Bashkia Shkodër miraton planin rregullues

Këshilli i Bashkisë Shkodër i ndezi dritën jeshile planit të ri vendor, pasi kaloi me 31 vota strategjinë e zhvillimit të territorit dhe projekteve. Veprimi i tij është parashikuar të jetë deri në vitin 2030 dhe në fjalën e saj kryetarja e Bashkisë e cilësoi si Kushtetutën e qytetit. “Ky është një dokument i rëndësishëm strategjik, kushtetues në kuptimin e vendimmarrjes dhe ndërhyrjeve që ne do të bëjmë në të ardhmen”, tha Ademi. Në analizë janë marrë edhe planet ekzistuese, ndërsa parashikohet që deri më 2030 Shkodra të jetë një portë e rëndësishme kombëtare. Ledian Bregasi, ekspert: Janë përcaktuar burimet e mundshme, kryesore dhe dytësore të financimeve për secilin projekt. Fili Guraziu, këshilltar i PD: Gjithë vlera e këtij qyteti, ishte porti lumor, ishte pazari i Shkodrës me 2500 dyqane që mbante mbi shpatulla pothuajse gjithë Ballkanin. Në këtë mbledhje, jashtë rendit të ditës këshilltari Mustafa Lici, babai i dy të arrestuarve për gjobëvënie ndaj tregtarëve të Shkodrës, hodhi akuza të rënda se djemtë po i sulmohen për arsye politike, duke drejtuar gishtin tek kryeministri Rama. Lici, këshilltar i PMDL: Janë shumë 300 tregtarë, dy të na i paraqesin në sallën e gjyqit dhe do të jemi të lumtur dhe do ta pranojmë atë çfarë thotë ai. Thjesht bëhet për arsye politike. Ndërkohë, plani i ri vendor e projekton Shkodrën si një qytet të jetueshëm, të qëndrueshëm, i përshtatshëm dhe i zgjuar.

Exit mobile version