Bastisja, Trump e konsideron sulm kundër vendit, gati shkarkimi i Muller

Agjentët e Byrosë Federale të Hetimeve, të pajisur me autorizime të gjykatës, konfiskuan dokumente të avokatit personal të presidentit Donald Trump, Michael Cohen, në zyrën e tij në Mahatan të Nju Jorkut.
Kjo u bë e ditur në një deklaratë të avokatit të zotit Cohen, Stephen Ryan.
Ai tha se urdhrat për kërkimin e dokumenteve u ekzekutuan nga zyra e avokatit amerikan për qarkun jugor të Nju Jorkut, por ato kanë lidhje vetëm “pjesërisht” me hetimet e prokurorit të posaçëm Robert Mueller.
Presidenti Trump reagoi mbrëmjen e së hënës, duke thënë se “kjo është një situatë e turpshme, është një sulm kundër vendit tonë”.
Ai i bëri komentet gjatë një takimi të këshillit të sigurisë kombëtare të mbledhur për të diskutuar mbi reagimin e SHBA ndaj sulmit me armë kimike në Siri.
Presidenti Trump tha se “kjo është një gjueti e pastër shtrigash”, duke iu referuar tërthorazi punës së prokurorit të posaçëm Robert Mueller, i cili po heton rreth një bashkëpunimi të mundshëm të fshehtë të fushatës Trump me Rusinë.

Presidenti Trump tha se deri tani nuk është gjetur asnjë bashkëpunim i tillë i fshehtë.
I pyetur nëse do ta shkarkonte zotin Mueller, ai nuk u përgjigj drejtpërsëdrejti por tha se “këtë do ta shohim”.
Ai u ankua se ndërkaq nuk ka patur asnjë hetim rreth rivales së tij në zgjedhje, Hillary Clinton, duke iu referuar “33 mijë emaileve të saj të zhdukura”.
Avokati i zotit Cohen tha më herët të hënën se agjentët e FBI-së konfiskuan “komunikime klient-avokat që mbrohen me ligj,” por nuk dha hollësi mbi përmbajtjen e tyre. Ai shtoi se përdorimi i mandateve të kërkimit ishte “krejtësisht i papërshtatshëm dhe i panevojshëm”.
Michael Cohen, avokati personal i zotit Trump, muajt e fundit është vënë nën vëzhgimin e pandërprerë të medias, për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje intime me zotin Trump në mesin e viteve 2000.
Presidenti Trump thotë se nuk ka qenë në dijeni të pagesës, për të cilën disa ekspertë ligjorë thonë se mund të jetë nxjerrë nga kontributet për fushatën e tij zgjedhore dhe si rrjedhojë ka qenë e paligjshme.

Exit mobile version