Bashkimi i Ramës me Berishën, lajmi “më i mirë” që mund t’i vinte Shqipërisë!

NGA POLI HOXHA

Bashkimi i Ramës me Berishën, lajmi më i mirë që mund

Marrëveshja e fundit Rama-Berisha, është dhurata më e bukur që mund t’i vinte Shqipërisë në këtë fazë të procesit historik të fundit të Kleptokracisë 33 vjeçare.

Kur qelbi nis e bashkohet, zmadhohet, “forcohet”, atëherë duroni dhe pak se do të shpërthejë jashtë si shatërvan plot ngjyra të kuqe, blu, rozë e mavi.

Ka edhe plot dëme koleterale natyrisht.

Do të dekurajojë, do të kthejë në disfatistë shumë që deri më sot kishin “luftuar” kundër tyre, do të qelb e do infektojë dynjanë.

Patjetër që do të ndodh; kush e lëshon kollaj pasurinë marramendëse të grabitur nga shqiptarët?!

Aq më tepër që ju është mbushur mendja se nuk e kanë vjedhur pasurinë dhe pushtetin që gëzojnë, por janë shqiptarët që e kanë pasur dhe vazhdojnë ta kenë për detyrë që t’ua japin vetë; për 4-8-12-34 vite, e deri sa të vdesin.

Madje “e drejta hyjnore” e tyre për të vjedhur Shqipërinë dhe jetën e shqiptarëve, duhet të kalojë edhe te fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tyre.

Ndaj mos besoni se do të dorëzohen ndonjëherë.

Sa më shumë të urrehen, sa më shumë ti braktisin shumica e shqiptarëve duke ikur larg tyre nëpër botë me “kuç e maç”, sa më fortë tu shtrëngohet laku i drejtësisë dhe ai i amerikanëve, aq më shumë do luftojnë.

Do të shpenzojnë edhe më shumë nga miliardat e vjedhura, do të bashkohen, do të bëjnë marrëveshje, do të shtojnë shifrat në borderotë e analistëve, të emisioneve prime time, të gazetarëve dhe ka rrezik edhe do të “martohen” me njëri tjetrin nga halli.

Por edhe do të shantazhojnë, kërcënojnë këdo që i tregon me gisht, siç e tregonte mbretin lakuriq ai fëmija i Andersenit, te “Rrobat e Mbretit”.

Pra do të bëjnë gjithçka të mundshme, duke tejkaluar edhe Mafien e cila ka disa Kode, të cilat nuk i shkel kurrë, edhe kur vjen puna për pasuri dhe për pushtet.

Pra mos u surprizoni sepse kanë hall ekzistence, ndaj do të vazhdojnë të shkallmojnë deri në ekstreme të paimagjinueshme më parë, çdo kandar morali, karakteri, ligji të shkruar e të pashkruar, apo njerzillëku.

Do të tentojnë që blejnë, (Dhe në shumë raste do t’ja arrijnë siç kanë bërë deri më tani), çdo zë politik, mediatik, publik të mundshëm që ka rezistuar.

Sigurisht me paratë e vjedhura nga shqiptarët.

Kush e pranon ofertën e parë, i ka dhënë shenjat që këto ditë që u promovua marrëveshja “historike” Rama-Berisha.

Për ata që rezistojnë, ka ofertë të dytë, të tretë, të dhjetë…no problem.

Imagjinoni pasurinë e bashkuar të klaneve Rama, Berisha, Meta dhe e kuptoni!

E gjithë kjo veprimtari e qelbit në trupin e Shqipërisë, ka 3 vite që gëlon.

Që kur SPAK dhe SHBA dhanë shënjat e para se e kanë seriozisht goditjen përfundimtare të tyre.

Atëherë luteshin të ishte thjesht një ëndërr e keqe.

Tani po ndodh realisht, egër dhe ma mëshirë.

Po vjen me shpejtësi faza finale.

SPAK momentalisht po pret nga SHBA një avion me pranga të “florinjta”!

Qelbi e di këtë sepse gjithmonë kanë informacion të shpejtë dhe të dorës së parë.

Është shpallur alarmi.

Ndaj nuk munden më që të vazhdojnë të fshihen.

Nuk kanë më kohë që të vazhdojnë lojën e trashë sikur janë armiq, ndaj le të nisë lufta e përbashkët kundër armikut të përbashkët.

Por kush thërret luftën, luftën do ketë!

Pavarësisht nga “fitorja” të cilës po i gëzohen me këto marrëveshje që paketojnë frikën nga Reforma Zgjedhore, nga SPAK dhe nga GJKKO, procesin historik, buldozierin e ndëshkimit dhe rrafshimit, askush nuk e shmang dot:

Çfarë është nisur për tu bërë, do të bëhet dhe pikë.

Vazhdoni e blini ca kohë nga e tashmja për të shtyrë çfarë të shtyni, por të kaluarën tuaj prej hajdutësh makutë dhe të ardhmen në peshoren e drejtësisë, nuk mund ta blini dot kurrë!

Exit mobile version