Nëpërmjet një reagimi, kandidati i Koalicionit Euroatlantik për Qarkun Vlorë, Myzafer Elezi, është shprehur lidhur me ngjarjen e sotme në fshatin Tragjas të Vlorës, ku policia e shtetit kanë rrethuae ujësjellësin e këtij fshati.
Sipas Elezit, gjithçka është bërë pa njoftim dhe në mungesë të plotë të transparencës.
“Në emrin tim, si Nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, dhe në emër të të gjithë këshilltarëve të opozitës, i bëj thirrje administratës së bashkisë:
• Të ndalojë menjëherë punimet dhe të tërheqë forcat e policisë nga fshati Tragjas.
• Të ulet në një dialog të hapur me banorët dhe të marrë parasysh shqetësimet e tyre legjitime.
• Të ndalojë praktikat korruptive dhe klienteliste, ku burimet natyrore të komuniteteve lokale u grabiten për t’u vënë në shërbim të interesave të një grushti njerëzish.” – vijon më tej kandidati i Koalicionit Euroatlantik, Myzafer Elezi.
Më poshtë reagimi i plotë:
Të nderuar qytetarë.
Ngjarjet e sotme në fshatin Tragjas janë një dëshmi tjetër e arrogancës së pushtetit dhe përbuzjes ndaj qytetarëve. Në orët e para të mëngjesit, forcat e Policisë së Shtetit, të pajisura me skafandra dhe në formacion të ngjashëm me një operacion ushtarak, kanë rrethuar ujësjellësin e fshatit Tragjas.
Banorët, të gjendur të befasuar, panë se në orën 07:00 të mëngjesit, pa asnjë njoftim dhe pa asnjë transparencë, nisi prishja e depos së ujit. Ky veprim është pasojë e një lejeje të dhënë në fshehtësi nga administrata e Bashkisë Vlorë për ndërtimin e një depozite të re, me qëllim devijimin e ujit drejt Palasës, në shërbim të interesave private të një oligarku. Kjo leje është miratuar pa konsultim me banorët dhe pa marrë dakordësinë e tyre, duke shkelur çdo parim të transparencës dhe demokracisë lokale.
Në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 25 shkurt 2025, banorët e Tragjasit, të indinjuar nga kjo padrejtësi, kërkuan shpjegime nga administrata e bashkisë. Me cilësinë e drejtuesit të mbledhjes, unë u dhashë fjalën për të shprehur shqetësimet e tyre dhe deklarova mbështetjen time dhe të këshilltarëve të opozitës. Në atë mbledhje, nënkryetarja e Bashkisë premtoi se kryetari i Bashkisë do të vinte në Tragjas për të bashkëbiseduar me banorët dhe për të diskutuar këtë çështje. Ky premtim nuk u mbajt. Kryetari nuk shkoi kurrë në takim me banorët, duke i lënë ata në pritje.
Sot, një javë më pas, banorët u zgjuan nga zhurma e fadromave dhe prania e forcave të INUK dhe Policisë së Shtetit, të cilët janë dërguar për të prishur me dhunë depozitat ekzistuese të ujit. Ky veprim i njëanshëm dhe arbitrar ka provokuar indinjatën e banorëve, të cilët ndihen të fyer dhe të tradhtuar nga pushteti vendor.
Në emrin tim, si Nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Vlorës, dhe në emër të të gjithë këshilltarëve të opozitës, i bëj thirrje administratës së bashkisë:
• Të ndalojë menjëherë punimet dhe të tërheqë forcat e policisë nga fshati Tragjas.
• Të ulet në një dialog të hapur me banorët dhe të marrë parasysh shqetësimet e tyre legjitime.
• Të ndalojë praktikat korruptive dhe klienteliste, ku burimet natyrore të komuniteteve lokale u grabiten për t’u vënë në shërbim të interesave të një grushti njerëzish.
Unë jam me banorët e Tragjasit dhe do të vazhdoj të jem pranë tyre në këtë betejë për të drejtën më bazike – të drejtën për ujë.
Uji është jetë dhe me jetën e njerëzve nuk mund të luajë askush.
Me respekt,
Myzafer Elezi
Nënkryetar i Këshillit Bashkiak, Vlorë