Lulzim BASHA
Muajt e fundit kemi përkujtuar e festuar me krenari përvjetorët e disa prej ngjarjeve më të mëdha që ndryshuan historinë tonë në vitin 1990 dhe në fillim të vitit 1991: 8-dhjetorin e shpërthimit të Lëvizjes Studentore për Liri e Demokraci, 11-dhjetorin e fitores së pluralizmit politik dhe themelimit të Partisë Demokratike, që theu monopolin gjysëmshekullor të shtetpartisë komuniste të punës, 20 shkurtin e rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës, si simboli i diktaturës me të egër në Europë.Themelimi i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura qëndron denjësisht në piedestalin e këtyre ngjarjeve madhore si për nga guximi dhe largpamësia e themeluesve të saj, ashtu edhe për nga rëndësia dhe kontributi i jashtëzakonshëm në përmbysjen e diktaturës. Veç e veç në fillim dhe të bashkuara pak më vonë, sindikatat e pavarura të Shqipërisë zbritën në arenën e kohës si një fuqi e re e pazëvendësueshme e përshpejtimit të ndryshimeve demokratike në vend. BSPSH ishte protagoniste në sa e sa ngjarje, nisma dhe kauza vendimtare, që përmes forcës së bashkimit, organizimit, grevave dhe protestave që nuk i kishte njohur historia jonë, zhvlerësuan përpjekjet e diktaturës komuniste për të mbijetuar, duke i marrë anën demokracisë. BSPSH u bë zëri i ri përfaqësues i një mase shumë të madhe punëtorësh anembanë vendit që donin ndryshimin. Ajo hyri dhe është në histori. BSPSH është Solidarnosti ynë. Lëvizja Studentore e Dhjetorit, Partia Demokratike dhe BSPSH, janë tre forcat simotra që hapën rrugën e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri 25 vite më parë. Ne jemi të “një gjaku” në kuptimin që edhe PD, edhe sindikatat e pavarura i ka lindur Liria. Ne jemi lidhur që prej fillimit e në vazhdimësi nga respekti për vlerat e përbashkëta që janë të shenjta për ne dhe për ju: puna, dinjiteti i individit të lirë, i punëtorit, i qenies njerëzore, i shqiptarit.Ju jeni demokratë kur predikoni dhe luftoni për këto vlera. Ne jemi sindikalistë gjithashtu, duke luftuar këto vlera.
Oligarkia i kërkon sindikatat të vdekura
Partia Demokratike vlerëson faktin se BSPSH ka dhënë dhe vazhdon të japë një kontribut të madh për të mbajtur qeveritë nën presionin e fortë të kërkesave për zbatimin e ligjeve që mbrojnë punëmarrësit, për ndryshimin dhe përmirësimin e këtyre ligjeve sa herë paraqitet nevoja. BSPSH vazhdon të jetë e angazhuar në luftën kundër korrupsionit, paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë në qeverisje, që janë shkaku kryesor i shpunësimit, i rënies së konsumit, i uljes de fakto të rrogave, i varfërisë në rritje. BSPSH është gjallë dhe e fortë edhe pse oligarkia në pushtet e do të vdekur. Kush nuk e kujton batutën e kryeministrit shqiptar për të ashtuquajturat avantazhe joshëse të Shqipërisë për investitorët italianë. Nuk janë taksat që i kemi më të lartat në rajon. Nuk është klima e biznesit që e kemi të fundit në rajon dhe në fund të listës botërore. Ne kemi një avantazh tjetër, sipas Ramës. Apo më saktë nuk kemi diçka tjetër që, sipas tij duhet të na bëjë punë. Nuk kemi sindikata! Kjo ishte batuta dhe oferta e Ramës për investitorët italianë. Kryeministri italian ka qenë në siklet edhe ta dëgjonte e jo më ta mendonte. Si është e mundur që kryeministri i një qeverie që vetëquhet e majtë, ambalazhon me një shaka të pakripë gëzimin dhe dëshirën e tij që vendi të mos ketë sindikata? Ka mundësi, sepse ai dhe kupola që qeveris sot vendin nuk kanë lidhje as me të majtën, as me të djathtën, por vetëm me interesat e tyre të ngushta. Urrejnë opozitën, urrejnë shtypin e lirë, urrejnë organizatat e pavarura të Shoqërisë Civile, urrejnë institucionet e pavarura, urrejnë sindikatat e pavarura, urrejnë gjithçka që nuk e kapin e nuk e kanë nën kontrollin e tyre.Kjo kupolë pasurohet për vete me tendera e konçesione korruptive, me kontrabandë dhe trafiqe, por nuk ka asnjë qëllim, nuk e ka as në mendje, t’i shërbejë punës dhe punësimit, mirëqenies dhe sigurisë së qytetarëve, familjarëve, kryefamiljarëve, të papunëve. Bilanci i saj në këto fusha jetike nxin ngado që ta shikosh.
Në një muaj u pushuan 75 mijë punonjës, vendi në kthetrat e varfërisë
Papunësia reale, edhe sipas INSTAT-it nën kontroll qeveritar është në rritje të pandalshme. Në fund të vitit 2015 ky tregues u ngjit zyrtarisht në nivelin 17.7%, por faktikisht siç e dimë të gjithë ne, siç e dini mirë ju, qëndron shumë më lart. Aksionet e ndërmarra nga qeveria në luftën kundër informalitetit kanë qenë e janë kryekëput klienteliste dhe kanë pasur si pasojë pushimin nga puna të mbi 75 mijë punonjësve vetëm gjatë periudhës shtator–tetor të vitit 2015. Biznesi i vogël, por edhe ai i mesëm, po përjeton ditë shumë të vështira për shkak të taksave dhe gjobave dhe arbitraritetit të hordhive inspektuese që shkojnë e vijnë si miza kali, çfarë i detyron shumë prej tyre të reduktojnë aktivitetin ose të mbyllen. E gjitha kjo bie në kurriz të vetëpunësuesve, të punëmarrësve dhe punëdhënësve. Problemin më të madh që ka sot vendi, atë të papunësisë dhe shpunësimit, qeveria i qaset me shpotinë e propagandës dhe aksione mediatike. 30 mijë vende vakante pune deklaroi Kryeministri. 200 mijë ia priti ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Me këtë ritëm, vendet imagjinare të punës pas pak javësh do të tre-katërfishohen. Por eksodi masiv i shqiptarëve nuk lë hapësirë për humorin e zi të shifrave të qeverisë. Për shkak të papunësisë, korrupsionit, për shkak të krimit të veshur me pushtet dhe pushtetit të veshur me krim, për shkak të errësimit të perspektivës në të gjitha drejtimet, shqiptarët e larguar gjatë vitit të fundit janë sa popullsia e Gjirokastrës apo Beratit. Ky eksod në këto përmasa përkeqëson direkt gjendjen në tregun e punës, sepse rriskun e emigracionit e merr pjesa vitale e shoqërise, e cila ka edhe potencialin më të madh për t’u bërë pjesë e zhvillimit ekonomik të vendit. Mosrritja për tre vite me radhë e pagës minimale është pjesë e një politike që e ka sjellë ekonominë në deflacion, pasi fuqia blerëse ka rënë ndjeshëm. Në uljen e nivelit të jetesës ka ndikuar direkt edhe rritja e pashpirt e cinike e çmimit të energjisë elektrike, e cila ndikon më së shumti në shtresat e varfëra. Po ashtu, rritja e çmimit të transportit publik me 33% ka një ndikim të madh në xhepat e popullsisë me të ardhura të ulëta, të cilët janë edhe konsumatorët e parë të këtij lloj shërbimi. Ju, sigurisht, i keni në qendër të vemendjes dhe aksionit tuaj sindikalist këto probleme e shumë të tjera që rëndojnë gjendjen e punëmarrësve. Ne si opozitë i kemi në qendër të aksionit dhe programit tonë politik. Ne jemi në të njëjtën anije në përpjekjen tonë për nxjerrjen e vendit nga kthetrat e korrupsionit, krimit dhe krizës. Politika jonë fiskale që ka në boshtin e saj uljen dhe thjeshtimin maksimal të taksave do të sjellë më shumë investime dhe vende pune dhe vende pune me paga më të mira, do të reduktojë informalitetin dhe do të krijojë hapësira për një zhvillim ekonomik të qëndruesheëm, si rruga e vetme e reduktimit të varfërisë.
Programi i PD, mundësi reale për rritjen e pagave
Dua t’ju njoftoj se departamentet e PD-së kanë përfunduar sipas fushave projektprogramet e zhvillimit, që ne do t’i konsultojmë me grupet e interesit, me partnerët socialë, me BSPSH-në, me organizatat e punëmarrësve dhe punëdhënësve. Po kalkulojmë mundësitë reale të rritjes së pagave, sidomos të pagës mininale, e cila është praktikisht një referencë edhe për pagat e tjera.
Zoti Kalaja, unë e marr si shenjë besimi dhe vlerësimi apelin tuaj në emrin të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë dhe ju përgjigjem sot nga kjo sallë, se PD do të jetë në nivelin e pritshmërive të sindikatave sot si opozitë dhe alternativë krah për krah jush për zgjidhjen e problemit të madh të papunësisë dhe varfërisë përveç politikave që do të nxisin zhvillimin ekonomik, investimin, rritjen e konsumit , rritjen e pagës minimale. Ne presim që së bashku të luftojmë e të punojmë për t’i arritur këto objektiva përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme. Sigurisht presim që pas kësaj, siç kemi qenë dhe jemi aleatë në vlera, ne si qeverisje të jemi ballë përballë me njëri-tjetrin për të garantuar zbatimin e tyre.
BSPSH kanë shënuar tranzicionin shqiptar deri në ditët tona dhe unë besoj fort se, pavarësisht vështirësive, ky bashkim sindikalist me emër dhe kontribute të mëdha do të forcohet, do të tregojë se është gjallë dhe jo i vdekur siç uron oligarkia në pushtet, do të ridalë fuqishëm në skenën e kohës, duke shtuar radhët, duke intensifikuar aksionin në shembullin e fillimeve heroike të 25 viteve më parë dhe të sindikalizimit bashkohor perëndimor gjithashtu. Shqipëria ka nevojë për ju. Hallet, dhimbjet dhe nevojat e njerëzve të thjeshtë kanë nevojë për sindikatat dhe sindikalizmin. Liria ka nevojë për ju. Jam i bindur se BSPSH nuk do t’u mungojë këtyre pritshmërive.