Protesta e thirrur e 18 shkurtit, pritet të mbledhë një numër të pazakontë njerëzish, ku priten t’i bashkohen të majtët e të djathtët e këtij vendi. Pritet t’i bashkohen dhe ata që prej kohësh kanë ndenjur larg nga politika. Njerëz të të gjitha kategorive atë nuk e shohin thjeshtë si protestë të opozitës, apo ashtu siç mundohen ta paraqesin shërbyesit e devotshëm të Edi Ramës, nëpër fletushkat e tyre. Shqiptarët janë ndërgjegjësuar, se kjo protestë është mënyra e shprehjes së dufit të akumuluar në këto tre vjet e ca të qeverisjes së Ramës. Eshtë mënyra për t’i thënë ndal, këtij abuzimi dhe propagande të shfrenuar, që po vret përditë e më shumë jetë shqiptarësh. Eshtë mënyra për t’i thënë ndal hajdutërisë në çdo qelizë, shtypjes dhe përçudnimit që i është bërë pjesës më të margjinalizuar dhe jo vetëm. Eshtë mënyra për t’i thënë ndal shterimit të resurseve dhe hapësirave që po mbyllen çdo ditë, dhe po ndajnë bijtë nga nënat, vajzat nga baballarët. Eshtë mënyra për t’i thënë ndal, vjedhjes së parave nga xhepat e gjithsecilit qytetar të këtij vendi, me anë të taksave, rritjes arbitrare të çmimit të mallrave të jetës. Eshtë mënyra për t’í kujtuar Edi Ramës, dhe sojit e sorollopit të tij se, në rast se ai jeton me të shkuarën, si bir i denjë i nomenklaturës, shqiptarët e kanë flakur tutje atë sistem pervers dhe nuk duan më t’i rikthehen më asaj situate, ku jeta e tyre varej në dorën e një tufe dallkaukësh. Njësoj si sot ku në emër të “të bërit shtet”, bijtë e këtij vendi po shkojnë drejt vetëvrasjes dhe asokohe shqiptarët çoheshin para skuadrave të pushkatimit në “emër të komunizmit”. Ngjashmëria është tronditëse.
Depresioni
Në vitin 2015, kur qeveria Rama ishte në kulmin e delirit të saj, kur TV ishte mbushur me pamje të Kryeministrit tonë teksa rendte për të treguar forcën ndaj njerëzve të varfër të këtij vendi, Instituti i Shëndetit Publik do bënte një anketim ku publikoi disa fakte rrënqethëse. Pas një anketimi të bërë rezultoi se 5 mijë prej tyre deklaruan se ndjeheshin të “pashpresë”. ISHP do të shpjegonte se të gjithë këta bëjnë pjesë e kontigjentit të vetëflijimit. Statistikat e këtij viti flasin për 200 vetëvrasje në vit, dhe 400 të tjera të mbetura në tentativë. Për vitin 2016, këto shifra mendohet të jenë dhe më alarmante, dhe pjesa dërrmuese e tyre kanë si shkak varfërinë. Atëherë çfarë mbetet të themi. Nga një sondazh ku marrin pjesë jo më shumë se 7 mijë persona, 5 mijë prej tyre deklarohen se nuk e gjëjnë të ardhmen në vendin e tyre, dhe si zgjidhje kanë vetëm braktisjen e tij. Kjo shifër tregon se jemi një shoqëri depresive dhe fajtor për këtë ka vetëm një Edi Rama, me politikat e tij që çdo ditë e më shumë vret shpresën e njerëzve në këtë vend. E pra 75 për qind e popullsisë është shumë dhe vizaton një vend ku mungon thuajse gjithçka. Një vend, nga i cili duhet të ikësh një orë e më parë, të majtë dhe të djathtë, skeptikët dhe ata që besuan tek premtimet boshe të njeriut që do të hapte 300 mijë vende pune, do të rimëkëmbte shëndetësinë, do të zgjidhte strehimin e të tjera si këto. Premtime që sot ngjajnë si tallje në veshët e gjithsecilit.
Vetëvrasjet
Klajdi Muça, Arif Doda, Barbulla Pepa, Resmie Alla, Qamil Zela, Llazar Nasiti, Altin Myftari, Gjovalin Gjini, janë disa nga emrat që duhet të ishin sot mes nesh. Të gjithë këta kanë vrarë veten se s’kishin të paguanin energjinë elektrike. Sot, ata duhet të ishin mes nesh, duhet t’i gëzoheshin familjeve të tyre, fëmijëve të afërme. Por sot ata mungojnë, mungojnë se një mendje perverse që duhet t’i mbronte i kërkoi të pamundurën. Ai që duhet t’i jepte shpresë i tregoi derën e burgut, i preu energjinë, duke i prerë njëkohësisht dhe fillin e jetës. Vetëvrasja nuk ishte vetëm si pasojë e varfërisë, por ishte dhe reagim ndaj zhgënjimit… Ata s’kishin nga ta dinin se vota e tyre për Ramën, ishte vota që do i çonte drejt vdekjes. Ata janë njerëz të thjeshtë që luftojnë çdo ditë për shpresën se e nesërmja do të jetë ndryshe, janë njerëz të këtij vendi, e ç’rëndësi ka çfarë force i përkasin. Këtyre u shtohen dhe ata mijëra të tjerë që provuan qelitë e ftohta të burgut, për fajin e vetëm se ishin të varfër. Për fajin e vetëm, se nuk kishin të paguanin Ramën që paratë i duheshin për të shtuar luksin e tij. U shtohen dhe dy vogëlushët nga Kavaja, që malli për babain e burgosur padrejtësisht për një çati që kërkonte të ndërtonte për ta i kushtoi burgun. E burgosi Rama me qehajain e tij përdhunues, që sot mban ende me dhunë Bashkinë e Kavajës, si dëshmi se Rama nuk mund të drejtojë pa pasur mbështetjen tek llumi i shoqërisë.
18 shkurti, revolta e një populli që rrëzoi diktaturën
Protesta e këtij 18 shkurti është një kushtrim! Eshtë një revoltë e çdo njeriu që ka provuar në kurriz padrejtësitë e këtij sistemi të instaluar brutalisht. Eshtë një revoltë e biznesmenit të dhunuar nga taksidarët, është revoltë e pensionistit që numëron qindarkat, pasi ka dërguar paratë tek ata që jetojnë në luks, është protestë e babait që sheh fëmijën tek vuan në spitalet e Beqes, është protestë e nënës teksa sheh Shukrinjtë e Rilindjes që i nëpërkëmbin vajzën për një vend pune, është protestë e bujkut që i kërkojnë faturë tatimore dhe për domatet e bahçes, është protestë e të majtit e të djathtit që është detyruar të çojë fëmijët në klasat frigoriferike që ofron rilindja e arsimit, është protestë për Kristi Mazen, vogëlushit që priti një vit vëmendjen e shtetit. Eshtë revolta e të gjithë atyre që provuan kampet e pritjes të refugjatëve si në një vend lufte. Eshtë protestë për këtë realitet të zi, ku Rama e futi vendin me mashtrimet e tij. Eshtë revolta e një populli, i cili e ka provuar çdo të thotë marrëzia në pushtet. Një herë gaboi para shumë vitesh, e dyta herë do të ishte shkatërruese!