Familjarët në qytetin e Korçës janë ata që paguajnë tarifën më të lartë për m3 për ujin e pijshëshëm, ndërsa Bulqiza është qyteti që aplikon tarifën më të ulët. Kështu, çmimi maksimal i aplikueshëm, që në rastin konkret korrenspondon me Korçën është 65 lekë/m3 dhe çmimi më i ulët që i përket Bulqizës është 17 lekë/m3. Qytetet që kanë edhe shërbim më të mirë të furnizmit me ujë, janë ato që aplikojnë për rritje tarifash në mënyrë të herëpashershme për investimet që kryejnë. Por ajo që vihet re është se ka edhe qytete, të cilat aplikojnë tarifa të larta për konsumatorët familjarë, por që nuk ofrojnë shërbim cilësor. Po të marrim në analizë 12 qytetet kryesore në vend vihet re se Tirana edhe pse ka numrin më të lartë të konsumatorëve ka një tarifë të konsiderueshme prej 45 lekë/m3, ndërkohë që shërbimi i furnizimit me ujë të pijshëm nuk është në gjendje të mirë. Përpos furnizimit me orare të caktuara, Tirana trashëgon një rrjet të amortizuar, duke bërë që uji që vjen në rubinet të mos jetë i pijshëm. Operatorët që ofrojnë furnizim të pandërprerë me ujë dhe me presionin e duhur janë vetëm Sh.a. UK Korçë Qytet, Sh. a. UK Pogradec dhe Sh. a. UK Librazhd. Shoqëritë që ofrojnë furnizim me ujë nën kufirin e performancës së dobët, me më pak se 8.0 orë/ditë janë respektivisht Durrësi që furnizon me 7.52 orë në ditë edhe pse është qyteti i dytë për tarifat më të larta të ujit dhe Saranda që furnizon me 4.55 orë në ditë edhe pse tarifa është 52 lekë/m3. Shoqëria që ka pasur rënie në orët e furnizimit me ujë është Berat¬-Kuçovë, e cila për të katërtin vit radhazi pëson vetëm rënie në këtë tregues, ndërkohë që familjarët vijonë të paguajnë tarifë të konsiderueshme për këtë shërbim prej 44 lekë/m3.
Bizneset thirrje qeverisë për uljen e taksave me 15%
Ulja e taksave do të përbëjë shtyllën kryesore të propozimeve të biznesit për paketën fiskale për 2017. Vera do të jetë e nxehtë edhe për debatet mes qeverisë dhe sipërmarrjes për taksat, pasi deri më tani, Ministria e Financave nuk kanë dhënë asnjë shenjë për ulje të tyre. Përfaqësuesit e biznesit deklarojnë se kanë gati listën e propozimeve që do të dorëzohet në dikasterin e Financave dhe ku në unison do të kërkohet që barra fiskale të zbresë nga 15 në 10%, pasi vetëm kështu sipërmarrja shqiptare dhe ekonomia mund të bëhen konkurruese. Biznesi do t’i kërkojë në unison qeverisë uljen e taksave vitin e ardhshëm. Ndërsa, Ministria e Financave ka hapur procesin për dorëzimin e kërkesave për paketën fiskale 2017, përfaqësuesit e shoqatave të biznesit rendisin në krye të listës së propozimeve uljen e barrës fiskale në 10%. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë: Është momenti që ne të kalojmë në barrë fiskale më të ulët, të ngjashëm për t’u rikthyer konkurrent me vendet e tjera, të thithin investimet e vendit dhe te huaja. 10% nuk mund të jetë më e lartë se 10%, më poshtë mund të jetë se jemi prapa tashmë. Dështimi në tre paketat fiskale të mëparshme e bën të detyrueshme këtë lëvizje. Bujar Bendo, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë: Kërkojmë që në këtë lloj situate duhet që të bëhet ulja e taksave. Për tatim fitimin kërkojmë që të kalojë prap në nivelin 10% dhe taksën e dividentit po ashtu në nivel 10%. Kërkesa të tjera që sipërmarrja do t’i paraqesë qeverisë kanë të bëjnë me saktësime në zbatimin e ligjeve, aty ku paraqiten edhe problemet më të mëdha në raport me administratën fiskale dhe që kanë të bëjnë kryesisht nga intepretimet. Alban Zusi, kryetar i Shoqatës së Eksportuesve: Deri tani si shoqatë kemi listuar mbi 20 problematika, të cilat janë të lidhura me mënyrën abuziviste të aplikimit të legjislacionit, pasi kjo krijon edhe deformimin më të madh, ndërsa problem tjetër është i lidhur me politika të bëra nga qeveria siç janë krijimi i lehtësirave për investime prodhuese dhe krijimi i lehtësirave për thithjen e investitorëve të huaj. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë: Kusht shumë i rëndësishëm është që politika fiskale në Shqipëri duhet të jenë të qëndreshme në kohë.