Kandidati i Koalicionit Euroatlantik Vlorë, Gjergji Nika, shprehet se bashkitë janë shndërruar në moçale korrupsioni, ndërsa shkruan më tej se në programin e Koalicionit Euroatlantik është planifikuar të krijohen zonat e lira ekonomike që do të frenojnë shpopullimin e vendit.
Më poshtë reagimi:
Qytetarët sot, shohin sesi bashkitë janë kthyer në moçale korrupsioni dhe skandalesh, pastrim parash dhe pasurim të pushtetarëve.
Për të nxitur lirinë ekonomike dhe menaxhimin efikas të territorit dhe pasurive lokale, si dhe për të ndalur shpopullimin e periferive të vendit ne cilat janë në shifra alarmante, ne do të krijojmë Zonat e lira ekonomike, duke:
Ndërmarrë një reformë të plotë administrative duke forcuar këshillat bashkiakë. Kryetarët e qendrave administrative do të zgjidhen me votë të drejtpërdrejtë dhe jo me emërim si deri më tani. Çdo njësi administrative do të përfaqësohet me të zgjedhurin e vet në Këshillin e Bashkisë.
Shërbimet do të jenë sa më pranë qytetarit duke bërë të mundur funksionimin e zyrës ONE WINDOW në çdo njësi administrative, edhe në ato më periferiket.
Do të rrisim dhe fuqizojmë rolin e qytetarëve në kërkesë llogarie ndaj të zgjedhurve vendorë.
Buxheti i bashkive do të jetë jo më pak se 3% e Produktit të Brendshëm Bruto (PBB-së), duke e rritur atë çdo vit me 0.5% të PBB-së.
Për të rritur decentralizimin politik, institucional, dhe financiar ne gjithashtu propozojmë:
Krijimin e Rajoneve: në funksion të luftës kundër korrupsionit, luftës kundër shpopullimit të vendit, zhvillimit të një ekonomie të qëndrueshme, dhe me qëllim përafrimin e modelit të ndarjes administrative sipas kritereve të BE-së për organizimin territorial të vendit, Koalicioni Euroatlantik angazhohet ta ndajë atë në Katër Rajone.
# Shqipëria meriton më shumë