Eughene Bai
Putini mendoi se një nga projektet më ambicioze të tij dhe një nga ëndrrat më të vjetra të Kremlinit po bëhej realitet. Fatkeqësisht për Putinin dhe miqtë e tij të ngushtë në Moskë, plani nuk ka për të funksionuar. Bashkimi Ekonomik Euraziatik, një bllok ekonomik postsovjetik i përbërë nga Armenia, Bjellorusia, Kazakistani, Kirgistani dhe Rusia, u ideua për të lejuar Kremlinin që të ushtrojë influencë në fqinjësinë e tij, duke shërbyer si kundrapeshë për simotrën në Bruksel, Bashkimin Europian që gjatë dekadës së fundit është afruar së tepërmi me kufijtë e Rusisë.
Që kur mori në dorë pushtetin në vitin 2000, Putin është përpjekur të rishkruajë historinë e viteve të trazuara 1990 të Rusisë, një dekadë të njollosur nga lufta në Çeçeni, nga kriza ekonomike në vitin 1998 dhe nga politika e jashtme pa timon e fqinjëve të saj. Putini jo vetëm që e bëri Rusinë ushtarakisht të rëndësishme përsëri, duke modernizuar dhe krijuar baza të reja ushtarake në vendet fqinjë, por rifitoi edhe influencën e ish-Bashkimit Sovjetik në rajon, duke ushtruar kontroll ekonomik nëpërmjet gazit dhe naftës. Bashkimi Euraziatik presupozohej të ishte hapi i mëtejshëm për të siguruar rolin e Moskës si drejtuese të vetme të hapësirës postsovjetike.
Bashkimi Doganor Euraziatik, paraardhësi i Bashkimit Euraziatik, i krijuar dhe i ideuar për të hequr barrierat tregtare dhe për të harmonizuar tarifat ndërmjet vendeve anëtare, është përballur që në fillim me një sërë problemesh jo të vogla. I përbërë fillimisht nga Bjellorusia, Kazakistani dhe Rusia, projekti i integrimit u përhap për të përfshirë Armeninë dhe Kirgistanin, por nuk ka arritur të gjenerojë bumin ekonomik që iu premtua këtyre anëtarëve.
Si Kazakistani ashtu edhe Bjellorusia kanë parë se si eksportet e tyre bëhen gjithnjë e më të shtrenjta në tregun kryesor të Rusisë për shkak të problemit me këmbimin valutor të rublave, ndërkohë që të mirat më të lira ruse ia kanë vështirësuar tejmase konkurrencën prodhuesve vendas. Teksa vlera e rublës u ul me 20 për qind gjatë muajit dhjetor, konsumatorët nga Bjellorusia dhe Kazakistani kaluan kufirin drejt Rusisë për të përfituar marrëveshje të leverdisshme për gjithçka, që nga makinat e deri tek frutat dhe perimet, teksa fuqia e tyre blerëse u reduktua ndjeshëm.
Por rënia e vazhdueshme e rublës do të vazhdojë të krijojë vështirësi ekonomike për katër anëtarët jo rusë të Bashkimit Euraziatik dhe për tregun e tyre prej 180 milionë personash. Në periudhën afatmesëm dhe afatgjatë, blloku ekonomik nuk do të arrijë të përmbushë premtimet të një jete më të begatë për industritë e vendeve anëtare, duke stimuluar një rritje të madhe ekonomike.
“Teksa ekonomia ruse dobësohet, Bashkimi Euraziatik bëjet gjithnjë e më i parëndësishëm dhe aspak joshës për anëtarët e tjerë”, thotë Luca Anceschi, një ekspert i Azisë Qendrore në Universitetin e Glasgout. “Integrimi euraziatik duhet të gjeneronte zhvillim ekonomik, por ky zhvillim tashmë ka një çmim më të shtrenjtë nga ai që mendonin vendet anëtare”. Tashmë që Bjellorusia dhe Kazakistani po ndërgjegjësohen për kostot e larta ekonomike të aleancës me Rusinë, kriza në Bashkimin Euraziatik ka filluar të shfaqet edhe pse nuk janë hedhur ende themelet e këtij bashkimi.
Bjellorusia
Që kur vendet perëndimore imponuan raundin e parë të sanksioneve mbi Rusinë, grindjet tregtare ndërmjet Rusisë dhe Bjellorusisë janë kthyer në diçka të zakonshme. Pavarësisht aleancës politike ndërmjet Minskut dhe Moskës, Rusia ndërpreu importet e mishit nga fqinjët e saj, duke thënë se Bjellorusia ishte bërë destinacioni kryesor i trafikut të ushqimeve të përfshira në kundërsanksionet e Kremlinit kundrejt Perëndimit.
Presidenti autokrat i Bjellorusisë, Alexander Lukashenko e quajti të pandershëm këtë vendim. Kjo ngjarje u ndoq nga një tjetër incident, kur Lukashenko u përpoq të zhvlerësonte rublën bjelloruse, duke i urdhëruar qeverisë që tregtia me Rusinë të bëhej në dollarë ose në euro.
Rreth 40 për qind e eksporteve të Bjellorusisë shkojnë në Rusi, sipas Ministrisë së Jashtme të Bjellorusisë dhe shumica e pjesës tjetër shkon drejt vendeve të tjera ish-sovjetike të lidhura me ekonominë ruse. Rubla e Bjellorusisë humbi rreth 13 për qind të vlerës së saj kundrejt dollarit amerikan dhe Minsku u shqetësua për përhapjen e “sëmundjes” ekonomike të Rusisë, kështu u përpoq të krijonte një mbrojtje të shtuar. Bashkimi Euraziatik kështu ka arritur vetëm që Bjellorusinë e izoluar ta lidhë ngushtë me një partner tepër të padobishëm.
Kazakistani
Në Kazakistan, një vend kyç për planet e integrimit euraziatik të Moskës, marrëdhëniet me Rusinë kanë qenë të trazuara për shkak të presionit të shtuar ekonomik dhe politik gjatë vitit të fundit të shkuar. Ashtu si Rusia, Kazakistani varet së tepërmi nga të ardhurat e naftës për të financuar buxhetin shtetëror dhe është goditur tejmase nga ulja e çmimit të naftës bruto. Në muajin shkurt, qeveria e Kazakistanit zhvlerësoi monedhën e vendit, tengën, pothuajse me 20 për qind brenda një dite për shkak të rënies së çmimit të naftës.
Sanksionet e imponuara mbi Rusinë kanë patur pasoja tepër të rënda dhe mbi Kazakistanin, madje Fondi Ndërkombëtar Monetar parashikoi që rritja ekonomike në Kazakistan të renduktohet nga 6 për qind në 1.6 për qind. Kjo ulje e ndjeshme e rritjes ekonomike të vendit u shkaktua pothuajse vetëm për shkak të rënies së çmimit të naftës dhe nga rëndësia e tregtisë me tregjet ruse.
Për të shpëtuar veten nga mbytja dhe për të dalë nga hija ekonomike e Moskës, Kazakistani po përpiqet tashmë që t’i tregojë botës se është ende një vend i mirë në të cilin të bësh biznes. Në muajin nëntor, Presidenti i Kazakistanit gjatë 25 viteve të fundit, Nursultan Nazarbayev, deklaroi se do të implementonte një stimul prej 9 bilion dollarësh për fondin kombëtar të naftës në vend, për të nxitur infrastrukturën dhe për të tërhequr investitorët e huaj.
Gjatë verës së vitit të kaluar, qeveria bëri publike përjashtimet e reja që lejojnë investitorët e huaj të shmangin taksat për 10 vitet e ardhshme. Qeveria në Astana ka deklaruar gjithashtu se është e përgatitur të ofrojë 30 për qind rimbursim mbi koston e kapitalit tek investitorët, kur fabrika ose biznesi i huaj të jetë ngritur dhe të ketë filluar punën në vend.
Ndërkohë, Kazakistani po përpiqet gjithashtu që të shtrëngojë marrëdhëniet e tij me Bashkimin Europian. Europa është një nga partnerët më të mëdha tregtarë të Kazakistanit, një marrëdhënie që do të rritet edhe më shumë, pasi Brukseli dhe Astana firmosën Marrëveshjen e Bashkëpunimit dhe Partneritetit në muajin tetor, një marrëveshje e ngjashme me atë që firmosi Ukraina një muaj më parë në shtator. “Qeveria është duke u përpjekur shumë që të tërheqë investitorët e huaj në vend dhe strategjia që ka zgjdhur për të arritur këtë mund të funksionojë vërtet”, thotë Janet Heckman, kreu i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në Almaty të Kazakistanit.
“Politika jonë e jashtme ka ndjekur gjithmonë dhe mbi të gjitha interesat kombëtare të Kazakistanit”, thotë Erlan Idrissov, ministër i Jashtëm i Kazakistanit për “Foreign Policy” gjatë një interviste të kohëve të fundit. Përveç se po drejton shikimin nga Perëndimi, Kazakistani po përpiqet gjithashtu që të shtrëngojë marrëdhëniet e tij me Kinën.
I njëjti trend vazhdoi kur Kina dhe Kazakistani firmosën një tjetër marrëveshje me vlerën e 14 bilionë dollarëve për infrastrukturën dhe energjinë. Kjo marrëveshje dypalëshe ishte tepër e rëndësishme për pavarësinë ekonomike të Kazakistanit, duke qenë se 80 për qind e eksporteve të tij të naftës varen nga naftësjellëset dhe hekurudhat e kontrolluara nga Rusia.
“Ne nuk jemi pro Rusisë, pro Kinës, pro Europës apo pro Amerikës në politikën tonë të jashtme. Ne jemi vetëm pro Kazakistanit”, thotë Idrissov. “Nëse Rusia mund të na ndihmojë, do të drejtohemi nga Moska, por nëse Rusia nuk mund të na ofrojë atë çfarë na nevojitet për të ndjekur interesat tona kombëtare, atëherë do të kthehemi në një tjetër drejtim. Është thjesht diçka pragmatike”.
Nazarbayevi akuzoi Moskën se ishte duke ngritur barriera të padrejta tregtie, duke e përshkruar Bashkimin Doganor të drejtuar nga Moska, si një institucion të politizuar, madje deklaroi se shtrembërimi i tregtisë së jashtme ishte duke shkaktuar vështirësi të mëdha për tregjet e vendit të tij. Kazakistani shpresonte se, duke u integruar në bashkim, do të mund të zhvillonte tregje më të forta për eksportuesit lokalë përtej hidrokarbureve, por që pas integrimit në Bashkimin Doganor, vendi është tejmbytur me importet ruse.
“Gracka e Bashkimit”
Në Astana, ashtu si edhe në Minsk, është krijuar frika se Bashkimi Euraziatik në të cilin janë anëtarësuar, do t’i kyçë shtetet ish-sovjetike në orbitën politike të drejtuar nga Rusia. Frika për sovranitetin shtetëror është rritur, që pas aneksimit të Krimesë dhe vazhdon të rritet me tensionimin e mëtejshëm të situatës. “Në sytë e Kazakistanit, aneksimi i Krimesë ishte prova se, Rusia nuk respekton sovranitetin e vendeve postsovjetike”, thotë Nargis Kassenova, profesor i Universitetit të Studimeve Aziatike.
Krimea e ka lënë Kazakistanin dhe Bjellorusinë, duke ecur mbi një fill të tendosur. Ato ndodhen të pafuqishme për t’u shkëputur tërësisht nga Rusia, por janë gjithashtu të ndërgjegjshëm për fytyrën e re të Moskës. Lukashenko, pavarësisht se mbështet Putinin, e quajti atëherë aneksimin e Krimesë si një “precedent të keq” për rajonin. Duke folur në prag të festimeve dyditore zyrtare të pavarësisë së vendit, Nazarbayev i bëri thirrje qytetarëve që të mbrojnë pavarësinë. Fjalimi ishte një kundërpërgjigje e hapur ndaj deklaratës së Putinit, i cili tha se Kazakistani nuk ka qenë asnjëherë i pavarur përpara rënies së Bashkimit Sovjetik në vitin 1991.
Ndërkohë që Kazakistani dhe Bjellorusia janë duke diversifikuar opsionet e tyre politike dhe ekonomike, vendet më të vogla të Bashkimit Euraziatik duket se janë dorëzuar përpara fatit të tyre për të qenë satelitë të Rusisë. Asambleja Kombëtare e Armenisë votoi 103 me 7 për t’u anëtarësuar në Bashkimin Euraziatik së bashku me Bjellorusinë, Kazakistanin dhe Rusinë. Por edhe ligjbërësit që votuan pro, nuk ishin aspak entuziastë për lidhjen e të ardhmes së tyre me Rusinë. “Nuk mund të mbijetojmë pa popullin rus”, tha Mher Sadrakyan, një anëtar i Parlamentit të Armenisë, duke theksuar qëndrimin e tij se aleanca me Rusinë është një e keqe e domosdoshme.
Pa Rusinë, Armenia do të mbetej pa mbështetje në konfliktin e saj me Azerbajxhanin. Ky konflikt ka mbetur pezull që kur Rusia negocioi një armëpushim ndërmjet palëve në vitin 1994. Rusia ka një bazë ushtarake në Armeni dhe është furnizuesja kryesore e armëve për ushtrinë e vendit. “Pa rusët, ata do të na përpinin”, thotë Sadrakyan, duke folur për azerbajxhanasit.
Kirgistani do të bëhet gjithashtu anëtare e bashkimit të ri, por duke e tërhequr këmbën zvarrë dhe me kushte të paracaktuara. Ekzistojnë dyshime të mëdha nëse Bashkimi Euraziatik do të ishte diçka e mirë për ekonominë e vendit, që varet nga rieksportimi tepër fitimprurës i të mirave kineze drejt vendeve të tjera ish-sovjetike.
Bashkimi Euraziatik duket gjithnjë e më shumë si diçka e pavlerë. Me Armeninë dhe Kirgistanin që anëtarësohen nga halli dhe me Bjellorusinë dhe Kazakistanin që kërkojnë alternativa të reja kundrejt lidhjeve të ngushta me Moskën, po bëhet e qartë se Bashkimi Euraziatik nuk do të jetë lojtar gjeopolitik siç shpresonte të krijonte Putini. Integrimi euraziatik mendohej të ishte hapi final i rikthimit të dinjitetit dhe lidershipit rus, por bashkimi po bëhet më shumë një provë e aspiratave dekadente të politikës së jashtme të Kremlinit.
Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI