli dhe grupit të këshilltarëve të opozitës kemi kërkuar me shkresë zyrtare të na vihen në dispozicion dhe në kohë materiali i plotë e madje autorët duhet të vinin dhe të prezantonin punën para këtij grupi këshilltarësh bashkiakë dhe Komisionit të Planifikimit dhe Zhvillimit të Territorit, të merrnin mendime konstruktive dhe të ndanin punën me ne! Pse kështu hartohen planet në Milano apo në Roterdam?! Boll! Ju nuk mund të talleni më me një qytet të tërë. Ky është në rastin më të paktë racizëm, paragjykim dhe korrupsion!
Bashkia në mënyrë qesharake ndërkohë del para mediave dhe na ushqen me gënjeshtrën e radhës; se plani do të dorëzohej në korrik, në shtator, në tetor, pastaj në nëntor e së fundi u tha brenda dhjetorit. Për të qeshur e për të qarë! Kjo është një lojë e keqe që nuk e gëlltit më askush, por që një ditë do të ketë përgjegjës konkretë!