Bastisen zyrat e Al Jazera, qeveria izraelite urdhëron mbylljen e stacionit televiziv

Autoritetet izraelite në Jerusalem bastisën të dielën një dhomë hoteli që përdorej nga kanali Al Jazeera si zyrë e saj, thanë për agjencinë e lajmeve Reuters një zyrtar izraelit dhe një burim i rrjetit Al Jazeera.

 

Izraeli urdhëroi të dielën mbylljen e zyrave lokale të rrjetit satelitor të lajmeve Al Jazeera, që është në pronësi të Katarit. Pamje filmike të shpërndara në internet tregonin punonjës të rendit me rroba civile duke çmontuar pajisjet e kameras në një dhomë hoteli, për të cilin burimi i rrjetit Al Jazeera tha se ishte në pjesën lindore të Jeruzalemit.

Vendimi i kabinetit të kryeministrit Benjamin Netanyahu i pezullon veprimtaritë e rrjetin për aq kohë sa vazhdon lufta në Gazë, duke thënë se përbënte kërcënim për sigurinë kombëtare.

Al Jazeera tha se masa ishte një “veprim kriminal” dhe se akuza se rrjeti kërcënonte sigurinë izraelite ishte një “gënjeshtër e rrezikshme dhe qesharake” që vë në rrezik jetën e gazetarëve të saj. Rrjeti u zotua se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore në dispozicion përmes institucioneve ligjore ndërkombëtare.

Rrjeti e ka kritikuar operacionin ushtarak izraelit në Gazë, nga ku ka raportuar që nga fillimi i luftës. “Kanali nxitës, Al Jazeera, do të mbyllet në Izrael”, shkroi një rrjetet sociale kryeministri Netanyahu pas votimit unanim të kabinet.

Në një deklaratë të qeverisë thuhet se Ministri i Komunikimit nënshkroi urdhrat për të “vepruar menjëherë”. Të paktën një ligjvënës, që e mbështeti mbylljen, tha se Al Jazeera ende mund të përpiqet që ta bllokojë vendimin përmes gjykatës.

Vendimi, thuhet në deklaratë, përfshin mbylljen e zyrave të rrjetit Al Jazeera në Izrael, konfiskimin e pajisjeve të transmetimit, ndërprerjen e kanalit nga kompanitë kabllore dhe satelitore dhe bllokimin e qasjes së saj kibernetike në vend. Në deklaratë nuk u përmenden operacionet e rrjetit Al Jazeera në Gazë.

Kompanitë kabllore dhe satelitore i pezulluan transmetimet e rrjetit Al Jazeera pas vendimit të qeverisë. Qeveria e Katarit nuk ka komentuar.

Muajin e kaluar rrjeti u ankua për “një seri sulmesh sistematike nga Izraelit për t’i mbyllur gojën kanalit Al Jazeera”. Rrjeti tha se Izraeli kishte vrarë qëllimisht disa nga gazetarët e tij, mes tyre Samer Abu Daqqa dhe Hamza AlDahdooh në Gazë. Izraeli ka thënë se nuk vë në shënjestër gazetarët. Katari e themeloi rrjetin Al Jazeera në vitin 1996.

“Rrjeti mediatik Al Jazeera dënon dhe denoncon fuqishëm këtë akt kriminal që shkel të drejtat e njeriut dhe të drejtën themelore për qasje në informacione”, thuhet në një deklaratë të rrjetit. “Al Jazeera konfirmon të drejtën e saj për të vazhduar ofrimin e lajmeve dhe informacione për audiencën e saj globale”.

Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut e kritikoi gjithashtu mbylljen e rrjetit.

“Vendimi i kabinetit për të mbyllur stacionin Al Jazeera në Izrael është për të ardhur keq”, thuhet në deklaratën e saj të postuar në rrjetin X. “Një media e lirë dhe e pavarur është thelbësore për të garantuar transparencë dhe llogaridhënie, sidomos tani, duke patur parasysh kufizimet e rrepta për raportimin nga Gaza. Liria e shprehjes është një e drejtë kryesore për të drejtat e njeriut. Ne i bëjmë thirrje qeverisë ta anulojë vendimin”.

Parlamenti izraelit ratifikoi muajin e kaluar një ligj që lejon mbylljen e përkohshme në Izrael të transmetuesve të huaj që konsiderohen si kërcënim për sigurinë kombëtare./VOA

Exit mobile version